Ruçi: Rekomandimi inkurajim për të vijuar më tej punën në procesin e integrimit

“Rekomandimi për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian hap një kapitull të ri për Shqipërinë dhe është një vlerësim dhe inkurajim për të vijuar më tej punën në procesin e integrimit”, tha kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, gjatë seancës së sotme plenare.

Ai shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për të gjithë personalitetet evropiane që kanë mbështetur Shqipërinë në rrugën e vështirë të përmbushjes së kritereve të integrimit.

Ruçi po ashtu falënderoi të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri që për vite me radhë kanë qenë syri, veshi dhe mendja i kancelarive të tyre.

Ruçi, siç transmeton ATSH, u drejtoi atyre lutjen që të jenë avokatë të Shqipërisë edhe në vijim në kancelaritë e tyre, pasi sipas tij, shqiptarët në BE janë vlerë e shtuar për të gjithë popujt e BE-së.

“Njëherësh në jemi deputetë dhe në këtë sallë kanë qenë kolegët tanë para nesh, të cilëve u përcjellim falënderimet për të gjithë kontributin që kanë dhënë në vite, veçanërisht drejtuesve të komisionit parlamentar të Integrimit dhe atij të Jashtëm. Përshëndesim të gjitha qeveritë në vite, ministra, kryeministra, veçanërisht ata që kanë drejtuar ministrinë e Integrimit dhe atë të Jashtme, që kanë dhënë kontribut të vyer për Shqipërinë në këtë proces”, tha Ruçi.

Kryetari  i PD-së, Lulzim Basha në fjalën e tij në Kuvend tha se rekomandimi që bëri Komisioni Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë tregon që jo vetëm ne aspirojmë në Europë, por dhe Evropa është e vendosur të na bëjë pjesë të saj.

“Integrimi në BE është e vetmja mënyrë për të ndërtuar një demokraci të vërtetë dhe një shtet të së drejtës. Rruga europiane është e vetmja rrugë për të ndarë politikën nga krimi dhe për të çliruar Shqipërinë nga droga. Për këtë, PD ka kërkuar me forcë kudo në Europë hapjen e negociatave me BE sepse Bashkimi Europian është shpëtim nga katastrofa ekonomike sociale”, tha Basha.

Sipas Bashës populli shqiptar dhe mbi të gjitha politikanët shqiptarë duhet të reflektojnë mirë që ky rekomandim të mos mbetet një copë letër si para dy vitesh.

Ndërkohë, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se hapja e negociatave është një lajm i madh për shqiptaret.

“Nuk kam asnjë dyshim që si 25 vite më parë shqiptarët duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe s’ka më dilema për përkatësin tonë evropiane, por ajo që s’kemi të qartë është integrimi real në Bashkimin Evropian dhe jo një show me fotografi për të bindur shqiptarët se jemi pjesë e Evropës”, tha Kryemadhi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button