Dimitrov-Klimkin: Së shpejti heqja e plotë e vizave mes Maqedonisë dhe Ukrainës

Ministri i Punëve të Jashtëme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka pritur sot në një takim homologun e tij nga Ukraina, Pavlo Klimkin, me të cilin bashkë nënshkruan një memorandum për bashkëpunim të ndërsjellë mes akademive diplomatike të cilat funksionojnë në kuadër të Ministrive për Punë të Jashtme të të dy shteteve, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit të realizuar në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë, Dimitrov tha se bashkë me ministrin Klimkin, janë dakorduar që gjatë vizitës së tij në Kiev, të nënshkruhet marrëveshja për heqjen e vizave mes dy shteteve, respektivisht heqjen e plotë të vizave për qëndrim afatshkurtër.

Siç informoi Dimitrov, në takimin e sotëm, është prekur edhe tema e ekonomisë, me theks të veçantë tek bashkëpunimi ekonomik, i cili ka akoma mundësi për intensifikim, sidomos nga fakti se Maqedonia dhe Ukraina kanë një marrëveshje për tregti të lirë e cila nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

“Jemi duke punuar në drejtim të avancimit të kësaj marrëveshjeje, për çka tashmë ka filluar procesi. Vizioni ynë është një Evropë stabile dhe prosoeruese duke riafirmuar synimet tona për përkushtim ndaj parimeve dhe vlerave evropiane, për çka diskutuam për aspiratat e dy shteteve tona për aderime euro-atlantike”, tha Dimitrov, për të shtuar se dy shtetet përkundër sfidave të ndryshme që kanë, janë të gatshme të përkrahen reciprokisht.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo Klimkin nga ana e tij, tha se këmbimi ekonomik nuk duhet të përfshijë vetëm mallrat dhe investimet, por edhe këmbimin e resurseve njerëzore dhe shkencore.

Ai nënvizoi rëndësinë që ka Maqedonia për Ukrainën, pasi siç tha, vendi është një partner i rëndësishëm i Ukrainës në Ballkan, dhe se bashkë po hapërojnë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Klimkin falënderoi Shkupin zyrtar për rehabilitimin e ushtarëve të tyre.

“Dua të falënderoj Maqedoninë që ka marrë përsipër rehabilitimin e ushtarëve ukrainas, sepse kjo për ne paraqet diçka shumë emocionale, një demonstrim real të miqësisë e cila ndonjëherë është shumë më e rëndësishme nga vizitat formale”, tha Klimkin.

Ministri ukrainas gjatë ditës do të takojë kryeparlamentarin Talat Xheferi, ndërsa më vonë bashkë me ministrin Dimitrov do të kenë një takim joformal në Ohër me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Koxias.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button