Meta: Rekomandimi i KE-së për negociatat, hap i rëndësishëm

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka theksuar se rekomandimi i Komisionit Evropian (KE) për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) për Shqipërinë, është një hap mjaft i rëndësishëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Meta, duke folur për mediat në Prrenjas, gjatë ceremonisë së inaugurimit të çerdhes së rikonstruktuar dhe mobiluar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), tha se është shumë e rëndësishme që të evitohen polemikat për këtë çështje.

“Së pari duhet t’i gëzohemi rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, sepse ky është një hap mjaft i rëndësishëm. Dhe së dyti duhet të përqendrohemi në thellimin e reformave të 5 prioriteteve kyçe, sidomos për të treguar më shumë vullnet dhe rezultate përsa i takon sundimit të ligjit. Jam i bindur se i kemi të gjitha mundësitë që Këshilli të mbështesë plotësisht këtë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë”, tha presidenti i Shqipërisë.

Meta gjithashtu theksoi se “Mendoj është shumë e rëndësishme të përqendrohemi te demonstrimi i rezultateve në ditët, në javët që vijnë, sepse besoj se kjo do të ishte rruga më e mirë që ky rekomandim i Komisionit të kthehet në mënyrë të sigurt në një vendim pozitiv të vendeve anëtare”.

Ndërkohë sot në Shqipëri ka mbërritur për një vizitë presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili është pritur me një ceremoni zyrtare nga kryeministri i vendit, Edi Rama.

Kujtojmë se disa ditë më parë Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button