Shkëndija merr licencën për në Evropë

Kanë marrë fund paqartësitë rreth paraqitjes së KF Shkëndija në Kupat Evropiane, pasi komisioni i shkallës së dytë pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën (23.05.2012) ka vlerësuar se tetovarët plotësojnë të gjitha kushtet për paraqitje në Evropë dhe të njëjtët i ka pajisur me licencë.

Ky vendim vjen pasi Shkëndija paraprakisht u refuzua për shkak të dokumentacionit jo komplet, ndërsa pas ankesës dhe kompletimit të dokumenteve, ish-kampionët e vendit marrin ‘lejen’ për paraqitje në Evropë. Ky është lajm i shkëlqyeshëm për klubin tetovar dhe armatën e madhe të tifozëve ‘kuqezi’, të cilët përsëri do të kenë mundësi që ekipin e tyre të zemrës ta shohin në arenën ndërkombëtare.

“Po, është e vërtetë se jemi pajisur me licencë për paraqitje në Evropë dhe ky është lajm i pritur nga ana jonë. Gjithsesi se është një lajm i madh për tifozerinë tonë, të cilët mbetën të frikësuar pas refuzimit fillestar. Jemi të kënaqur që drejtësia del në pah dhe shpresojmë që të përgatitemi mirë për paraqitje të suksesshme në Evropë”, konfirmoi lajmin për marrjen e licencës, ekskluzivisht për TV Alsat-M, sekretari i Shkëndijës, Fikret Shaqiri.

Shkëndija me këtë vendim do të ketë rastin që për herë të dytë të luajë në Kupat Evropiane, pasi vitin e kaluar fitoi titullin e kamponit dhe për herë të parë siguroi dalje në Evropë, duke debutuar në kualifikimet për Ligën e Kampionëve përballë Partizanit të Beogradit./Alsat-M

Lajme të ngjashme

Back to top button