Raporti i KE-së në Kuvend, në pritje të fillimit të negociatave – anëtarësimi në BE vetëm pas zgjidhjes së emrit

Ambasadori I Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar, vlerëson se raporti i Komisionit Evropian e ka konfirmuar avancimin e Marrëveshjes së Përzhinës, si dhe zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2016 me çka është dhënë rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, njofton Portalb.mk.

“Është e nevojshme që të lëvdohet koalicioni qeveritar i cili u kthye mbrapa në rrugën drejt reformave. Lëvdata edhe për opozitën pasi që është përkushtuar në proceset reformuese. Ngelet shumë që të mbarohet dhe kompletohet. Rekomandimi është i qartë për nevojën që të zbatohen reformat. Atë që BE do ta bëjë muajt e ardhshëm është vëzhgimi i hapave. Vendet anëtare të E-së do t’i vlerësojnë ligjet reformuese”, ka theksuar Zhbogar.

Euroambasadori e ka lëvduar edhe Marrëveshjen me Bullgarinë, por edhe bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Zhbogar i rikujtoi politikanët se procesi për integrim nuk është trajnim teknik me plane dhe harta të vizatuara, por zbatim i vlerave evropiane.

“Duhet që t’u jepet hapësirë institucioneve që t’i mbarojnë të gjitha detyrat. Kuvendi duhet që të kontrollojë. Strategjia ka theksuar se BE do të bëhet më e fuqishme përpara se të bëhet më e madhe. Patjetër duhet të kemi besim në besueshmërinë dhe përkushtimin e qytetarëve që të arrijmë deri te Evropa demokratike”, ka thënë Zhbogar.

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev, ka thënë se pas vendimit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, menjëherë do të fillojë të përgatisë strukturë negociuese.

Zaev gjithashtu ka thënë se i janë gëzuar rekomandimit të KE-së, por dhe njëkohësisht e vazhdojnë “dinamikën evropiane”. Kryeministri thotë se Qeveria po e përgatit planin “”18”, ndërkaq do të punojë me të gjitha partitë politike.

“Pas miratimit të vendimeve për bisedime në qershor, do t’i përgatisim edhe negociuesit. Me këtë hap, do të demonstrojmë seriozitet. Këtu do të na duhen njerëzit më të mirë nga të gjithë institucionet. Duhet që ta kemi parasysh se anëtarësimi në BE do të hapë më shumë tema, si reformat në gjyqësor, sundimin e së drejtës, të drejtat e njeriut etj. Sistemi i reformuar shtetëror do të na ndihmojë të ngelemi te sistemi politik evropian”, ka  thënë Zaev.

Profesori dhe eksperti për Ballkanin, Daniel Server tha se çfarëdo që të jetë marrëveshja për çështjen e emrit, miqtë e Maqedonisë do të vazhdojnë ta thirrin dhe do ta njohin gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

“Madje edhe nëse i bëni të gjitha reformat që i kërkon Bashkimi Evropian, a do të jetë Athina edhe më tej problem? Po. Keni dy mënyra për më tej: e para është spiralja rënëse dhe të jeni të varur nga Rusia, diçka që do të sjell ndarje, ndërkaq tjetra është spiralja e cila dërgon lartë, pra pranimin e kushteve për anëtarësim në BE dhe NATO. Tani mënyra e vetme për hyrje në BE dhe NATO është nëpërmjet Athinës. E di që është e rëndë dhe e dhimbshme, por patjetër duhet që të gjeni ndonjë zgjidhje e cila do të jetë diku në mes”, tha Server.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi tha se këtë vit Maqedonia nuk do të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO, por vetëm duhet të fillojnë.

Grubi më tej tha se ky rekomandim dallon nga ata shtatë të tjerët, sepse Maqedonia dhe Brukseli kanë të njëjtin qëllim. “Opozita, pozita, të rinjtë, të moshuarit, shqiptarë, maqedonas, janë vendosur për një qëllim, për një jetë më të mirë”, ka thënë Grubi.

Ai shtoi se janë të kënaqur që përfundimisht e kanë kuptuar se nuk mund të ecet përpara me kontroll mbi mediat, rektoratet, profesorët, studentët, organizatat, mësuesit, prokurorët dhe gjykatësit, janë arritur reformat kyçe dhe me këtë sipas tij, është kthyer besimi i shteteve anëtare të NATO-s dhe BE-së në Maqedoninë.

Ndryshe, Maqedonia ka marrë rekomandim të pakushtëzuar në raportin e KE-së, por vendimi përfundimtar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, Këshilli i Evropës do ta sjell në qershor.

Maqedonia mori rekomandim për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button