Fillimi është pjesa më e vështirë, pjesa tjetër është thjesht këmbëngulje…

Shumica e njerëzve janë të fiksuar pas perfeksionit. Mirëpo kjo përpjekje për t’i bërë gjërat në mënyrë perfekte, ndonjëherë i pengon njerëzit të bëjnë progres, sepse e mendojnë çdo gjë në detaje duke mos i lënë kohë hedhjes përpara të hapave të tyre drejt suksesit në jetë. Nga ana tjetër, nëse shpenzohet kohë me ide të reja dhe ato nuk vihen në praktikë sepse personit i duken joperfekte, ajo kohë është e humbur dhe mund të përdorej për një arsye tjetër më të vlefshme dhe më të efektshme.

Edhe ti do të bësh gabime një ditë, do t’i lëndosh të tjerët dhe do të përballosh edhe vetë dhimbje. Gabimet që do të bësh, mund të jenë të mëdha ose të vogla, por ato thuajse gjithmonë mbeten të korrigjueshme. Gjithashtu, një ditë do të përballesh edhe me dështimin, kjo është e pashmangshme. Sado të mbrohesh, dështimit nuk i shmanget dot askush në jetë.

Ndaj, mjaft u kape aq shumë pas perfeksionit. Dështimet janë pjesë përbërëse e jetës dhe e suksesit. Të realizosh një ëndërr apo të arrish një objektiv afatgjatë në jetë kërkon të ndërmarrësh rreziqe. Është e pamundur të arrish diçka me vlerë, pa rrezikuar për ta arritur atë. Bota në vetvete nuk vlerëson aq shumë perfektët, sa vlerëson ata që ndërmarrin rreziqe. Jepi kohë vetes dhe mendohu për aspektet ku je më tepër i aftë dhe fillo të hedhësh hapa të vegjël në atë drejtim. Do të dështosh gjatë këtij procesi, por kjo gjë është normale.

E rëndësishme është të mos ndalesh për shkak të gabimeve, apo rezultateve negative që mund të arrish. Në fakt, kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bësh. Të dorëzohesh dhe të pranosh humbjen. Është shumë më e vështirë të çohesh dhe të vazhdosh të ecësh përpara për të arritur objektivin tënd. Mirëpo, edhe pse është e vështirë, duhet të përpiqesh të nisësh sërish nga e para. Pas çdo gabimi, merr një mësim dhe mos e përsërit më atë gjë. Vepro ndryshe për të arritur atje ku do.

Bota është duke të të pritur. Ajo po pret që ti të ndalosh së kërkuari leje, të ndalosh së dyshuari tek vetja. Ti je personi i vetëm që mund ta nxitësh veten të ecë përpara në jetë. Nuk ke nevojë për perfeksionin. Gjëja kryesore që duhet të bësh, është të mos ndalesh dhe të përpiqesh deri në realizimin e dëshirave të tua.

Për ta ndryshuar mënyrën se si mendon dhe për të të çliruar nga frika e gabimit, ne të këshillojmë këto tri gjëra të thjeshta për të bërë:

  1. Nis një projekt të ri me vetëdijen se është kompleks dhe jo i zakonshëm për ty. Pranoje faktin që do të kesh nevojë për kohë që të arrish në rezultatet e para. Mund të bësh gabime, kjo është normale, por do të kuptosh se vetëm kështu mund të zhvillohen aftësitë e tua.
  2. Kërkoji ndihmë personave të tjerë, kur të hasësh vështirësi. Shumë shpesh i fshehim vështirësitë që po hasim përpara të tjerëve, në vend që të kërkojmë ndihmën e tyre për t’i kaluar ato.
  3. Mundohu të mos e krahasosh veten me të tjerët. Në vend të kësaj, krahaso rezultatet e tua të tashme me ato të një jave më parë, të një muaji më parë, apo të një viti më parë.

Mund të bësh plot gabime. Mundesh edhe të dështosh, por gjëja më e rëndësishme është që ti të reagosh. Kjo është e vetmja gjë që vlen. Asgjë tjetër nuk duhet të të shqetësojë. / bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button