Çka na thotë Sizifi kur rikthehet tek guri

Vetë lufta drejt majave mjafton për të mbushur zemrën e njeriut. Duhet ta përfytyrojmë Sizifin të lumtur.

Albert Kamy

1.

Edhe gjërat që nuk mund t’i ngremë në majë vlejnë

qoftë vetëm për hir të përpjekjes

 

Kështu pastaj ato marrin peshë

dhe nuk iu nënshtrohen ligjeve të gravitetit

tërheqin përpjetë

Me rënie të lirë bien vetë gjerat e lehta

 

Dëshmitar kemi imagjinatën krijuese –

realitetin tonë përtej të gjitha kufizimeve

ku ideja e dorëzimit

mbahet në prangat e Sizifit

 

2.

Nuk është e vërtetë se s`mund të rri në paqe

me perënditë si shumë të tjerë

ku asnjëri nuk ia prish tjetrit tymin e duhanit

por është vesi im grindavec me u farku me majat e shtizave

me ato ma të helmtat që ngrisin çështje

të gjitha të kundërtave me iu ba e kundërta tjetër

dhe kurrsesi mesi

mesi është rrenë e madhe që na pajton

saherë duam me i shpëtu atij vesit grindavec

që permbys rendet

është pusi në të cilën prehet në besë imagjinata

prandaj nuk e kam zgjedhë mesin

kam zgjedhë me u rrëzu në ndonjë skaj

por që është skaji im

që është maja ime deri ku jam ngrite tue shtue peshë

dhe tue mos nigue me shkue pas tjetërkujt

as me u terheqë me litar 3 deri 5 metra

si makinat e prishta të mbetura në rrugë

ah, makinat, s`mberrin me to

ku mbërrin me këmbët tua

e me qenin tënd të larmë të bukur të sertë

që të tërheq përdore

të prin e ta tregon udhën

pasi  ka mujtë me i këputë zinxhirët

e me dalë jasht teje

e me të qortue

saherë humbasish peshë.

Pal Ndrecaj

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button