HOMAZH PËR BACIN FAIK

Faik Mustafa ishte Njeri i fisëm, i dashur, i drejtë, i guximshëm, me humor të këndshëm.

Ai refuzoi që ta shihte botën nëpërmjet syzeve ideologjike.

Ai e përjetoi tmerrin e burgut, sepse e deshi pafundësisht lirinë, e cila njeriut i mundëson jetë të dinjitetshme.

Ai nuk ishte prej të përvuajturve, që, më pas, heshtin në vuajtjen e të tjerëve.

I rebeluari kundër regjimit të egër jugosllav, ishte Njeriu që lirinë e kishte përbrenda.

Baci Faik ishte miku im i madh, i dashur, i shtrenjtë dhe i paharruar. Përmendja e emrit të Tij më ngjall emocione, kujtime dhe dhimbje. Moshat e ndryshme nuk ishin pengesë për miqësinë tonë, e cila ishte ndërtuar sipas parimit të Ciceronit: mos kërko nga miku atë që s’e do për vete…

Faik Mustafa u dëshmua edhe në planin letrar, nëpërmjet tregimeve, skicave humoristike – satirike, epigrameve, që janë botuar nëpër gazeta, revista ose në formë librash.

Ishin të veçantë shkrimet publicistike, rrëfimet dhe skicat, veçanërisht epigramet.

Epigrami është shumë i vështirë për t’u krijuar, sepse kërkon dije, përvojë, mjeshtri artistike, kërkon ndjenjë dhe mendim. Kërkon të shkruash për gjëra serioze pa e përjashtuar humorin.

Faik Mustafa krijoi epigrame të këndshme për lexim. Në krijimet e tij etikja shpesh e dominon estetiken. Shkrimtari synonte që, nëpërmjet krijimtarisë së tij, të ndikonte te lexuesi, të cilin dëshironte ta shëronte moralisht.

Kam qenë recensues i librit “Burrat e dheut” – një përmbledhje rrëfimesh jo thjesht humoristike. Krijimet e këtij libri të shtyjnë të mendosh më thellë për gjithçka ndodh me ne dhe përreth nesh.

Ai i evidentoi plagët tona dhe i thumboi fenomenet e dëmshme për njeriun dhe shoqërinë.

Ai iu kundërvu estetikisht pandershmërisë dhe vështirësisë për të qenë i ndershëm në një ambient të ngulfatur nga hipokrizia.

Ai iu kundërvu estetikisht bërjes “sikur”, servilizmit, mashtrimit, gënjeshtrës, shumëfytyrësisë, makutërisë, spiunimit, thashethemnajës, abuzimit në emër të idealeve të mëdha, heshtjes qyqare për përfitime personale, abuzimit me pronën publike, guximit të rrejshëm.

Ai iu kundërvu kaosit brenda dhe jashtë njeriut.

Ai iu kundërvu rrënimit të sistemit të vlerave, që bëhet me kazmat e padukshme të atyre që kanë mandatin ta ruajnë paqen e përhershme ndërmjet njeriut dhe shoqërisë.

Faik Mustafa ishte njohës i gurrës popullore: i proverbave, përrallave, bekimeve, mallkimeve, që i ndërfuti natyrshëm në krijimet e tij artistike, në funksion të asaj që rrëfeu.

Ai u frymëzua nga përditshmëria, nga rrëfimet e zakonshme të njerëzve dhe i stolisi me petkun artistik.

Rrëfimi i tij është i këndshëm, kurse “kthesat” e befasishme, që ndodhin në fund të krijimeve të tij, e krijojnë komiken, apo, sikurse thotë Kanti, “të pritshmen e kthyer në asgjë”.

Ai zgjodhi komiken sepse ajo i ç’tensionon raportet e acaruara në jetë dhe shoqëri.

Ai e dinte se shoqërisë që i mungon humori nuk është e lirë.

Diktaturat e sforcojnë kategorinë estetike të së madhërishmes, pra “të bukurës së frikshme” dhe janë armiqësore ndaj humorit, i cili e karnavalizon jetën dhe na e paraqet mbretin si te përralla e Andersenit.

Besoj se krijimet artistike të Faik Mustafës do të lexohen për sa kohë shoqërisë nuk do t’i mungojnë shfaqjet e liga.

Ndoshta arti nuk do të arrijë ta mposht të keqen, por, siç besonin romantikët, nuk do të lejojë që ta mposht tërësisht të mirën.

Ky ishte edhe misioni i njeriut me vetëdije kritike, me përgjegjësi qytetare, i lirë së brendshmi.

Besoj se tani kur është përmbyllur opusi i tij krijues, ai do të kujtohet më shumë. Ose: do të duhej të kujtohej, sepse na duhet fryma dhe vizioni i tij.

Më erdhi mirë që Faik Mustafa u kujtua në Ditën Botërore të Librit. Ai e deshi librin, ai shkroi libra, ai sakrifikoi për librin dhe besoj se për të do të shkruhen libra.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button