Seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan, DioGuardi: Arritja e barazisë etnike në Maqedoni është në rrezik

Ballkani Perëndimor ishte sërish në qendër të diskutimeve në Kongresin amerikan ku nënkomiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA-së mbajti një seancë dëgjimore, transmeton INA. Ndonëse tema kishte të bënte kryesisht me debatet mbi arritjet e Marrëveshjes së Dejtonit në qëndrueshmërinë e Bosnje-Hercegovinës, të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, sidomos të atyre në Maqedoni, u kthyen shumë shpejt në qendër të vëmendjes.

Ishte Shirley Cloyes DioGuardi, ekspertja e çështjeve ballkanike ajo që solli në sallë përpara kongresmenëve të pranishëm faktin se si shqiptarët në Maqedoni, ndonëse janë në numër të madh si komunitet, me rreth 30 deri në 40 për qind të popullatës së përgjithshme, ende nuk gëzojnë të drejta të plota, siç është ajo e përdorimit të gjuhës, apo trajtimit si qytetarë jo të dorës së dytë. Duke vënë theksin te paefektshmëria e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila zgjidhi luftën në Bosnje por nuk arriti të zgjidhë konfliktin në Ballkan, zonja Cloyes DioGuardi shprehu qëndrimin se SHBA duhet me patjetër që të fokusohet së pari në çështjen e Maqedonisë.

Duke shpjeguar historikun e votimeve në Parlament për miratimin e gjuhës shqipe, si dhe platformën e shqiptarëve, ajo vazhdoi duke thënë se: “Çështja e dytë më e rëndësishme e platformës së shqiptarëve është decentralizimi i buxhetit fiskal. Dhënia fund e diskriminimit ndaj shqiptarëve, duke u garantuar mundësi të njëjta ekonomike dhe mundësi rritjeje sociale zonave me shumicë shqiptare, do të çojë në një reduktim të ndjeshëm të mundësisë për një konflikt në të ardhmen. Çështja është nëse SHBA dhe Bashkimi Europian do të ndërhyjnë për të negociuar një plan për arritjen e barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve përpara se Maqedonia të pranohet në NATO.”

Pas seancës dëgjimore, ish-kongresisti Joe DioGuardi, kryetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane theksoi ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve INA rëndësinë e këtij diskutimi dhe zhvendosjen e vëmendjes nga Bosnja në veçanti, në çështjen shqiptare, veçanërisht të asaj në Maqedoni.

Të pranishëm në këtë seancë ishin edhe shqiptaro-amerikanë, me origjinë nga trevat shqiptare në Maqedoni, të cilët kanë dhënë ndër dhjetëra vite kontributin e tyre të rëndësishëm për çështjen kombëtare, si pjesë e diasporës në SHBA. Këtë herë, teksa i dëgjon të flasin, vë re se sipas tyre kupa është mbushur dhe nëse nuk do të ketë një ndryshim gjithëpërfshirës të qasjes së maqedonasve ndaj shqiptarëve nisja e një konflikti të ri është e pashmangshme.

Pollozhani: memorandumi i intelektualëve shqiptarë mori rrugën e Kongresit Amerikan

Memorandumi që u përpilua ditë më parë nga disa intelektualë shqiptarë për të precizuar dhe avancuar statusin e shqiptarëve në Maqedoni, sipas asaj që njoftoi njëri nga nënshkruesit e këtij Memorandumi, Shpëtim Pollozhani i njëjti ka marrë rrugë edhe nga Kongresi Amerikan në seancën dëgjimore që u mbajt më 18 prill të 2018-s.

“Në një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, pranë Komisionit të Jashtëm për Evropën Juglindore, të udhëhequr nga kongresmeni Dana Rohrabachet; në rend dite ishte edhe Memorandumi i intelektualëve shqiptarë.
Në seancë referoi Shirley DioGuardi. Ajo e apostrofoi (sipas përmbajtjes të Memorandumit) Kushtetutën unitariste si burim i të gjithë të këqijave dhe nevojen për ndryshimin e të njëjtës. Në vazhdim ajo i interpretoi dhe i arsyetoi edhe të tre emrat (sipas Memorandumit), të cilat janë: Republika Shkupi, Republika Qendrore e Ballkanit dhe Republika Multietnike. Gjatë seancës ajo parashtroi dhjetra raste në botë ku emri i shtetit nuk e merr emrin e asnjë etnie”, tha Pollozhani, përcjell Portalb.mk.

Për të lexuar të plotë Memorandumin e Intelektualëve Shqiptarë lexoni në linkun më poshtë.

Letër e hapur Qeverisë: Çfarë kërkojnë shqiptarët për tu zgjidhur kontesti i emrit!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button