Vetëmjaftueshmëria e xhuxhëve të Ali Podrimjes

Ëndrra e Evropës së bashkuar është e kahmotshme, po sendërtimi i saj praktik është i kohës sonë. Mjerisht, sa herë afrohet finalizimi i këtij projekti, lindin dhe dyshimet për paqëndueshmërinë e Evropës unike, të përbërë prej superfuqishë dhe shtetesh xhuxhe, prej sistemesh kapitaliste dhe feudale, prej demokracishë dhe diktaturash demokratike, prej traditash pluraliste dhe praktikash moniste, prej të pasurish dhe skamnorësh, prej qytetërimesh të konsoliduara dhe bashkësishë të prapambetura, prej shteteve të së drejtës me liri të gjithanshme dhe prej sallamadive ku ligjin e bën hajduti, prej pushtetesh në shërbim të popujve dhe prej popujsh në shërbim të pushtetit, prej vendesh që e duan vërtet bashkimin dhe prej atyre që e thonë këtë vetëm pse nuk kanë nga t’ia mbajnë, prej atyre që bashkimin e shohin si mundësi për forcimin e gjithsecilit anëtar dhe prej parazitëve që integrimin e kuptojnë si mundësi jete pa pikën e djersës…

Evropa është ëndërr edhe e shqiptarëve, të cilët bashkë me disa vende të tjera ballkanike presin përpara dyerve të saj gati tri dekada të plota. Kjo pritje është vetëm 10 vjet më e shkurtë se kohëzgjatja e dergjjes së tyre nën diktaturat e egra moniste, të cilat u shembën me shpresën e madhe se kontinenti mëmë nuk do t’i lë aq gjatë mbi urën e tranzicionit me të panjohura të shumta për të ardhmen. Këtë situatë njerëzit e thjeshtë e përjetojnë si kurthim në udhëkryqin me rrugë qorre, si qëndrim pezull në ajër: as te hapa, as te hupa.

Shi për këtë është i kuptueshëm gëzimi njerëzor për sihariqin e fundit të shpërfaqur nga diplomatët e Bashkimit evropian, që rrit shpresat e shqiptarëve se bërja pjesë e kontinentit tonë është më afër se kurrë. Kjo është e natyrshme, sepse shqiptarët, si asnjë etni tjetër, jetojnë të shpërndarë pikë-e-pesë gjithandej vendeve të Ballkanit dhe jo vetëm. E panatyrshmja, ndërkaq, qëndron gjetiu. Ajo banon në mjegullnajën që shpërndajnë politikanët entuziastë, duke pohuar se shqiptarët (Shqipëria dhe Kosova, para së gjithash) nuk kanë nevojë të bashkohen, sepse do t’na bashkojë Evropa. Deklaratat e këtilla i joshin të painformuarit, që sigurisht janë në përqindje më të madhe në raport me dyshimtarët. Këta të fundit, në veçanti intelektualët mendjehapur, e kanë për obligim moral t’u flasin bashkëkombasve për grackat reale dhe koston e integrimit me të tjerët, para se të integrohen me vetveten. Ata duhet ta shpjegojnë qartësisht se, hiq monedhën e përbashkët, shtetet e interesuara për Evropën e bashkuar inegrohen si të pavarura, me kufij të qartë dhe të pranuar ndërkombëtarisht, me kushtetuta, hymne e simbole të veçanta, me gjuhë dhe emra zyrtarë, me identitete konkrete, me ushtritë dhe policitë e veta, me politika dhe pavarësi të mjaftueshme brenda bashkësisë së madhe të quajtur Evropë, nga e cila  mund të dalin kur të kenë qejf, ashtu siç veproi Anglia.

E pranoj: mendja ime është mendje e një mësuesi letërsie, që sigurisht nuk funksionon si ajo e një politikani, por druaj nga tagri që mund t’ia paguajmë nesër mendësisë së çatrafiltë, që, pikërisht tani, po intensifikon përçarjet brendashqiptare. Në mos besofshi, ndiqni deklaratat inatçore të kryepolitikanëve dhe të shumë intelektualëve opinionbërës të Kosovës dhe Shqipërisë, që trumbetojnë, më zëshëm se armiqtë tanë, kombe, gjuhë dhe identitete të shpifura shqiptarësh dhe që, në rast të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, parashikojnë shpëthimin e luftërave vëllavrasëse dhe idiotësira të tjera, të cilat mund t’na bëjnë të përqyremi me qemane, ashtu si kemi vepruar një dajm pas tkurrjeve të oborrit tonë të natyrshëm.

Shi për këtë, them se është koha e vendimeve të esëllta të lidershipit shqiptar, që duhet ta ketë të qartë se idetë përbashkuese janë legjitime dhe të pavdekshme, jo vetëm për të gjallët, por dhe për të vdekurit dhe për ata që akoma nuk kanë lindur. Dëshmi për këtë është bashkimi i gjermanive, me forcën e të cilave nuk maten dot shtetet xhuxhe të Ali Podrimjes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button