Maqedoni, Ministria e Shëndetësisë: 35 foshnjat e vdekura në Gjinekologji kanë lindur para kohe

Ministria e Shëndetësisë kumtoi se në tre muajt e parë të vitit 2018 në Klinikën e Gjinekologjisë kanë vdekur 35 foshnje. Në informatën nga Ministria thuhet se në atë periudhë në Gjinekologji janë lindur gjithsej 1.155 foshnje, prej të cilëve 144 janë lindur përpara kohës, njofton Portalb.mk.

“Rreth 80% e foshnjave kanë vdekur për shkak të moszhvillimit ekstrem të organeve dhe për shkak të peshës së vogël gjatë lindjes. Vetëm një prej foshnjave të vdekura ka lindur në termin përkatës, por me anomali mjekësore të organeve, e cila është në korniza të pamundësisë që të rregullohet. Trendi i vdekshmërisë të foshnjave që kanë lindur para kohe tani po bie. Në vitin 2016 në tre muajt e parë kanë vdekur 38 foshnja që kanë lindur para kohe, ndërkaq vjet 41”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas të dhënave të Ministrisë 21 prej foshnjave të vdekura janë lindur mes javës 22 dhe 28 të shtatzënisë, me organe jo të zhvilluara vitale dhe peshë të vogël.

Gjasat për mbijetesë të këtyre foshnjave sipas autoriteteve mjekësore janë minimale. Gjashtë nga foshnjat e vdekura janë lindur mes javëve 29 dhe 31 të shtatzënisë, me peshë të vogël dhe me infeksione që i kanë marrë nga nënat. 7 nga foshnjat e vdekura janë lindur mes javëve 32 deri 36 të shtatzënisë me infeksione të cilat i kanë marrë nga nënat, ndërkaq ka qenë me anomali të rënda. Një foshnje është lindur pas javës së 36 të shtatzënisë me të meta të rënda të cilat nuk mund të mjekohen.

Autoritete mjekësore thonë se prej 15 deri më 31 mars në bashkëpunim me Zyrën e Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara në Shkup (ZFPKB), kanë kryer vlerësim të kushteve në klinikat për lindje dhe e kanë definuar nivelin e shërbimeve shëndetësore në to.

“Në bashkëpunim me ZFPKB, prej 27 deri më 31mars kemi kryer trajnim për kujdes efektiv të foshnjave. Janë trajnuar gjithsej 24 punëtor mjekësor, gjegjësisht tetë ekipe të përbërë nga gjinekologë, neonatologë dhe akusherë. Pjesa praktike është kryer deri më 6 prill. Muajin e Kaluar në bashkëpunim me Organizatën Botërore Mjekësore (OBM), UNICEF dhe ZFPKB kemi bërë vlerësim të trendëve të vdekshmërisë neonatale dhe çfarë duhet bërë që të përmirësohet gjendja”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në bazë të analizave, Ministria do të ndërmarrë masa plotësuese urgjente për uljen e vdekshmërisë të nënave dhe foshnjave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button