Duke kërkuar UNI-n e vërtetë, “Viganet e maleve” e bëri Maqedoninë pjesë të BE-së (VIDEO)

“Kur Winston Churchillit i kishin kërkuar që fondet e kulturës dhe arteve  t’i jepte për forcat e luftës, ai thjeshtë ishte përgjigjur: atëherë, për çfarë po luftojmë?”, kësisoj edhe Teatri Shqiptar i Shkupit sot paralajmëroi aktivitetin katër ditor që do të realizohet në vazhdën e premierës së shfaqjes “Viganet e maleve” që nga nesër do të zbarkojë në Shkup, njofton Portalb.mk.

Si projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, shfaqja “Viganet e maleve” vjen në bashkëpunim me: Institutin Nacional Teatri Shqiptar i Maqedonisë, Drama Italiane e Teatrit Kombëtar të Kroacisë “Ivan pl. Zajc”, Teatri i Sllovenisë në Itali, Teatri Gjerman në Rumani dhe Teatrit “Kostozlanja Deszo” të Sebisë; me autorësi të Luigji Pirandellos, regji të Paolo Magellit; i luajtur nga dy aktorët e Teatrit Shqiptar Shkup, Xhevdet Jashari dhe Fisnik Zeqiri, aktorëve të teatrove të tjera: Valentina Banci, Mirko Soldano, Eniko Blenessy, Giuseppe Nicodemo, Daniel Dan Malalan, Mauro Malinverno, Boris Kuçov, Doroteja Nadrah, Riçard Hladik dhe Silvia Torok; dramaturge – Zheljka Udoviçiq Pleshtina; muzikë – Ivanka Mazurkijeviq dhe Damir Martinoviq Mrl; skenografi – Aleksandra Ana Bukoviq dhe Lorenzo Banci, kostumografi – Manuela Paladin Shabanović, ndriçimi – Dalibor Fugoshiq, kurse asistente regjie është Barbara Babaçiq.

“Viganet e maleve” që do të shfaqet më 26 dhe 27 prill në Teatrin Nacional të Maqedonisë me fillim prej ora 20:00.

Ekipi i “Viganet e maleve”

Adem Karaga: Kultura na bëri pjesë të BE-së

Në lidhje me projektin – shfaqjen “Viganet e maleve”, drejtori i Teatrit Shqiptar të Maqedonisë, Adem Karaga u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi dhe tha se kultura na e dha privilegjin që Maqedonia të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

“Kjo shfaqje do të ishte e pamundur të realizohet nëse nuk krye të kësaj pune nuk do të qëndronte një njeri kolosal siç është Paolo Magelli. Një ide brilante e tij diti të organizojë dhe të shtyjë në lëvizje gjithë mekanizmin artistik teatror të të gjithë trevave që shumica prej tyre janë pjesë e BE-së, unë do të thosha se për ne ishte një privilegj. Sado që ne përpiqemi të jemi pjesë e BE-së, këtë mundësi na e dha kultura që të jetë përpara shtetit”, tha Karaga.

Karaga dërgoi falënderime deri te: trupat teatrore të Sllovenisë, Rumanisë, Hungarisë, Kroacisë dhe dy aktorët shqiptarë nga Maqedonia, Xhevdet Jashari dhe Fisnik Zeqiri, Bashkimi Evropian dhe Ministria e Kulturës.

Xhevdet Jashari: të mos merremi me politikë këto tre ditë

I pyetur për përvojën e marrë gjatë realizimit të shfaqjes “Viganet e maleve”, aktori Xhevdet Jashari kërkoi nga qytetarët që të mos merren me politikë gjatë këtyre tre ditëve dhe ta bëjnë ngjarjen sa më shumë “share”.

“Presim që ta bëni share lajmin. Mos u merrni me politikë këto tre ditë dhe punë të tjera. Merruni me shfaqjen dhe do ta kuptoni edhe politikën dhe gjithçka tjetër që ekziston në shtetin tonë”, tha Jashari.

Xhevdet Jashari tha se vetë dalja nga shteti i Maqedonisë dhe bashkëpunimi me regjisorë dhe aktorë të mëdhenj është përvojë e madhe për të dhe Fisnik Zeqirin.

“Vetë fakti që del nga shteti ku punon në vazhdimësi, shkon diku tjetër, kjo është përvojë. Ajo çfarë fituam unë edhe Fisnik Zeqiri gjatë kësaj shfaqje, është ajo se ne nuk e njohim gjuhën hungareze, unë për vete se kam dëgjuar asnjëherë. Italishten po, por hungarishten jo. Dhe të marrësh pjesë në shfaqje me aktorë që flasin një gjuhë që ti nuk e kupton dhe nuk e ke dëgjuar asnjëherë dhe duhet të dialogosh me të, kjo është përvojë edhe më e madhe”, tha Jashari.

Paollo Magelli: është e kotë të përsëritim se jetojmë në kohë të zymtë

Regjisori i shfaqjes “Viganet e maleve”, Paolo Magelli tha se ideja për realizimin e një projekti ndërshtetëror erdhi si përgjigje e pyetjes: “Çfarë mund të bëjmë për dobëtit?” e kurse shpirti i trazuar Oliver Friljqinit iu është përgjigjur: “Nëse ke vullnet, gjithmonë mund të bësh diçka për të dobëtit dhe kjo duhet bërë!”.

I paraprirë edhe nga ideja: “Se mbrojtja e ‘të dobëtit’ është luftë për mbrojtjen e demokracisë”, Magelli tha se shpreson se pesë zërat e realiteteve të ndryshme kulturore të zgjerohet në të ardhmen.

“Shpresoj se në një të afërme të afërt ky grup do të zgjerohet dhe do t’i përfshijë të gjithë realitetet e pakicave të Evropës dhe Mesdheut”, tha Magelli.

Përndryshe, “Viganët e maleve” është pjesa e fundit e Ligji Pirandellos që paraqet një vepër të veçantë dhe virtuoze e fjalës dhe e reflektimit të artit teatror. Pirandellos më vitin 1934 iu është ndarë çmimi Nobel për letërsi për “vendosmërinë dhe mendjemprehtësinë në ngjalljen e artit dramatik dhe skenik”. Pas kësaj ai shkroi edhe veprën që nesër do të shfaqet edhe në Shkup, “Viganet e maleve”.

Gjithçka nis duke kërkuar kuptimin e UNI-t të vërtetë, në një udhëkryq jete dhe brenda formave konvencionale e të gjithëpranuara të sjelljes, të cilat i fusin në situatë pothuajse bizare duke treguar hendekun ndërmjet fytyrës reale dhe maskës që na imponohet nga skemat sociale, qofshin ato të pranuara apo të imponuara.

Pas njoftimit të dhënë për shfaqjen e nesërme, ekipi i shfaqjes “Viganet e maleve” shpërndau ushqime tradicionale të shteteve prej nga vijnë edhe aktorët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button