LULJA NARCIS

e ka lëvarur kokën e bukur
rri pranë lumit dhe hedh gurë në ujë
unë e thërras ai zhytet në fytyrën e vet
që pasqyrohet në kaltërinë e ujit
i afrohem e shoqëruar nga tingujt e zemrës
kërcëllojnë fijet e barit nën barrën e dhembjes
e nën peshën e prushit të dashurisë
i bie butas me dorën e njomë
syprinës akuamarin të ujit
dil o çun dil nga kafaz i vegimit
një kaltëri e dendur e paparë m’i lidh sytë atëherë
valët e shpirtit ngrihen lart nga stuhia
çdo gjë tretet para syve të mi
një mjegull e bardhë i mbyll të gjitha shtigjet
bie unë si kullë letrash në bar e trullosur
pastaj vonë vonë harabelat më zgjojnë
e kthej kokën e vështroj në tokë të bukës
në ujë ah në ujët që kam pranë
e shoh një hije djali purpur si më ikën
ulem në bregun e vetmisë pranë ujit
hedh tash unë kokrra margaritari
nga thellësitë e shpirtit dhe pres
del në bregun përballë meje lulja narcis
bëhet djalë midis fijeve të barit
një pasthirrmë ofsh më del nga zemra
pritmë pak or çun se unë të prita një amshim
çdo gjë tretet
vetëm heshtja ecën me hapa të rëndë rreth meje
e shoh se jam vetëm një vjollcë e vetme e vetmuar
ndër kaçubë që pres të më shkelë
ndonjë këmbë ndonjë shputë a ndonjë thundër

 

Poezi nga Lindita Ahmeti

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP