A ka kush e ndal ekzodin e shqiptarëve?

Nuk më ka pëlqyer kurrë ta bëj fallxhorin me aftësi paranormale për të parashikuar të ardhmen, po nuk mund të luaj as rolin e optimistit duke mbyllur sytë para të vërtetës së hidhur që ka të bëjë me shpërnguljen masive të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në Maqedoni. Janë me mijëra të rinj, të cilët, në mungesë perspektive për ndërtimin e një jete normale aty ku gjithkush ka dëshirë të rrojë e të vdesë si njeri, shtegtojnë nëpër botë me vendimin e prerë të moskthimit në shkretishten prej shteti, ku tani më dëgjohen notë për note kambanat e shuarjes sonë në këste të padiktueshme. Rajone malore me dhjetra fshatra, në të cilat para pak vitesh vrujonte jeta, kanë mbetur sot me njerëz të moshuar apo janë shkretuar fare. Edhe vendbanimet fushore janë boshatisur nga të rinjtë si mos më keq. Gjithandej shtëpi me roletne të lëshuara mbi dritaret që nuk hapën kurrë, shkolla me gjithnjë e më pak nxënës, pleq që presin vdekjen pa më të dashurit e tyre pranë, varre të papastruara therrash, livadhe të pakositura, arra të pambjellura, bjeshkë pa bagëti…

Kuptohet, jeta e sotme është dinamike dhe njerëzit levizin lirshëm botës së madhe në kërkim të hapësirës ku kanë mundësi të realizojnë ëndrrat. Ky trend ka përfshirë shumë përpara nesh popuj të tjerë, por rasti ynë është më specifik, sepse, në dallim prej tyre, ne përballemi me ekzodin vërshimë dhe me braktisjen e përnjëhershme të trojeve stërgjyshore, sa për shkak të papunësisë ekstreme, po aq edhe për shkak të mungesës së sigurisë dhe shtetit të së drejtës që i kanë bërë utopike shpresat për ditë më të bardha.

Janë pra një mori faktorësh që nxisin ikjen e të rinjëve edhe kur ia dalin ta sigurojnë një vend pune me një pagë mizerje, që nuk garanton asgjë më shumë se jetën e përmbytur me problemet e ekzistencës fizike. Më e keqja është se tani më ikin edhe zotërues patundshmërishë, që, me mundin e investuar në ndonjë vend të huaj, mund të sigurojnë edhe këtu njëfarë mirëqenie. Shpërngulen madje dhe pronarë biznesesh të vogla dhe mesatare, në ndërmarrjet e të cilëve deri dje dikush siguronte kafshatën e bukës. Gjithë kjo e rrit defetizmin dhe e bën ikjen tundim të parrezistueshëm. Për pasojë, Manastiri, Prespa dhe Ohri nuk frymojnë më shqip. Dibra, Struga dhe Kërçova kanë mbetur me çerekun e popullatës shqiptare që kishin para dhjetë vitesh. Gostivari, Tetova e Kumanova me rrethinë po rrallohen njerëzish për tmerr, kurse Shkupi po zhdardanizohet për marre të zotit…

Për habi, askush nuk preokupohet me fenomenin e spastrimit “të vullnetshëm” etnik të këtyre trojeve nga elementi shqiptar, hiq fqiun e sëmurë që fërkon duart dhe lut zotin që përqindja e përqindjes sonë të bjerë sa më poshtë, për të legalizuar pastaj mohimin e të drejtave legjitime dhe tjetërsimin tonë në shkallë të turpshme. Të tillët janë të prirur që fajet e jetës mizerje t’i kerkojnë tek egzistenca e tjetrit, ndaj përpiqen të mkamin pushtetet hegjemoniste me bindjen se kjo do t’ju sigurojë jetë më të lumtur.

Në këso konditash dikush duhet të kërkojë zëshëm ndërprerjen e ekzodit vrasës të etnisë shqiptare në Maqedoni. Dhe ky dikush është politika shqiptare, që duhet ta pastrojë urgjentisht veten nga hajdutët, të cilët nuk dinë dhe nuk janë të interesuar të bëjnë beteja të tjera përveç atyre që ua grafllojnë milionat. Ndërprerjen e ekzodit vrasës së etnisë shqiptare në Maqedoni duhet ta kërkojë edhe inteligjenca shqiptare dhe gjithë ata të cilët e ngjyejnë bukën me djersë, që, në mos paçin mundësi të bëjmë gjë tjetër, mund të sfidojnë më zëshëm vrasësit e ardhmërisë dhe vazhdimësisë sonë aty ku duam të rrojmë dhe të vdesim vertikalisht.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button