Putin dhe Merkel bisedojnë për situatën në Siri

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kanë biseduar për situatën në Siri dhe për projektin kundërthënës të një tubacioni të gazit në Baltik, ka njoftuar Kremlini.

Gjatë bisedës telefonike, Putin ka kritikuar sulmet ajrore të kryera javën e kaluar nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca në Siri, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Kremlini, transmeton REL.

Ai i ka thënë Merkelit se sulmet ishin “akt i agresionit” dhe kanë shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Më 14 prill, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë goditur objektet e Qeverisë siriane, pas një sulmi të dyshuar kimik në Duma, ku u vranë dhjetëra persona.

Sipas Kremlinit, Putin dhe Merkel kanë theksuar rëndësinë e “një hetimi objektiv” mbi sulmin e dyshuar kimik nga inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.

Rusia pretendon se nuk ka ndodhur asnjë sulm me armë kimike, por nuk ka ofruar të dhëna për këto pretendime.

Dy liderët po ashtu kanë biseduar për projektin “Rrjedha Veriore 2”, një tubacion i gazit, që kalon nga Rusia përmes Detit Baltik për në Gjermani.

Kritikët kanë thënë se ky tubacion i gazit do të rrisë varshmërinë e Evropës nga Rusia për energji.

Shtetet e Bashkuara, Polonia dhe vendet Baltike kundërshtojnë këtë projekt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button