Qytetarët e Gutës Lindore presin zgjidhjen e problemeve të strehimit

Qytetarët të cilët janë detyruar të evakuohen nga Guta Lindore nën rrethimin e regjimit të Bashar al Asadit në Siri, kanë vështirësi në sigurimin e strehimit dhe nevojave themelore, raporton Anadolu Agency (AA).

Vazhdojnë migrimet në veri të vendit në kuadër të evakuimeve të detyruara nga Guta Lindore në kryeqytetin e Sirisë, Damask, që ka qenë e përballur me sulmet intensive të regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij.

Qytetarët e Gutës Lindore fillimisht u vendosën në qendrat e përkohshme të strehimit në pjesën periferike të Idlibit dhe Halepit, dhe më pas në rajonin Bab, në rajonin e operacionit “Mburoja e Eufratit”. Por për shkak të vazhdimit të evakuimeve qendrat e përkohshme në rajonet në fjalë u tejmbushën.

Në qendrën e strehimit Abrar në Idlib, banori i Gutës Lindore, Ebu Muhammed, është shprehur për AA se regjimi gjatë evakuimeve iu ka vendosur kushtin që të mos marrin asnjë gjë nga shtëpitë e tyre.

“Aktualisht kemi nevojë për të gjithë elementët e jetesës. Në Idlib një kg sheqer kushton 300 lira siriane (rreth 1 euro). Mund të duket se është lirë, por ne as ato para nuk i kemi”, tha Ebu Muhammed.

Ndërsa një tjetër banor i Gutës Lindore, Ebu Ahmet, ka vënë në dukje se në Idlib janë më të sigurtë se në Gutën Lindore, po ashtu çmimet e shumë produkteve janë më të lira.

“Janë më lirë, por ne nuk kemi para. Në Gutën Lindore nuk kishte jetë. Për 5 vite kemi ngrënë bukë elbi. Pavarësisht asaj njeriu psikologjikisht është më mirë kur jeton në territorin e tij”, tha Ahmet.

Ndër të tjera Ebu Ahmet ka shtuar se “Siç e shihni, ne përdorim tualete të përbashkëta. Vendet janë pa pllaka, me dritare të hapura. Po bëhet shumë ftohtë. Gratë nuk kanë as materialet më të thjeshta. Njeriu dëshiron më të mirën, por nevojiten të ardhura për të marrë një shtëpi me qira”.

Edhe Ebu Rashit një tjetër banor i Gutës Lindore ka vënë në dukje se kanë vështirësi të përshtaten pas evakuimit nga territoret e tyre. “Organizatat e shoqërisë civile këtu me kushtet e tyre të kufizuara fillimisht na vendosën në qendra e përkohshme të strehimit. Nga aty më pas na sollën në një vend tjetër. Pritshmëritë tona nuk janë për kushte të mira, por të paktën të jenë të mjaftueshme për të qëndruar. Këtu ka nevojë për energji elektrike ose panele diellore”.

– Transferohen nëpër xhami dhe shkolla

Muhammed Tıkko, përgjegjësi i qendrës së përkohshme të strehimit Abrar, ka thekuar se në fazën e parë i kanë vendosur nëpër qendrat e përkohshme të strehimit banorët e Gutës Lindore, dhe kur u mbushën kuotat i kanë transferuar nëpër xhami, shkolla dhe një pjesë të tyre në shtëpi.

Tikko ka deklaruar se në qendrat e përkohshme të strehimit sigurojnë paketa ushqimore, ujë të pijshëm si dhe shërbime shëndetësore nëpërmjet një qendre të lëvizshme.

“Organizatat e shoqërisë civile i propozuan shumicës së familjeve që t’i paguajnë dy muaj të qirasë, por banorët e Gutës Lindore kanë dalë nga shtëpitë e tyre vetëm me veshjet në trup. Situata e tyre financiare është shumë e keqe. Si pasojë lindi problemi se si do të jetonin pas dy muajve”, është shprehur Tikko duke bërë të ditur se familjet e vendosura nëpër shkolla dhe xhami nevojën më të madhe e kanë për një ambient ku mund të akomodohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button