A nuk është andrra jote të të vij padiktueshëm njëherë?

Para se me u err dita do t’nisem.
Nata kur t’bie do t’jem atje.
Erë e lehtë, bashkë me rrezet e purpurta nëpër grila,
bashkë me yjet që do t’ma zdritin rrugën.
Si hajneshë do të futem nëpër parvazin e derës.
T’shtrihem shtratit midis mureve me dritare.
Kah rruga do të duket sall yll e hanë dritarja.
Para se t’shtrihem copë-copë
kam me e thye fotografinë e viteve që s’jemi pa,
Do ta zhveshë këmishënatën prej veluri, e do t’bij.
Shtatore e bardhë si tambli, si mermeri,
si petalja e lëmuar e zambakut.
Me t’prit. Shkrumin e buzëve të ma heqësh.
Do t’çelet përpara si nota muzike, trupi im pus i zi, i thellë nga vetmia.
Ballefaqe du me fjet me ty.
Me ta ndëgju zanin e zvargët e timbrin
e shtjerrur ambël, kur t’më marrësh n’gji.
Zogë t’kënaqem me aromën e lëkurës sate.
Si e malit të ri me pishë.
Trup t’më mbillesh trupit,
si bima erëmirë e shërimit
që hap rrugën kah vijnë engjëjt e çelin çdo derë parajse.
N’pranverë do shndërrohem e ti në polenin që e bart
era dhe puthja.
Do ti mbyllim sytë, flakë do të digjemi si flaka të dy.
Një natë e një ditë deri nesërmbrama.
Tu u kërku në fjalët ma t’bukura t’dashunisë,
e ditës sime t’bardhë.
Derisa përsëri t’agoj. Pastaj, do t’kthehem.
Shëndoshë e mirë do t’kthehem këtu ku unë rri.
Në rrugë të gjatë të jetës.
Pusit tim të thellë, e ujit t’zi t’vetmisë.

Qerpikët do t’i djegi si në flakë qiriri duke shkruar
natën vonë. Ditën time të re.
Në ditarin intim.

 

Poezi nga Fakete Rexha 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button