Pakistani burgos doktorin që spiunoi Bin Ladenin

Një doktor pakistanez që ndihmoi CIA-n që të zbulonte vendndodhjen e Osama Bin Ladenit është burgosur për të paktën 30 vjet, informuan të mërkurën burimet zyrtare. 

Shakil Afridi u shpall fajtor për tradhti të lartë, duke krijuar një program të rremë vaksinimi, në shërbim të mbledhjes së informatave për llogari të një agjenture të huaj.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka kërkuar lirimin e tij mbi logjikën se informatori i shërbeu interesave të përbashkëta amerikane dhe pakistaneze.

Bin Laden u vra nga një njësi elitë e ushtrisë amerikane në qytetin veriperëndimor të Abotabadit në maj 2011.

Ekzekutimi i kreut të al-Kaedës ka krijuar tension midis SHBA dhe Pakistanit, duke kontribuar për regjistrimin e një pikë të ulët historike të marrëdhënieve dypalëshe.

Islamabadi u ndie i mëpërkëmbur nga shkelja e sovranitetit dhe nga fakti që operacioni i CIA-s u zhvillua në sekret pa njoftuar qeverinë qendrore. 

Njëkohësisht, autoritetet u ndjenë të turpëruara nga fakti që prej disa vitesh Bin Laden jetonte qetësisht brenda vendit, një prove e qarte e mungesës së efikasitetit të shërbimeve sekrete vendase. /NewsPakistan

Lajme të ngjashme

Back to top button