McUniversiteti

Ali Pajaziti

Ali Pajaziti

Para do kohe me rastin e promovimit të një libri ishim mysafir në një unversitet kosovar privat dhe përshtypja e parë ishte infratruktura mbresëlënëse. Sportele, klasa, bibliotekë, dysheme ultra-moderne, stafi administrativ  bardh e zi, strikt me kollare, kafiteri dhe restorant hotelierik. Njehesha si në Erasmus të Roterdamit. Ngado që të lëvizje cilësi materialesh, mjedis i shoqërisë së konsumit. Me një fjalë hapësirat e shërbimeve jashtëakademike të bënin për vete pa marrë parasysh moshën. Për tjetrën pjesë, përmasën akademike, s’them gjë sepse  aty qëndruam vetëm një ditë. Dita ditës po ndryshojmë, dhe në këtë drejtim edhe vatrat tona të arsimit të lartë. Bum universitar, studime masovike.  Ndryshime në kohën e ndryshimeve globale, në kohën e gjeneratës i (i-gen) dhe alpha (Alpha gen), në kohën e të rinjve që kohën e kalojnë në lojëra virtuale, që më pak lexojnë libra, që thuajse hiç, gazeta (ne dikur ditën e fillonim duke lexuar disa syresh, kur s’kishim para, në bibliotekë), që me smart-fonët, iPadët në dorë bien të flejnë në dy të natës, duke surfuar nëpër mediat sociale, që janë gjendje t’i transferojnë të dhënat dhe njohuritë  në sekonda…

Njeriu mëson sa të jetë gjallë. Këtyre ditëve, duke redaktuar një libër të një sociologu të ri kosovar, që këtë vit pritet të shohë dritën e botimit, u përballëm me një term të ri për ne, atë të Georg Ritzer-it, i cili në vitin 1996 ka publikuar një artikull interesant, McUniversiteti në shoqërinë konsumtore pasmoderne, ku i inspiruar nga libri i tij i 1993-tës McDonaldizimi i shoqërisë, përdor shprehjen McUniversiteti. Ky neologjizëm sipas tij tregon gjendjen kur arsimi dhe procesi arsimor i masovizuar është i përqendruar te përfitimi, parashikimi, llogaria dhe kontrolli, tek triniteti i frymës së mekdonaldizimit: produkte “të lira, efikase dhe racionale”. Sipas Dennis Hayes McDonaldizimi përshkruan një numër të trendeve në arsimin bashkokohor: testet me zgjedhje zëvendësojnë provimet me shkrim (efficiency), tabela si të ligave sportive (Shanghai, Webometrcis) që masin performancat e institucioneve (calculability), rezultatet e mësimit përdoren për të formalizuar të gjitha kurset (predictability), dhe prirja që gjithnjë e më tepër të rregullohen-mbikëqyren aktivitetet klasore të mësimdhënësve (increased control). Ky është profili i universitetit postmodern.

Në kuadër të pikëpamjes që universitetet, të dalë mode (outmoded), të ndërlidhura me restorantet e ushqimeve të shpejta, me megaqendrat tregtare, me cybermallet, studentët  i sheh si mjete të konsumit arsimor,  mekuniversiteti studentët i shikon si konsumatorë të shërbimeve edukative. De facto sikur që McDonald’s ka prishur kulturën e ushqimit të shëndetshëm edhe arsimi i masovizuar dërrmon kulturën e mirëfilltë arsimore.

Sipas Nadolny dhe Ryan (2013), mekdonaldizimi i arsimit të lartë i referohet shndërrimit të universiteteve nga gjeneratorë të dijes në organizata të shërbimit racional. Tani, studentët dhe prindërit  iu qasen universiteteve thjesht si një nga përbërësit e shoqërisë konsumatore.  Nga ana tjetër mësimdhënësit e kuptojnë këtë trend konsumues dhe i mendojnë studentët si blerës kurse arsimin si produkt. Levine në një studim ka konstatuar se (a)arsimi i lartë nuk është në epiqendër një pjesë të mirë të jetës së studentëve, (b) se studentët duan që universitetet të funksionojnë si bankat apo fast-food restorantet. Ata duan shkollim të thjeshtë, efiçent. Kjo koha e Disney universitetit, e të kërkuarit të kënaqësisë, ngjyrave, zbavitjes, lojërave me shenja, shkëmbimit simbolik, vardisjes, e detyrimit për të eliminuar sa të jetë e mundur negativitetin, kryesisht duke lehtësuar arritjen e diplomave, trendet drejt inflacionit të notave (Ritzer, 1996) Ky është profili i universitetit postmodern. Ndërkohë kampusi universitar shpërqendrohet në satelitë më të vegjël, të vendosur nëpër hapësira si të qendrave tregtare. Ndërkohë teknologjia e avancuar e lehtëson akcesin deri te materialet e kursit nga shtëpia, pra mund të tekstet “konsumohen” nga një gjeografi e largët, është shfaqur ligjërimi në net.  Këto universite ofrojnë edhe forma hiperreale të arsimimit. Funksioni kryesor i këtij universiteti është riprodhimi i dijes dhe jo gjenerimi i formave të reja, ndërkohë që po shënohet dituria komerciale.  Baudrillard ka parashikuar se në epokën e postmodernes gjithçka do të jetë arsimore, në kuptimin që asgjë nuk do të jerë arsimore. Meqë arsimi i lartë e ka humbur tërheqshmërinë, zgjidhja është te riatraktivizimi i tij duke i magjepsur konsumatorët përmes spektakleve. (Panton, 2001) Koncertet, hepeningjet, ditët e hapura, kurset për flamenko, puntoritë, kampingjet, llogoret brendauniversitare, shkollat verore-dimërore, emrat e çuditshëm (si Ufo, Vitrina), fast-diplomat, fast-doktoratat (madje edhe për 6 muaj) janë sekuenca nga realiteti i mekdonaldizimit të arsimit.

Disa sociologë shprehen se kjo është koha e mosdëshirës dhe mosdijes (non-knowlege), e fundit dhe vdekjes së arsimit të lartë. Intelektualët e janë “profetë socialë”, siç është edhe Ritzer, ndërsa popujt e avancuar, i ndërmarrin masat për të ndryshuar kursin në rast të shkarjeve dhe dekadencës, që është evidente edhe në arsmin universitar. Angus Kennedy ka një artikull të titulluar “Përtej McUniversitetit” (Beyond McUniversity, 2017), ku flet për atë se “si në fakt duhet të jetë universiteti”. Ku jemi, ne, sa e trajtojmë të ardhmen e universiteteve tona në këtë kohë ndryshimesh marramendëse?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP