Sytë e tu si gurë nefriti

Vezullojnë si drita mbi syprinë uji.
Mëngjesit të bukur të ditës që lind.
Në sytë tu drita rrëzohet e qeshur e më pas këndon.
Në supe, drurit ku në vend gjethesh ka zogjë që pushojnë.
Si dy gurë të çmuar, si dy gurë nefriti, të dashur,
të zjarrtë e t’pa fe si e verteta.
Kanë ngjyrën e mëllagës së blertë,
si yllësia e muzgut në pranverë.
Kopshtit, gjetheve, lëndinave e pyjeve.
Këtu përkundet stina e pasigurtë.
Dëshira e madhe për arritje larg.
Atje, ku bota si sedefet n’gastare shkëlqen e t’verbon.
Atje, verë banë kur dimër është këtu.
Sytë e tu ushqehen me gënjeshtra, andrra e përrallat.
Pasqyre të kësobotshme – porta të tjetërbotshme.
Dy herë e huaj, dyqindë herë më t’madh e ke mundimin.
Oh, ime bijë!
Mjafton një rrahje çerpikësh e të vezullojnë
lotin varur n’qepallë, e afshin mbi hapat e stinës.
Lum fjalësh t’shpejta si reja që derdhen.
Drita thyhet e digjet me ngadalë si zjarri para se të shuhet.
Atje, ku ti ndodhesh, atje ka hije t’vendit me një turmë zogjësh,
që drita e diellit me një rreze i shpërndanë.
E, mua kjo gjë fort po m’dhemb.
Nanë jam e m’frikon.
Qëkur shkove vetmia gropë mu hapë gjoksit.
Me mua bie, me mua zgjohet shtratit.
Shok jete mu ba.
Për lëkurë mu ngjitë, si ushujzë m’ha shpirtin.

Sytë e sime bijë. Sa t’bukur janë. Sa t’thellë.
T’paanë si oqeani Atlantikut.
Edhe kur ajo qesh.
Edhe kur qanë.
Edhe kur këndon.

 

Nga Fakete Rexha

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button