Mogerini nga Kuvendi i Maqedonisë: na pret pjesa tjetër e video-lojës

10:10- “Është koha të fillojmë të vrapojmë, së bashku me ne dhe bashkë me fqinjët e tuaj. Kështu do të arrijmë shumë larg”, kështu është shprehur sot përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Federika Mogerini nga foltorja e Kuvendit të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Ajo gjithashtu tha se reformat që u arritën deri tash në Maqedoni për të cilat u dha rekomandimi i pakushtëzuar, duhet të kalojnë në fazë tjetër që ajo e quajti pjesa tjetër e video-lojës, ku e vetmja gjë që mund të humbet është besimi i qytetarëve.

“Ajo çfarë na pret është pjesa tjetër e video-lojës. Realizimi i reformave ka dy fjalë magjike përmbajtje dhe thellim i tyre në praktikë. Por jam e sigurt se një punë e tillë si kjo e deritashme do të sjellë rezultate edhe në këtë pjesë. Nuk ka rrezik që mund të humbni diçka si shtet, por e vetmja gjë që mund të humbni është besimi i qytetarëve”, tha Mogerini.

“Pragmatizëm, vizion, mision, vullnet dhe motiv”, këto janë tiparet e Maqedonisë evropiane sipas Mogerinit.

Veprimet e Maqedonisë hapën rrugë për zhvillim rajonal

Ajo tha se hapat që u morën nga Maqedonia nuk përcaktojnë vetëm fatin e Maqedonisë, por tërë rajonit.

“Por të gjithë ta pranojmë se të gjitha hapat që i morët nuk janë vetëm për zhvillim të brendshëm por edhe të marrëdhënieve bilaterale dhe rajonale”, tha Mogerini.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini

Qeveria e Maqedonisë ta përfshijë opozitën në pushtet

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini tha sot se BE-ja duhet të ju falënderohet Maqedonisë për punën që e ka bërë, por ajo tha se tash është koha që Qeveria e Maqedonisë t’i hapë dyert për opozitën.

“Unë kam marrë falënderime për dhënien e rekomandimit të pakushtëzuar, por jemi ne, BE-ja që duhet të ju falënderohemi juve për arritjen që e keni bërë. Kjo është bashkim i kapaciteteve të pozitës dhe opozitës. Unë jam e sigurt se kjo është vetëm një hap i një rrugëtimi të gjatë që do të jetë bazë për përparim për në të ardhmen. Edhe opozita dhe qeveria ka për detyrë që t’i bashkojnë forcat. Qeveria duhet të hap dyert për përfshirje të opozitës në qeverisje dhe bashkërisht me faktorët tjerë keni për detyrë që t’i realizoni reformat. E keni përgjegjësi kolektive që të bashkëpunoni dhe të keni rezultate në këto prioritete shtetërore”, tha Mogerini para deputetëve të Maqedonisë.

Çështja e emrit Maqedoni – Greqi: zgjidhja është bashkim i shteteve të Ballkanit

Në lidhje me procesin e zgjidhjes së emrit Maqedoni – Greqi, Mogerini tha se arritja e zgjidhjes nuk do të thotë vetëm hapje e rrugës së Maqedonisë për anëtarësim në BE por edhe bashkim i shteteve të rajonit.

“Jam e sigurt se bisedimet me Greqinë janë në rrugën e duhur dhe se zgjidhja do të mundësojë bashkimin e shteteve të rajonit. Ne flasim për zgjerim, por duhet të mendojmë për bashkim. Investoni në talentin e të rinjve të talentuar dhe të motivuar dhe në dëshirat për të qenë pjesë e BE-së. Kjo është vlerë si për ju, por edhe për ne”, tha Mogerini.

Mogerini kujtoi krizën politike dhe sulmin e 27 prillit të 2017-s në Kuvendin e Maqedonisë

Mogerini edhe njëherë përsëriti se Maqedoni iu është kthyer rrugës për hyrje në BE e veçanërisht nëse kthehemi në rrugën që ka kaluar Kuvendi i Maqedonisë para një viti, sulmin e 27-prillit.

“Kur kthehem në situatën para një viti dhe në gjendjen e këtij institucioni ku jemi tash, keni kaluar një rrugë të gjatë. Keni kaluar krizën politike më të keqe që keni pasur ndonjëherë dhe kjo është një arritje e madhe që duhet të krenoheni të gjithë. Kjo është arritje e Kuvendit, e gjithë institucioneve, e shoqërisë civile, kryetarit të Kuvendit dhe shtetit të Maqedonisë”, tha Mogerini.

Nga ana tjetër, fjalimi i Mogerinit në Kuvendin e Maqedonisë u parapri me protesta nga iniciativa qytetare “Drejtësi për Almirin” të cilët protestojnë për rikualifikimin e rastit të vdekjes së katërvjeçarit nga Kumanova, Almir Aliut. Ata sot protestojnë për t’i raportuar Mogerinit se drejtësi nuk ka në Maqedoni.

Në konferencën që e mbajti dje në Qeverinë e Maqedonisë, Mogerini u shpreh e kënaqur që opozita maqedonase, VMRO-DPMNE është kthyer në Kuvendin e Maqedonisë.

Ajo gjithashtu shprehu kënaqësi se Maqedonia është kthyer në rrugën për anëtarësim në BE dhe shtoi se rekomandimi i pakushtëzuar nuk është meritë e vetëm Qeverisë, por i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, institucioneve tjera dhe opozitës.

Mogerini – Zaev: Mund të festoni gjysmë dite, por më pas të ktheheni në punë (VIDEO)

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button