Për një komb me shpirt krijues

Antropologu francez Claude Lévi-Strauss qytetërimin botëror e kuptonte vetëm si koalicion kulturash në përmasa botërore, ku secila prej tyre do ta ruante origjinalitetin e saj.

Një kulturë pasurohet kur nuk i përjashton ndikimet frytdhënëse kulturore dhe e arsyeton vetveten kur denjësisht merr pjesë në koalicionet e këtilla kulturore.

Ta duash kombin tënd do të thotë që me gjykim kritik të përthithësh vlerat më të larta kulturore, pavarësisht prej kujt krijohen dhe t’i bësh pjesë të sistemit tënd kulturor.

Të duash kombin tënd do të thotë t’i çmosh thesaret e mendimit botëror dhe jo të kesh frikë prej tyre. Ksenofobia është e keqja e një kulture dhe një kombi.

Ta duash kombin nuk është kusht që t’i urresh “të tjerët”. Shovinizmi është shkatërrimtar për një komb.

Dashuri për kombin do të thotë ta përkthesh një kryevepër letrare ose një libër shkencor; t’ia bësh të njohur kombit tënd arritjet më të mëdha kulturore e shkencore; t’ia ushqesh shpirtin me krijimet më të përsosura letrare e filozofike; t’i afirmosh veprat më të mira kombëtare në gjuhë të huaja, pra të marrësh pjesë në koalicionet kulturore me diamantet më ndriçuese të mendjes.

Dashuri për kombin do të thotë t’ia ngjallësh njeriut respektin për dijen, librin, fjalën, që çmohen aq shumë në librat e shenjtë.

Kombit nuk i shërbehet me folklorizëm, me patetizëm, me provincializëm, me mungesë gjuhe, me shpërfaqje përmbajtjesh parake nëpër tubime deliresh.

Kombit nuk i zhvillohet me uniformitet, por me përkushtim, mund e kreativitet.

Kombi nuk zhvillohet pa investime në kulturë, art, shkencë, arsim, shëndetësi, sport.

Kombi nuk zhvillohet kur shkatërrohet sistemi kulturor, arsimor, ekonomik, politik, shëndetësor, civil.

Kombi nuk zhvillohet pa ekonomi të fortë, që njerëzve u mundëson jetë të dinjitetshme.

Kombi nuk zhvillohet pa njerëz të pasur, që janë e mira e kombit kur hapin vende të reja pune.

Kombi nuk zhvillohet kur mësuesit, artistët, shkencëtarët, mjekët, inxhinierët paguhen keq dhe detyrohen t’i harxhojnë energjitë e tyre duke bërë punë të tjera për të mbijetuar.

Kombi zhvillohet nëse në çdo punë investon dashuri.

Kombin zhvillohet kur shkruan një libër të mirë, kur bën një ndërtesë të mirë, një zbulim të ri.

Kombit i shërben bujku që s’e le arrën djerrinë; që fëmijëve u siguron të tashme dhe të ardhme më të mirë.

Kombit i shërben mësuesi i mirë, që meriton respekt deri në përkulje nëse punon me përkushtim.

Kombit i shërben teologu i mençur, që mbjell në shpirtin e njerëzve dashurinë për Zotin, njeriun, familjen, kombin, për të tjerët.

Kombit i shërben mjeku i mirë që te çdo pacient sheh një qenie të papërsëritshme dhe të vlefshme.

Kombit i shërbehet vetëm me përkushtim, metodë, disiplinë, me vlera dhe jo me anarki, robërim mendjeje dhe antivlera.

Kombi zhvillohet kur e kultivojmë ndjenjën për jetë të përbashkët, kur jemi të përgjegjshëm për pronën publike, kur e mbrojmë autonominë e institucioneve dhe nuk heshtim përballë të keqes.

Kombi zhvillohet nëpërmjet të vërtetës, që na bën të lirë.

Kombin e duam kur jemi të përgjegjshëm për veprimet tona; kur nuk e kërkojmë delen e zezë që ta fajësojmë për gabimet që bëjmë dhe fajin tonë e hedhim në një realitet përtej nesh.

Kombin e duam kur mendojmë edhe për brezat që vijnë.

Kombi shkon drejt shuarjes kur i humb lidhjet me të kaluarën e tij. Ideologjia që tentoi ta krijonte “njeriun e ri”, “kulturën e re”, ndonëse dështoi, la pasoja të rënda.

Kombet e qytetëruar e çmojnë traditën, e afirmojnë, por kanë gjykim kritik ndaj segmenteve të saj kur bëhen pengesë për zhvillimin e kombit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Ta duash kombin nuk mjafton vetëm që të thirresh në lashtësinë e tij, por të angazhohesh për të krijuar vlera të reja, të gjesh formula të reja, të kesh synime të reja.

Një komb zhvillohet nëpërmjet shpirtit krijues, kur krijon vlera të reja. Këtë e bëjnë gjenitë e tij, ndaj të cilëve kombet e qytetëruar sillen me respekt e dashuri, madje ua falin edhe disa vese njerëzore.

Kombet mbahet gjallë në kontakt me të “tjerët”. Në dialogim me “të tjerët” ecim përpara, zhvillohemi, por pa e humbur respektin për vetveten. Humbja e kësaj ndjenje e pengon çdo lloj përparimi.

Tjetri jam unë” na mbron nga krenaria e kotë, nga vetëbegenisja, na mundëson të dalim përtej oborrit tonë, na mundëson që atdheun mos ta konceptojmë me përmasa oborri, na mundëson që të njohim gjithë përmasat e botës, na mundëson konkurrim të dinjitetshëm me vlera dhe ide në arenën e madhe të kombeve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button