Vetëvrasja e katërfishtë dhe arti i kapitullimit të një shoqërie

Një i ri që fillon karrierën duke punuar në një media që i trajton punëtorët pa nder, që bëhet aksidentalisht pjesë e kinematografisë për ta braktisur për karrierën si asamblist e këshilltar kryetar komune dhe për të përfunduar i vetëvrarë në një veturë diku në një rrugë, në fakt është një vetëvrasje e katërfishtë që shpjegon në mënyrën më të vrazhdë artin sesi kapitullon një shoqëri dhe një shtet, shkruan Insajderi.
Vetëvrasjet zakonisht hapin shumë dilema sepse lënë shumë të panjohura në ekuacionin e së vërtetës, madje edhe në versionet kur të vetëvrarët lënë letra lamtumirëse. Gjithmonë ekziston edhe dyshimi nëse ajo çfarë është shkruar në letër është dhe arsyeja kryesore e aktit. Për këtë arsye edhe kurioziteti për të ditur arsyet e një akti të tillë nuk është diçka e padrejtë, veçse kur ky kuriozitet shuhet, i padrejtë bëhet gjykimi i një akti të tillë: që në përgjithësi e cilëson si ligësi vetëvrasjen.

Por ka vetëvrasje që arrijnë ta zbërthejnë një të vërtetë më të madhe sesa arsyeja e vetëvrasjes. Ka shumë vetëvrasje që kanë vënë në pikëpyetje një realitet të caktuar dhe e tillë është edhe vetëvrasja e Art Kurtit, një kosovar që ngeci në mënyrë tragjike në vorbullën e të qenit personazh i një shteti me një shoqëri të kapitulluar sikurse ajo kosovare.

Shkruan: Vullnet Krasniqi

Shkruan: Vullnet Krasniqi

Vetëvrasja e Parë – Arti i pamundur i të jetuarit si njeri në Kosovë

Sipas një rrëfimi të një kolegu të Artit në fushën e kinematografisë, ai kishte pasur probleme financiare. Pa marrë parasysh se cilat mund të kenë qenë problemet financiare të Artit dhe nëse ato kanë qenë arsye e vetëvrasjes, vetëvrasja e tij është një sinonim i pamundësisë që njeriu të funksionojë në Kosovë, përkundër përpjekjeve.

Arti është një njeri/kosovar që ka tentuar në mënyra të ndryshme, cilado qoftshin ato, që të mbijetojë në një shtet ku mbijetesa është shndërruar në një luks. Tentimet e tij për të mbijetuar që përfunduan me dorëzim dhe stopim të ekzistencës së tij tregojnë më së miri se të jesh një njeri në Kosovë, pra me nevoja të plotësuara bazike, është një art në vete, që çdo ditë e më shumë është shndërruar në një proces që mund të përfundojë tragjikisht. Statistikat e viteve të fundit tregojnë një trend të rritjes së vetëvrasjeve në Kosovë.

Arti është një njeri/kosovar që nga realiteti i vrazhdë dhe aspak i favorshëm, të shtynë të bëhesh një tentues i vazhdueshëm që shpeshherë mund të çojë edhe në tentime të rrezikshme, që të shkaktojnë stres dhe të fusin edhe në veprime të jashtëligjshme. Ai tentoi të punonte në një kompani private mediale, shfrytëzoi njohjet e tij që çuan në punën e tij si aktor në një nga serialet më të njohura në Kosovë, punë kjo të cilën e braktisti për t’u bërë Asamblist në Komunën e Gjakovës e më pas edhe këshilltar i kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini.

Por asnjë nga këto tentime nuk kryen punë për të përmbushur ekzistencën e Artit. Sepse arti i të jetuarit në Kosovës është gati i pamundur. Dhe secila etapë e karrierës së Artit si kosovar është një tregim në vetëvete i Artit të Kapitullimit të një shteti dhe shoqërie.

Prandaj vdekja e Artit që ia mori jetën vetes, mbi të gjitha është një vdekje solemne e njeriut në Kosovë.

Vetëvrasja e Dytë – Arti i pamundur i të qenit punëtor në Kosovë

Vetëvrasja e Art Kurtit u bë temë mediale në Kosovë, më së shumti për shkak se ishte një vetëvrasje e një aktori në një serial të njohur. Por para se të arrinte aty, Arti ishte një punëtor në një kompani tipike private në Kosovë. Më e keqja është se kjo kompani ishte kompani mediale, fushë kjo e cila përkundër famës dhe një sigurie të pretenduar që ta ofron, nuk e ndihmoi Artin që të jetonte. Të gjente një motiv për të jetuar.

Arti ka punuar fillimisht si kameraman dhe montazher në televizionin kabllor “Tribuna Channel”. Një kompani e cila në tregun medial të Kosovës është e njohur më shumë për një gjë: mungesë të pagesave për punëtorët e saj. Kompania drejtohet nga familjarë të një njeriu që ka qenë shumë kohë pjesë e politikës, Rexhep Hotit, ish-deputet, drejtues i gazetave, tash nënkryetar i PDK-së. Shumica e punëtorëve të tij ikin nga ajo kompani, më së shumti për shkak se nuk marrin as pagën e tyre. Madje me muaj.

Por, duke qenë se në tregun medial, të ofrohet mundësi që me pak kuriozitet dhe ambicie mund të gjesh një vend tjetër më të mirë, për shkak se numri i mediave në Kosovë është jashtëzakonisht i madh e kësisoj edhe nevoja për punëtorë medialë, nuk bëhet aq e madhe një problematikë kaq e dëmshme në tregun e punës në Kosovë, trajtimin me nder dhe korrekt i punëtorëve.

Në në një version tjetër të tregut të punës, në atë të ndërtimit ose marketeve e dyqaneve të mëdha, trajtimi është i njëjtë, por ndoshta arsyeja përse punëtorët nuk e bëjnë të madhe, qëndron të varfëria, nevoja elementare e një pagese minimale për të siguruar mbijetesën.

Por Arti kishte ikur nga ky treg i punëtorëve për t’u bërë një aktor, ani pse jo profesionist. Një tentim për të gjetur shpresën në këtë vend. Në këtë vend ku jeta është një serial depresiv. Andaj edhe vetëvrasja e Art Kurtit është një vetëvrasje zyrtare dhe simbolike por edhe kolektive e punëtorit në Kosovë.

Vetëvrasja e Tretë – Arti i Braktisjes

Në një intervistë të dhënë në televizionin T7, Jeton Zogiani, një nga figurat kyçe të serialit “O sa mirë”, ku kishte luajtur edhe Art Kurti, porosit që rinia kosovare të mos e marrë si shembull Artin. Pa marrë parasysh arsyet pse Zogiani e thotë këtë, ekziston një tjetër gjë më e rëndësishme në kontekstin e post-vetëvrasjes së një aktori jo profesionist: devalvimin e sistemit të vlerave kulturore dhe artistike në Kosovë. Pra, vetëvrasjen artistike dhe kulturore të Kosovës.

Pse?

Për një arsye fare të thjeshtë: sepse porosia që Arti të mos merret si model bëhet nga një drejtues i një programi të propaganduar si artistik e kulturor sikurse ai i “O sa mirë” ku Arti kishte luajtur një rol në këtë serial e kësisoj edhe duke u paraqitur si një model i një të riu në Kosovë. Pa marrë paraysh se si e çfarë modeli ishte paraqitur në serial. Prandaj një porosi e tillë përpos që është jashtëzakonisht fyese për një njeri e më pas edhe për një profesionist apo jo në cilëndo fushë, është mbi të gjitha një tregues sesi kemi kapitulluar si shoqëri në nivelin kulturor.

Kolegu tjetër i Artit të vetëvrarë tregon po në T7 se ai kishte dëgjuar se ka pasur probleme financiare dhe se ai kishte ndërprerë xhirimet e serialit në mënyrë krejtësisht të paparalajmëruar, madje midis xhirimeve, duke çuar kështu edhe në mungesën e tij të përhershme në këtë serial.

Kësisoj vihet në pah sesi në Kosovë mund të jeshë pjesë e një projekti jashtëzakonisht të madh e të fuqishëm kulturor e medial, por në të njëjtën kohë të mos kesh një siguri që të sigurohet së paku ekzistenca jote. Pra gjithë farsa kulturore dhe artistike në Kosovë është një art sipërfaqësor i manipulimit, i dedikuar për një shoqëri që manipulohet në mënyrë të lehtë, për shkak se nuk ka përjetuar ndonjë edukim kulturor e artistik. Në këtë mënyrë, manipuluesit e këtyre projekteve kulturore e artistike në Kosovë i bëjnë pjesë të saj njerëzit të cilët nuk janë profesionistë, por të talentuar, por që nuk ndihmojnë në rritjen ose organizimin e atij talenti, por vetëm shfrytëzimin e tyre.

Prandaj është edhe e kuptueshme sesi këto projekte kulturore dhe artistike bëjnë pjesë të tyre edhe politikanë të cilët më vonë duke dashur ta zënë kohën e famës së një lajmi, zhyten në mesazhe ngushëlluese për Art Kurtin si aktor, sikurse rasti i kryetarit të Kuvendit atij të PDK-së, Kadri Veseli që ka qenë dy herë pjesë e serialit ku ka luajtur edhe Arti, seriali “O sa mirë”.

Por Arti në fakt e kishte braktisur këtë serial, për arsye të panjohura ashtu sikurse arsyja e vëtëvrasjes së tij. Kësisoj vetëvrasja e tij është edhe vetëvrasje kolektive dhe solemne e artit dhe kulturës në Kosovë.

E në vazhdën e politikanëve që kanë reaguar për Art Kurtin ishte edhe kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Arti kishte qenë asamblist në Komunën e Gjakovës, pasi braktisi serialin, dhe më pas u bë këshilltar i kryetarit të komunës, Ardian Gjini, që vjen nga partia e kryeministrit Haradinaj.

Vetëvrasja e katërt dhe arti i kapitullimit të një shteti

Art Kurti kishte braktistur në mënyrë të befasishme punën si aktor në serial dhe i kishte hyrë politikës. Kishte arritur të siguronte një vend si përfaqëues lokal në Gjakovë, si asamblist në Kuvendin Komunal të Gjakovës. Më pas ishte bërë edhe këshilltar për Rini në kabinetin e kryetarit të Komunës, Ardian Gjinit.

Gjini shkroi në Facebook duke u shprehur i shokuar më vdekjen e  Art Kurtit, por në fakt një lajm i tillë, është shokues sepse tregon sesi kemi kapitulluar si shoqëri dhe si shtet. Arti u bë këshilltar i politikave komunale të një kryetari të një komune të madhe në Kosovë, pasi kishte braktisur punën si punëtor në një kompani private/mediale, famën dhe punën si aktor në një projekt kulturor.

Para se t’i futej politikës, ata të kulturës e dinin për problemet financiare. Pra njëfarë informacioni bazik se Arti nuk kishte qenë mirë, ka qenë i ditur. Por askujt nuk i ka interesuar kjo gjë, madje as kryetarit që e kishte si këshilltar. Është jashtëzakonisht tragjike fakti se një kosovar i deleguar për të këshilluar një kryetar apo për të qenë këshilltar në një Kuvend nuk arrin të gjejë arsyen e ekzistencës së tij.

Çfarë shprese e inspirimi mund të jetë për të gjallët që tentojnë të mbijetojnë kur shohin se ai që duhej hartuar politika sesi të  funksionojë rinia, ia merr jetën vetes qysh në rini?

Vetëvrasja e Artit është një tregues sesi në këtë shtet është bërë e pamundur të jetosh as si njeri, sepse shtypesh e nuk njihesh si qenie; sesi nuk mund të mbijetosh as si punëtor i thjeshtë, sepse të shtypen të drejtat; sesi është farsë mundësia e artë që të shijosh të mirat e një talenti, sepse talenti yt vetëm shfrytëzohet nga ata që kanë marrë primatin e të vlerësuarit të talentit apo aftësisë tënde krijuese; sesi mund të jesh edhe këshilltar i një kryetari komune, por të mos kesh mundësi ta këshillosh veten për të jetuar.

Arti me vetëvrasjen e tij i ka vënë vulën kapitullimit tonë dhe sesi ekzistenca në këtë shtet është një art në vete. Arti i së pamundurës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP