Shtatë krajli e kalojnë urën
(E PARA)
Të quajtën e hënë e qëndisur me pikëllim e mundim
Kurse ti dole e guximshme nga dollia e marrëveshjeve
Dhe kurrë s’ua vare të dytave dhe të tretave
As ditëve të tjera që vijnë pastaj të lodhura
Nga ato kështjella të ngarkuara me ushtarë
I pate të lënduara fillimet me urat e këputura për gjysmë
Ngase s’kishe si e ngre mburojën
Bota filloi me ty oj e hënë ditë e Hënës
Aty afër llojanit ku i kemi varrosur
Të gjitha frikët nga vdekja
Motër e vëlla ku rrinë para stuhisë dorë për dore
Dhe të shikojnë si nuk e ule kokën
Dhe brenda teje dollitë u bënë të bardha
Pastaj me emocione filloi zgjimi nga fundi
Dora e butë i preku brigjet dhe fushat e zgjuan
Druri i zuri rrezet dhe prej tyre e krijoi blerimin
Të gjithë u ulën para hapit të madh
Kurse dikush të përgjonte nga prita o moj e hënë e parë
Dhe pret rreth pabesisë së ngritur nga hapësira e zezë
Hapësira me ngarkesa rrathësh pa shteg
Me shumë shenja rrotash
Të thanë se si ishe ajo që ishe e para
Dhe ti e para i ndoqe ëndrrat e bukura të mbetura në humnerë
Në kohën e harruar kur ka filluar rrotullimi
Të sulmoi e marta me shtizën e helmtë
Para se të lëshohej krajlia të shkelë mbi butësinë tënde
Duke kaluar urën e parë të këputur përgjysme
Nga vëllai e motra që e ruajnë shullërin e llojanit
(E DYTA)
E di kush je
E martë e dyta me radhë
Qielli të marrtë e të çoftë në fund të paskajshmërisë
Ti e grrithe faqen e bardhë dhe e bëre krijesë të molisur
Dhe me të drejtë të shanin të gjithë
Që dolën e po ua zinin pritën vrapimeve të pacak
Ti more të ikësh lur u shfaq ylli i mëngjesit
Bëri disa rrota si të pjatave fluturuese
Dhe hipe e turpëruar
Para vëllat ie motrës
Ishe i hidhëruar e xixa të dilnin nga dhëmbët
O moj ditë e martë e ngarkuar me heshta dhe mëri
U nise me plane të zeza për kthim
Me pjatat e vendosura mbi tullat e verdha të shtëpive të çmendura
Dhe fillove ta bësh vargun me gurë të zinj
Dhe disa punë të pathëna planifikove
Mbi hartën e Cantelit i cili dinte t’i paraqesë malet
E lëshove qenin e zi
Po atë e goditi vullkani
Hyjnitë e rreme nuk ta shtrinë dorën, moj e martë e zezë
Mbete me lodhjen dhe psherëtimat e ushtarëve
Dhe me krajlin që thyente gishtat
Dhe mbete vazale e poshtërimeve
Nga të gjitha anët u mblodhën ushtritë e krajlisë
Dhe po kalonin urën
E para tyre priste e mërkura me lajmin e mirë
se e enjta e veshur si nuse po vinte
kurse unë dola te porta
kur po i tërhiqje krajlitë urës
dola të të them ty mos u kthefsh
dhe ta përshëndes ardhjen e të enjtes
Poezi nga Asllan SELMANI
Zgjodhi Xhabir AHMETI