Diplomati Pardew e promovoi librin “PEACEMAKERS” në konferencën e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor

Në konferencën e dytë të Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, të mbajtur në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasadori, diplomati dhe arkitekti i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, James W. Pardew, pasi ndoqi punimet e konferencës, promovoi edhe librin e tij “PEACEMAKERS” – mësime nga Ballkani.

Diplomati amerikan James W. Pardew, gjatë promovimit të veprës së tij, e cila kryekëput ka të bëjë me eksperiencat e tij në Ballkan e në veçanti për negociatat e shteteve të Ballkanit në zgjidhjen e konteksteve të caktuara, foli edhe për rolin që komuniteti ndërkombëtar ka pasur në këtë pjesë të ndjeshme të botës.

Ai e përshëndeti bashkëpunimin mes Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Ilinoisit Verior. Sipas tij, hapja e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor nga këto dy universitete është mjaft vitale për institucionet në Republikën e Maqedonisë dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi, duke pasur në konsideratë se në një të ardhme të afërt, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, roli i saj do të jetë i veçantë në promovimin e vlerave demokratike.

Ai tha se për Universitetin e Tetovës, bashkëpunimi me Universitetin e Iliniosit Verior është njëri nga bashkëpunimet më vitale ndërkombëtare, sepse Universiteti i Tetovës është një nga institucionet më jetike në Ballkan, i cili punon për zhvillimin e shumë proceseve e në veçanti të atyre me karakter edukativ“. Kjo mirënjohje e thellë vjen si rrjedhojë e angazhimit të vazhdueshëm të Vullnet Ametit në sendërtimin e Universitetit, për rolin pozitiv që luan në të mirë të komunitetit të gjerë në Republikën e Maqedonisë dhe në rajon, promovimin e vlerave të mirëfillta akademike dhe shoqërore si dhe bashkëpunimin universitar në rrafshin global” – tha diplomati James W. Pardew.

Mes tjerash, James W. Pardew shtoi se Universiteti i Tetovës është treguar shumë aktiv në procese të ndryshme dhe se ka kontribuar më shumë se kushdo tjetër në avancimin e çështjes shqiptare në Republikën e Maqedonisë.

Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe Universitetin e Tetovës në veçanti, diplomatit amerikan James W. Pardew, Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Hazir Pollozhani, në emër të Universitetit i ndau një dhuratë me portretin e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Pas pranimit të dhuratës, diplomati Pardew, tha se kjo është dhurata më e bukur që i është ndarë ndonjëherë, pasi ai personalisht njeh mirë historinë e popujve të Ballkanit e sidomos historinë e popullit shqiptar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button