“Kosova dhe Serbia pa marrëveshje nuk do të aderojnë në BE”

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë, deklaroi se nëse nuk nënshkruhet marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, as Kosova e as Beogradi nuk do të aderojnë në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për mediat me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri bullgar shprehu shpresën se do të vazhdojë dialogu mes Serbisë dhe Kosovës dhe të japin mundësinë BE-së që të jetë në dijeni se do të pranojë shtete pa probleme.

“Nuk duhet të kthehemi në të kaluarën, në atë periudhë të tmerrshme të Ballkanit. Shpresoj se midis Shkupit dhe Athinës të zgjidhet mosmarrëveshja që miqtë tanë nga Shkupi të aderojnë në BE dhe në NATO. Ne me Maqedoninë dhamë shembullin për miqësi të mirë. Ju jeni të detyruar bashkë me serbët të zgjidhni këtë mosmarrëveshje. Atëherë ju garantoj se BE-ja do të na shohë me sy tjetër neve dhe rajonin tonë”, tha Borisov.

Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Borisov tha se sa i përket njërit nga kriteret që është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, arritjet e Kosovës janë të mëdha.

“Unë e di shumë mirë se në Ballkan këshilla nuk mund të jap, por mund të them vetëm se në qoftë se nuk do të nënshkruhet marrëveshja me Serbinë atëherë as Kosova e as Beogradi nuk do të aderojnë në BE. Kjo është me rëndësi kyçe, sepse BE nuk dëshiron që t’i transferoni problemet tuaja historike e gjeografike që edhe në Këshillin Evropian kryeministrat apo presidentët tuaj të vazhdojnë mosmarrëveshjet e tyre. Kështu që e keni si detyrë që të gjeni kompromisin e arsyeshëm që të shkojmë përpara”, tha kryeministri i Bullgarisë.

– Thaçi: Kosova kërkon të vazhdojë dialogun me Serbinë

Ndërsa presidenti Thaçi theksoi se sa i përket politikës së zgjerimit të BE-së dhe rrugës së integrimit evropian, “rruga e vetme si për ne ashtu edhe për BE-në është që Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së”.

Ai tha se Bullgaria vazhdon të jetë mbështetëse e madhe e zgjerimit të BE-së, duke shtuar se shteti bullgar ka afërsinë dhe shumë gjëra të përbashkëta me ne dhe rajonin dhe e kupton domosdoshmërinë e këtij procesi.

“Samiti i Sofjes i cili mbahet muajin e ardhshëm është mundësi unike mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, sigurisht kjo nënkupton edhe tejkalimin e mosmarrëveshjeve rajonale dhe këtu shpreha edhe vendosmërinë tonë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të lehtësuar nga BE-je. Kosova kërkon jo vetëm të vazhdojë dialogun me Serbinë, por edhe të kthejë atë në një proces të mirëfilltë të fqinjësisë së mirë, pajtimit dhe paqes për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për rajonin”, u shpreh Thaci.

Thaçi po ashtu tha se Kosova i ka plotësuar 95 kriteret e nevojshme për liberalizim të vizave dhe vendimi tani është i autoriteteve të BE- së që të ndodhë liberalizimi këtë vit.

Thaçi u përgjigj edhe në pyetjen në lidhje me sanksionet e BE-së për Rusinë, ku tha se Kosova është njohur nga 116 shtete dhe natyrisht që dëshiron që edhe Rusia ta njoh. Ai tha se njohja e Kosovës nga Rusia do të ishte një ndihmesë e mirë edhe për Serbinë. Sipas tij do të ishte e mirë edhe heqja e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, sepse siç tha ai, Kosova nuk është armik i asnjë shteti në botë.

Presidenti Thaçi e dekoroi kryeministrin bullgar, Borisov, me Medaljen e Presidencës.

Gjatë ditës Borisov është pritur në takim nga homologu i tij kosovar, Ramush Haradinaj dhe do të pritet edhe nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button