Instrumentistë nga Maqedonia do të masin forcat në “Ars Kosova”

Për tri ditë Prishtina do të jetë nikoqire e garave të muzikantëve të rinj nga tri shtete. Instrumentistë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia do të masin forcat në kuadër të edicionit të nëntë të garave për muzikantë të rinj “Ars Kosova”. 

Garat kanë nisur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, mesditën e së dielës, ndërsa fituesit do të dihen tek në ditën e fundit të këtij manifestimi, më 19 qershor. 
Të ndarë në 7 kategori të instrumenteve dhe në atë të solo këndimit, të rinjtë në mes të moshave prej 5 deri në 26 vjeç do t’i rreken garës. Në secilën kategori do të dalin nga tre fitues, ndërsa më i miri shpërblehet me çmimin “Grand Prix”. 

Instrumenti i pianos, ato me tela si viola, violina, violonçeli dhe kitara, frymoret si flauti dhe klarineta, si dhe solokëndimi, janë kategoritë garuese. 

Sihana Badivuku, organizatore e këtij manifestimi, ka bindjen se këto gara janë shtylla e sistemit pedagogjik muzikor, sepse në këtë mënyrë arrihet një kontroll vertikal i zhvillimit të një artisti, që zgjat shumë. 

“Ky është një kontakt fantastik, që mundëson monitorimin e të arriturave njëvjeçare jo vetëm të shkollave, por edhe kontakti profesor – prind – edhe artist i ri”, ka thënë Badivuku. Organizimi i një manifestimi të tillë është jo pak i lehtë, sipas saj, mirëpo, shton ajo, “për këso aktivitetesh vendet e zhvilluara japin fonde të mëdha”.

Kryetari i jurisë për violë, Blerim Grubi, ka thënë se këto gara janë shumë të rëndësishme për artistët e rinj. Edhe në juritë vlerësuese për secilën kategori ka muzikantë profesionistë veç nga Kosova, edhe nga Maqedonia e Shqipëria.

“Kjo është një bazë e mirë për një vlerësim e gjithë nxënësve dhe e pedagogëve në punën e tyre njëvjeçare. Kjo e ngre nivelin, përmes asaj xhelozisë pozitive”, ka thënë Grubi. 

Këto gara për tri vjet kanë qenë pjesë e Rrjetit Evropian të Garave (EMCY), por janë përjashtuar për shkak se një herë, në vitin 2009, organizatorët këtu nuk kishin arritur të gjenin fonde për realizmin e garave. Rikthimi në EMCY kërkon kohë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button