Nga Kosova kërkohet më shumë punë për përafrim me BE-në

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka prezantuar Raportin e Progresit, i cili thekson se Kosova duhet të bëjë më shumë punë për përafrim me BE-në, transmeton Koha.net. 

Raporti vlerëson se Kosova ka shënuar pak progres në disa fusha ndërsa thekson se në Kosovë nuk është bërë asnjë progres në arsim, mjedis dhe ndryshime klimatike.

Komisioni Evropian është i shqetësuar për vazhdimin e politizimit të administratës publike, mungesës së progresit në çështjet e ruajtjes së mjedisit, gjendjen e papërmirësueshme të sistemit të arsimit, rritjen e papunësisë dhe korrupsionin e përhapur, transmeton Koha.net.

“Nuk ka pasur përparim në arsim, mjedis dhe ndryshime klimatike. Mbetet e domosdoshme që të përmirësohet cilësia e arsimit. Një ligj i ri për arsimin e lartë dhe reformat korrekurale mbeten çështje e pakryer. Sistemi i inspektimit nuk funksion dhe dëmet mjedisore janë të mëdha. Mbetjet e rrezikshme vazhdojnë të shkaktojnë rrezik për njerëzit. Ndotja e ajrit vazhdon të jetë serioze”, ka thënë Apostolova kur ka folur për arsimin, mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Edhe pse ka pritur një raport më pozitiv, Apostolova ka thënë se Raporti i Progresit për vitin 2018 tregon problemet e pa zgjidhura dhe rekomandimet, të cilat duhet të plotësohen nga Kosova.

“Raporti i këtij viti ofron krahasim më të madh ndërmjet vendeve për anëtarësim në BE. Raporti ka dy lloj analiza: Për përparimin e Kosovës deri më tani dhe lidhur me përafrimin e Kosovës me praktikat e BE-së përmes MSA-së. Raporti tregon se ku mbeten problemet dhe ku duhet vepruar”, ka thënë Apostolova në konferencën për media.

“Ka pasur sukses ratifikimi i Demarkacionit. Ishte hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave. Krahasuar me Raportin e vitit 2016 nuk janë realizuar disa rekomandime dhe përsëritën edhe në këtë raport. Vlerësimi nuk është edhe aq sa kemi pritur, por është i qartë për përparimin e arritur. Ne fuqishëm këshillojmë që të fillohet me plotësimin e rekomandimeve”, ka thënë ajo.

“Duhet shumë punë për të kryer obligimet në procesin e përfarimit me BE-në. Ka pasur përmirësime në legjislacion, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit. Kemi shprehur disa shqetësime lidhur me pozitat në agjencitë e pavarura, emërime të tilla të bëhen me merita dhe jo në patronazh. Ka pasur ndikim të panevojshëm të politikës [në emërimet nëpër agjencitë e pavarura]”, ka thënë Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së ka thënë se në Raportin e Progresit është përfshirë edhe deportimi i gjashtë shtetasve turq.

“Në raport thuhet se ky është shqetësim dhe konsiderojmë si shkelje të sundimit të ligjit, sidomos mënyra se si janë deportuar. Kjo është pasqyruar në raport dhe shihet si një prej shqetësimeve”, ka thënë veç të tjerash Apostolova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button