TEOLOGJIA PASMODERNE (II)

Ali Pajaziti

Ali Pajaziti

Teologjia pasmoderne përbën një teizëm natyral, i cili është barazisht i dallueshëm nga teizmi supernatyralistik i teologjisë paramoderne e moderne të hershme dhe nga natyralizmi ateist i pikëpamjes moderne. Sipas kësaj teologjie, Zoti nuk është poseduesi i vetëm i fuqisë krijuese dhe nuk është kontrolluesi i njëanshëm i ngjarjeve në botë. Kjo teologji nënkupton një formulim të ri që ngërthen kompromis mes Zotit të teizmit dogmatik kristian dhe atij absolut të shkencës pozitiviste dhe epokës moderne. (Davutogllu, 2005) Ky kompromis reformist synon të riekuilibrojë imagjinatën individuale dhe sociale, të krijojë një atmosferë shpirtërore dhe intelektuale, në të cilën grupe alternative mund të bashkëjetojnë pa kërcënuar harmoninë shoqërore. Teologjia pasmoderne arsyeton misionin për të formuar një bazë etiko-teologjike për një fazë të re qytetërimore, ku imagjinata amerikane shkrihet për të krijuar bazën e kapitalizmit të ri dhe të vizualizimit amerikano-atlantik, pavarësisht prej traditave shpirtërore të kulturave të tjera. Në këtë epokë, të emërtuar edhe si e post-krishterimit (Post-Christendom), kishat, pra feja në përgjithësi, duhet t’i shmanget pompozitetit dhe t’i marrë punët me seriozitet. (Glatz, 2014). Kjo është koha kur feja kalon nga qendra drejt margjinave, nga privilegji në pluralitet, nga kontrolli në dëshmitari, nga mirëmbatja e status quo-së në mision, nga institucioni në lëvizje. (Randall, 2007)

David Noebel në veprën e tij Understanding the Times: The Collision of Today’s Competing Worldviews (Të kuptosh kohërat: Përleshja e botëkuptimeve garuese të sotme, Summit Press, 2006) thotë se teologjia postmoderne fillon me një formë të butë të ateizmit dhe shtrihet nga ateizmi militant deri te ai fshataresk; është shtyllë e humanizmit shekullar. Sipas tij, të gjithë mendimtarët më të mëdhenj të postmodernës si Foucault, Derrida, Lyotard, Bataille, Barthes, Baudrillard, Macherey, Deleuze, Guattari dhe Lacan kanë qenë ateistë.

Në kontekst të raportit feja-postmodernizmi duhet trajtuar edhe qasjen e islamit dhe teologjisë islame ndaj pasmodernes, ndaj hallit musliman në kushtet pasmoderne (postmodern conditions), ndaj të jetuarit me islamin në një epokë që premton shpresë, mirëkuptim dhe tolerim, por që gjithnjë e më tepër është edhe shekullare, antifetare, cinike, e parespekt ndaj të shenjtës, e copëzuar, materialiste, dhe, për një musliman, shpesh armiqësore (Ahmad, 1991), kur akademikë apo gazetarë, komentatorë të medias, e denigrojnë Islamin në mënyrë të vazhdueshme dhe unanime. Sipas autorit të sipërpërmendur, ndër pyetjet e kohës që shtrohen në këtë temë janë edhe këto: Si të mbijetojë një qytetërim fetar si Islami, që mbështetet në një kod të përcaktuar sjelljeje dhe traditash, bazuar në një libër të shenjtë, në një epokë e cila me vetëdije e lë mënjanë të kaluarën dhe afirmon diversitetin e vlerave qofshin ato edhe kundërtradiconale dhe kundërmorale? A rrezikon të zëvendësohet xhamia si epiendër e jetës islame nga qendrat tregtare, klubet, kafenetë si lokacione të aktivitetit shoqëror dhe komunitar? Si mund t’i ruajnë muslimanët tiparet e tyre kryesore, jetën familjare, respektin për më të mëdhenjtë, konceptet e modestisë, e kështu me radhë, përballë filozofisë relativizuese të kohës? „Si të ruhet thelbi islamik në kohën kur media na zbavit, na udhëzon, na edukon, dhe na prish pa pushim”?

Teologjia islame postmoderne ballafaqohet me një trend që shtyt “copëzimin e të vjetrës konvencionale”, që afirmon interesin/kamatën, planifikimin familjar (abortin), bankat e spermës, martesat e seksit të njëjtë, çështje këto që kërkojnë analizë dhe përgjigje konkrete. Në këtë kohë detajet e jetës së përditshme këputen nga metafizika dhe shndërrohen në narracione, fryma, zëra dhe ngjyra të reja e pasurojnë “tregun fetar”. Në shekullin XXI të posmodernes myslimanët diskutojnë probleme si birra me zero alkool, ‘shamia’ shoqërohet me ‘belin e shpalosur’ (Tekin, 2011), konsumi ushqimor për Ramazan që bëhet spektakël, rap këngëtari me tatuazh që shndërrohet në legjendë të fesë, feministet myslimane, ‘dasma islame’ shqiptare “me një humorist të vetëm”, xhamitë me një stil të përzier (kubeja osmane, minareja arabe), teleislamizmi si paralele e televangjelizmit, bastorja përballë faltores, të rinjtë që falen me t-shirtë antifetarë (P.sh. “Religion guaranteed to shorten your life”/Feja me garanci ta shkurton jetën, “Imagine no religion”/Imagjino pa fe!), hotelierizmi alternativ (konservator), turneu i brixhit na Saudi, jomuslimanët që janë gati “të konvertohen për hir të Salahut”, ujit me etiketën “hallall” (sikur ka ujë haram!)…

Si përfundim: Kontradikta mes fesë dhe pasmodernes qëndron në faktin se pasmodernizmi kërkon përgjigje tejfetare, multireferenciale, ndërsa feja synon ta ruajë frymën e vet hyjnore dhe fundamentale. Për fund do theksuar se të gjitha fetë janë në shënjestrën e kulturës postmoderniste, por islami është më ngulmuesi në ruajtjen e thelbit të vet, andaj edhe përbën fenë “më aktuale” dhe më të mediatizuar në kontekstin e sheshit religjioz plural.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI MOBIL