Hekurudha e Maqedonisë dhe Drejtoria për Siguri me deklaratë u betuan se do të rritin sigurinë në komunikacion
Ndërmarrja publike Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura dhe Drejtoria për Siguri të Sistemit Hekurudhor në Republikën e Maqedonisë, si pjesëmarrëse në Samitin e Sigurisë në Sektorin Hekurudhor në Dubrovnik të Kroacisë kanë nënshkruar deklaratën për rritjen dhe rruajtjen e sigurisë ne sistemin hekurudhor, njofton Portalb.mk.
Sipas drejtorit të Hekurudhave të Maqedonisë – Infrastruktura, Irfan Asani, nënshkrimi i kësaj deklarate është e rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të trafikut hekurudhor në Maqedoni.
“Deklarata pasqyron përkushtimin e kompanive nënshkruese në promovimin e sigurisë në trafikun hekurudhor por edhe në gjithë industrinë hekurudhore. NP Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura plotësisht e aprovon përmbajtjen e kësaj deklarate dhe të njëjtën do ta promovojë tek të gjithë të punësuarit e saj dhe tek kompanitë me të cilat bashkëpunojmë”, tha Asani.
Me këtë deklaratë të gjithë kompanitë nënshkruese bashkërisht dhe në mënyrë aktive do të nxitin respektin e ndërsjellë, bashkëpunim me qëllim që të mundësohet që puna të realizohet në mënyrë të sigurt, duke përfshirë këtu edhe adaptimet e nevojshme ne përshkrimin e detyrave konform vendit të punës.