Lavrov: Nuk kemi ndërhyrë për të prekur provat e sulmit kimik

Inspektorët e Organizatës ndërkombëtare për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) nuk po mund të hyjnë në zonat e kontrolluara nga Rusia dhe regjimi sirian në qytezën e Doumës, ku do të përpiqen të gjejnë prova për sulmin e supozuar kimik të 7 prillit.

Sulmi la të vdekur dhjetëra vetë dhe detyroi fuqitë perëndimore të nisnin bombardimet ajrore të shtunën. E megjithatë, Rusia vazhdon të këmbëngulë se nuk po ndërhyn në punën e inspektorëve, transmeton TCH.

Në një intervistë ekskluzive për BBC-në, kryediplomati rus mohoi sërish akuzat për përdorimin e armëve kimike në Douma.

“Nuk mund të tregohem i pasjellshëm me krerët e shteteve të tjera, por ju përmendët udhëheqësit e Francës, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, e për të qenë i sinqertë, të gjitha provat që ata cituan bazoheshin në raportime mediatike dhe rrjetesh sociale”, tha Sergei Lavrov.

Sipas tij, 2/3-tat e më shumë se 100 raketave të lëshuara të shtunën në Siri nuk kishin arritur të qëllonin shënjestrat e tyre.

Ministri i Jashtëm rus paralajmëroi se Moska dhe Perëndimi po përballeshin me një situtatë më të rëndë sesa gjatë Luftës së Ftohtë, për shkak të mungesës së kanaleve të komunikimit.

Ministrat e Jashtëm europianë u mblodhën të hënën për të diskutuar mbi situatën në Siri, duke dënuar edhe njëherë përdorimin e armëve kimike.

Kryediplomati britanik, Boris Johnson tha se mësymja ishte gjëja e duhur për t’u bërë, por paralajmëroi mbi mundësinë e hakmarrjes së Rusisë. Ai u shpreh se Londra duhet të marrë çdo masë të nevojshme për t’u mbrojtur nga një kundërsulm i Moskës.

Ndërkohë, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini theksoi nevojën për një dialog të udhëhequr nga OKB-ja. Ajo i bëri thirrje Rusisë dhe Iranit të përdorin ndikimin e tyre te presidenti sirian, Bashar al-Assad, për të “filluar diskutime serioze dhe kuptimplota nën kujdesin e OKB-së, në Gjenevë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP