Strategjia e kaosit në Shtëpinë e Bardhë, ish kreu i FBI: “Trumpi imoral, si një bos i mafies”

Janë ditë kaosi në Uashingtonin e Donald Trumpit. Presidenti poston në Tuiter, paralajmëron, tërhiqet, kërcënon, fyen. Dhe fut në rreth vicioz Kongresin, mediat, qeveritë aleate. Të mërkurën më 11 prill, për shembull: kongresmenët republikanë fillimisht kishin lëvduar ‘burrin e shtetit” që kishte vendosur të ndëshkonte Bashar al Assadin. Por menjëherë u futën në alarm, sepse po ky “burrë shteti” do të donte të shkarkonte super prokurorin Robert Mueller, duke hapur një krizë kushtetuese të paprecedentë.

Por jeta publike e “The Donald” është tashmë një zgjatim i jetës private. Siç premton ta konfirmojë libri që pritet të dalë i James Comeyt, drejtori i FB që Trumpi e dëboi në maj të 2017-ës. Shtypi amerikan dje ka botuar disa pjesë. Për superpolicin amerikan, udhëheqësi i vendit është një “figurë imorale, si një bos mafioz, një personazh tërësisht i shkëputur nga e vërteta, që dominohet prej egos”.

Libri përmban një sërë episodesh. Për shembull rrëfen se si presidenti i kërkoi Comeyt që të hetojë jo ndërhyrjet e Moskës, por zërat mbi marrëdhëniet e tij me prostituta ruse. Donte t’i tregonte bashkëshortes, Melania, se këto ishin akuza të gënjeshtërta.

Donald Trump fabrikon vazhdimisht konfuzion, të cilit i shtohet edhe ai që vjen nga e shkuara. Hetimi i Mueller mbi Russiagate është një fshesë me korrent gjithnjë e më e fryrë. Së fundmi ka thithur letrat e sekuestruara Michael Cohenit, avokat dhe ruajtës i sekreteve të Trumpit: marrëdhëniet me pornostare dhe modele, transaksionet e biznesit dhe ndoshta, edhe llogaritë e vërteta financiare të grupit, taksat dhe borxhet.

Udhëheqësi një ditë premton që të dëbojë të gjithë nga Departamenti i Drejtësisë; një ditë tjetër shfaqet i disponueshëm për të bashkëpunuar me prokurorin e tij. Në të njëjtën kohë përpiqet të ndreqë marrëdhënien me Melanian: gjatë pushimeve të Pashkëve në vendpushimin e Mar-a-Lagos ka darkuar dy herë vetëm me të shoqen. Një rekord, thonë.

Vitin e kaluar, pikërisht në këtë kohë, “Uashington Post” botoi një karikaturë që ka mbetur e pakalueshme. Trumpi sapo është kthyer nga udhëtimi në Arabinë Saudite: bankete dhe vallja e shpatave. Tani është ulur në Zyrën Ovale, ndërkohë që vërvit kordhën e kujtimeve duke shkatërruar gjithçka.

E vështirë të thuash nëse ndjek me vetëdije “strategjinë e kaosit”, apo që thjesht nuk di të bëjë gjë tjetër. Rezultati, sido që të jetë, nuk ndryshon. Disa javë më parë, një funksionar rrëfente për Corriere della Sera: “E gjithë administrata e nis ditën me postimet e tij në Tuiter. Por praktikisht askush nuk i konsideron urdhëra ekzekutivë. Më shumë i shohim si pikënisje”.

Eshtë skema që po adopton shefi i kabinetit, gjenerali John Kelly. Nis me një të shtënë, një hiperbolë trumpiane, dhe avash-avash mbërrihet në një zgjidhje më të pajtueshme me standartet e qeverisjes. Problemi është se filtrat bllokohen shpejt. Trumpi nuk e duron dot mbikëqyrjen. “Ai do që të menaxhojë, jo që të menaxhohet”, ka thënë për CNN Roger Stone, lobist konservator, mentor të paktën prej tridhjetë vitesh i ndërtuesit njujorkez.

Tani është momenti i “kabinetit të luftës”, me ish ambasadorin në OKB John Bolton, këshilltar për sigurinë kombëtare dhe Mike Pompeo drejt postit të Sekretarit të Shtetit, i cili dje u paraqit në Senat për dëgjesën e konfirmimit, me këto fjalë: “Lufta është burimi i fundit”.

Bolton që tani ka hyrë në rrugën e përplasjes me Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis. Por do të shohim, është vetëm fillimi i revolucionit të radhës. Edhe fëmijët e presidentit janë të shastisur. Në kulmin e krizës siriane, Trumpi dërgoi të bijën Ivanka, teorikisht këshilltare e parë, dhe bashkëshortin e saj Jared Kushner, për të zgjidhur konfliktet në Lindjen e Mesme në … Peru. Do i bëjnë shoqëri zëvendës presidentit Mike Pence, në samitin e kotë të Amerikave. / Corriere della Sera – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP