Rikthimi në Kuvend

Opozita u rikthye në Kuvend së bashku me interpelancën për qeverinë aktuale. Kur i dëgjon njeriu arsyetimet e tyre pse kërkojnë dorëheqjen e qeverisë habitet. Dëgjon fraza si: shtet i kapur, regjim, përkeqësim i marrëdhënieve ndëretnike… Është e pakuptimtë si ata që i bënë të gjitha këto akuzojnë se të njëjtat i bën dikush tjetër. Nuk kanë thënë kot që mënyra më e mire e mbrojtjes është sulmi. Sikur dikush të dëgjonte vetëm argumentimin e VMRO-DPMNE-së për interpelancën e qeverisë do të fitonte përshtypjen që shteti përballet me një forcë të errët sunduese e cila sundon në mënyrë totalitare. Kjo përshtypje do të mund të gënjente secilin që nuk e di faktin se para më pak se një vit, në përvjetorin e të enjtes së përgjakshme që po afron, u përballëm me sulmin më të ashpër ndaj demokracisë të cilin anëtarët e kësaj opzite mundohen ta përshkruajnë si akt të lartë patriotizmi.

Përskaj farsës së çuditshme populiste që është duke e realizuar, opozita ka deklaruar që do t’i përkrahë ligjet reformuese në Kuvend. Këtë pres ta shoh në ditët në vijim. Pres të shoh a ka vërtet vullnet për tu përkrahur, për shembull, ligjet që kanë të bëjnë me reformat në gjyqësor e që janë pjesë e Strategjisë për këto reforma. Gjatë dhjetë viteve të kaluara pushteti arriti të krijojë kushte të tilla ku përmes kërcënimeve me procedura disiplinore të cilat shpesh rezultonin edhe me shkarkimin e gjyqtarëve, të vendoste nën kontroll total këtë pjesë të rëndësishme të pushtetit. Rezultati ishte që në vend që gjyqësori të shërbente si kontroll mbi pushtetet tjera, në fakt pushteti ekzekutiv e kontrollonte atë. Pasqyrë e këtij rezultati ishte shteti i kapur që aq haptazi e propagon si ide tani pikërisht ajo opozitë, që kur ishte në pushtet krijoi të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e kapjes së atij shteti, kapje nga kthetrat e të cilës duhet kohë për të shpëtuar.

E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga ajo kapje është bartja e përgjegjësisë, edhe kur janë në pyetje gjyqtarët dhe prokurorët, mbi të gjitha kur janë në pyetje ata. Ka shumë shenja që janë kryer vepra penale nga ana e personave të caktuar, pjesëtarë të këtij profesioni. Ata duhen gjykuar në procedurë transparente dhe të pavarur dhe gjykimi i tyre duhet të shërbejë si shembull se asnjëherë nuk ia vlen që një pjesëtar i profesionit të gjyqësorit të bëhet hyzmeqar i pushtetit ekzekutiv.

Në anën tjetër, procedura disiplinore kundër gjyqtarëve, në mënyrën si është paraparë tani, jep shumë hapësirë manipulimi dhe për këtë shkak duhet të ndryshohet. Gjyqtarët që duan të ushtrojnë profesionin e tyre me nder dhe dinjitet duhet ta kenë mundësinë të bëjnë një gjë të tillë. Ndërsa ata që kryejnë vepra penale duhet të ndiqen në procedurë të rregullt penale për veprimet e tyre. Problemet e gjyqësorit në Maqedoni nuk zgjidhen me procedura disiplinore, punët janë shumë më serioze dhe më të thella se kaq, dhe vendosja e parimit të bartjes së përgjegjësisë penale edhe në këtë sferë është shumë e rëndësishme.

Reformat në gjyqësor janë pjesa kryesore e Raporteve të Pribesë, pasi që pikërisht një gjyqësor i fuqishëm e bën shtetin të jetë shtet dhe jo një improvizim organesh shtetërore. Mënyra si opozita e posakthyer në Kuvend do u qaset këtyre ligjeve reformuese do të jetë testi më i mirë për angazhimin e tyre në përparimin e vendit drejt reformave auro-atlantike tek të cilat synojmë tash më dekada me radhë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button