Zjarri në Ministrinë e Drejtësisë, MPB ende nuk e ka dorëzuar raportin në Prokurori

Raporti i Ministrisë së Punëve të Brendshme për zjarrin në Ministrinë e Drejtësisë, ende nuk është dorëzuar në Prokurori. Pas dorëzimit të raportit, Prokuroria pritet që të japë urdhër për ekspertizë të provave të marra nga vendi i ngjarjes, njofton Portalb.mk.

“Provat materiale që i kemi nga ekspertiza në vendin e ngjarjes janë në MPB dhe tani e kemi bërë gati raportin. Në afat të shkurtër do t’i dërgojmë njoftim zyrtar Prokurorisë, që ata pastaj të na japin urdhër që të kryejmë ekspertizë të provave”, thonë nga MPB për Portalb.mk.

Nga ana e Prokurorisë thonë se presin që të marrin njoftim nga MPB, ndërkaq më pas do të vazhdojnë me procedurën përkatëse.

“Në Prokurorinë Publike Shkup, deri në këtë moment nuk ka arritur raporti për zjarrin në Ministrinë e Drejtësisë. Pas arritjes të së njëjtit, do ta shqyrtojmë dhe do t’i bëjmë analizë, ndërkaq më pas do të miratohet vendim prokurorial për procedurën e mëtutjeshme”, thonë nga Prokuroria për Portalb.mk.

Prokuroria në koordinim me policinë, duhet që të konstatojë arsyet e zjarrit, dëmin e shkaktuar material, ndërkaq do të duhet që të deklarohet edhe nëse gjatë zjarrit është bërë shkatërrim eventual i dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.

Ndryshe, javën e kaluar, gjatë mesditës, kati i katërt i objektit të Ministrisë së Drejtësisë është kapluar nga flakët. Njësitet e zjarrfikësve kanë arritur që ta lokalizojnë zjarrin, ndërkaq nuk ka pasur persona të lënduar.

Objekti i Ministrisë së Drejtësisë ishte një ndër objektet që u vesh me fasadë baroku në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button