KE: Ka përparim në lirinë e shprehjes, është zvogëluar presioni mbi gazetarët

Klima për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes është përmirësuar, me një debat më të hapur politik dhe raportim më kritikues nga mediat. Është vërejtur një rënie në presionin ndaj gazetarëve. Raportimi nga fushatat zgjedhore dhe më i balancuar se më parë. Reklamimi i qeverisë është ndërprerë. Kyçe është që pushteti të praktikojë zero tolerancë ndaj të gjitha incidenteve të sulmeve fizike dhe verbale ose kërcënimeve ndaj gazetarëve, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë, i cili u publikua dje.

Sipas seksionit për lirinë e fjalës, Maqedonia është në një nivel të caktuar të gatishmërisë në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka bërë përparim të dukshëm që nga mesi i vitit 2017.

“Korniza ligjore në pjesë të madhe është harmonizuar me “acquis” dhe me standardet ndërkombëtare. Ndryshimet në Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike janë përgatitur në konsultim me palët relevante të interesuara. Ekziston një klimë e përmirësuar për mediat dhe gazetarët janë më të përgatitur për t’i kritikuar abuzimet e figurave publike dhe censurën. Sidoqoftë, mbeten sfida dhe duhet zbatuar zero tolerancë ndaj abuzimeve fizike dhe verbale ose kërcënimeve ndaj gazetarëve. Transmetuesi publik i radiodifuzionit duhet të reformohet dhe të përforcohet pavarësia e tij. Vendi pjesërisht i zbatoi rekomandimet e raportit për vitin 2016, sidomos ato që kishin të bëjnë me heqjen e reklamave qeveritare dhe zvogëlimin e presionit mbi gazetarët dhe mediat, gjë që mundësoi raportim më të balancuar “, thuhet në raport.

Komisioni Evropian rekomandon vazhdimin e reformave që kanë të bëjnë me transmetuesin publik të radiodifuzionit dhe përforcimin e pavarësisë së tij. Potencohet edhe ndërmarrja e masave për ta inkurajuar raportimin objektiv dhe diversitetin e pikëpamjeve në media, si dhe për ta inkurajuar sjelljen profesionale nga të gjithë aktorët e medias.

Poashtu potencohet edhe veprimi adekuat i organeve të rendit dhe i autoriteteve gjyqësore në rastet e dhunës kundër gazetarëve.

Komisioni Evropian thekson se qeveria ka bërë përpjekje që të jetë më transparente dhe gazetarët tani kanë qasje falas në informata dhe dokumente, që ishte përcaktuar në Reformat urgjente prioritare.

Sa i përket kërcënimeve ndaj gazetarëve, vërehet se ka një rënie të presionit mbi gazetarët, si rezultat i përmirësimit të klimës politike. Potencohet marrëveshja e qeverisë me Shoqatën e gazetarëve në dhjetor të vitit të kaluar për t’i hetuar rastet e gazetarëve të sulmuar. Megjithatë, siç është theksuar në Raportin e përparimit të Maqedonisë, regjistrimi i sulmeve ndaj gazetarëve është i pamjaftueshëm dhe kanë filluar shumë pak hetime.

“Është thelbësore që autoritetet të zbatojnë tolerancë zero ndaj të gjitha incidenteve të dhunës fizike dhe verbale ose kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe ato të trajtohen në mënyrë adekuate nga policia dhe Prokuroria publike. Ka 21 raste të reja të denoncuara të kërcënimit ndaj gazetarëve dhe 13 raste gjyqësore ku janë të përfshirë gazetarët. Disa gazetarë ishin midis të lënduarve në dhunën në Kuvend më 27 prill. Agjencia për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike regjistroi raportim joprofesional nga ana e transmetuesit publik të radiodifuzionit dhe një televizion privat në lidhje me këto ngjarje”, thotë Komisioni Evropian.

Sa i përket ndryshimit të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike, të cilat i miratoi qeveria në shkurt të këtij viti dhe tani propozim-ligji është në procedurë parlamentare, thuhet se disa palë të përfshira kanë shprehur mospajtimin e tyre me disa ndryshime, sidomos në aspektin e financimit nga buxheti shtetëror. Korniza ligjore për gjuhën e urrejtjes sipas KE-së përgjithësisht është harmonizuar me standardet ndërkombëtare, por zbatimi duhet të përmirësohet. Gjuha e urrejtjes onlajn edhe më tutje është e parregulluar.

Agjencia për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike (ASHAAM) thuhet se rolin e saj të mbikëqyrjes e kryen në mënyrë më efikase, duke përfshirë edhe periudhën e zgjedhjeve. Vërehet se ASHAAM-i ka filluar procedurat për raportimin e pabalancuar dhe shkeljen e kufizimeve për reklamimin e paguar politik.

Në lidhje me raportimin e disa televizioneve private thuhet se cilësia është përmirësuar, por megjithatë në disa media ende ka nivel të ulët të standardeve profesionale, me çka dëmtohet objektiviteti i informimit.

“Monitorimi i Këshillit për etikë në media i Maqedonisë tregon se nevojitet punë e mëtejshme për t’i përmirësuar standardet etike. KE-ja thekson se gazetaria hulumtuese është ende në korniza të kufizuara, si dhe se ka një rënie të rasteve të ofendimit dhe shpifjes kundër gazetarëve, me 13 raste të reja në vitin 2017 “, thuhet në raport.

Raportimi i transmetuesit publik, RTM-së,  ishte më i balancuar në fushatat e fundit zgjedhore në krahasim me të kaluarën, e poashtu theksohet se kjo shtëpi informative e ka miratuar Kodin e Etikës. Megjithatë, nevojiten përpjekje shtesë dhe një strategji afatgjate për ta rritur pavarësinë dhe objektivitetin e informimit, si dhe qëndrueshmërinë financiare të RTM-së.

Në aspekt të financave të saj, në kontekst të financimit të buxhetit, thuhet se duhet vazhdimisht të ndiqet zbatimi i reformave për t’u parandaluar ndikimi i drejtpërdrejtë ose indirekt politik që do ta dëmtonte pavarësinë e shtëpisë informative dhe do të të mundësonte sigurim të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe të mjaftueshëm të mjeteve.

Për ASHAAM-in dhe institucionet e tjera thuhet se nuk kanë kapacitete për t’i identifikuar dhe për t’i parandaluar bashkëpunimet ndërmjet pronarëve të mediave dhe politikanëve, gjë që ndikon në politikën redaktuese.

Duke theksuar se qeveria e re e ndaloi reklamimin qeveritar në mediat komerciale, poashtu thuhet se është zvogëluar numri i mediave ka rënë me mbylljen e MPM-së.

Sa i përket organizatave profesionale, thuhet se nuk ka përparim në mbrojtjen nga ana e sindikatave për kushtet e punës së gazetarëve, gjë që i bën gazetarët të praktikojnë vetëcensurim dhe punojnë me kontrata me afat të pacaktuar.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, “Аgora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button