Haradinaj takohet me kryetarin e Këshillit të Ministrave të BeH-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili sot mori pjesë në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor në Shkup të Maqedonisë, zhvilloi një takim me Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiç, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë nga zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se temë të diskutimit në këtë takim ishin paqja rajonale, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik, dhe rruga e përbashkët evropiane e të dyja vendeve.

“Kosova ka interes të ketë bashkëpunim të mirë me të gjitha vendet e Ballkanit dhe Bosnja e Hercegovina është një nga vendet me të cilat ne duhet të kemi partneritet korrekt politik dhe ekonomik. Ne na pret një rrugë e përbashkët, rruga evropiane”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Kurse Zvizdiç, sipas njoftimit, është shprehur se ndërtimi i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor mbetet një synim i përhershëm i Bosnjë e Hercegovinës, bashkë me bashkëpunimin ekonomik mes dyja vendeve.

“Në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë e heqjes së vizave në mes të dyja vendeve, si një hap i domosdoshëm për zhvillimin e raporteve ekonomike, por njëkohësisht edhe për lëvizjen e lirë të shumë qytetarëve, familjarë që jetojnë në Kosovë dhe në Bosnje”, thuhet në komunikatë.

Takimi i sotëm në mes të Kryeministrit të Republikës së Kosovës me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiç, u zhvillua në kuadër të Samitit të Parë Digjital të Ballkanit Perëndimor, që zhvillohet në Shkup të Maqedonisë.

Haradinaj sot zhvilloi takim bilateral edhe me homologun e tij Maqedonisë, Zoran Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button