Gijotinë e mprehtë e vetëvrasjes kulturore

Remzi Salihi

Remzi Salihi

Pas një kohe Pensioni u bë hapësira më e pa durueshme e kolektivitetit të brishtë në vend. Ky grup militantësh dhe aktorësh të rrejshëm, që ishin pozicionuar me intriga aty, me ato veprimet e tyre të mjegulluara artistike dhe tendencioze për shoqërinë, kultivonin edhe qëndrime tjera false të arrogancës së prapambetur, me prapaskenë shqetësuese dhe dhunuese. Të gjithë donin të bëhen të parët. Po të ishte nevoja edhe armët kimike do t’i përdornin, vetëm e vetëm që të dalin kryesues në skenë. Ata, madje, pa fije turpi janë në gjendje t’i shkatërrojnë edhe të gjitha mjetet dhe orenditë, që i ka ndërtuar shoqëria me mund e sakrificë të madhe nëpër vite. Rrugicën civilizuese të kombit duan ta hapin me dhunë dhe pa kulturë, duan të bëhen udhëheqës të rrënimeve të mëdha. Duan të shpallin kryengritje, se bishti u është djegur. Dhe përfitimet u janë zvogëluar. Dhe herë majtas e herë djathtas kërkojnë ta shkatërrojnë Atdheun. Në vend që shpallin vetes kryengritje për zbulime dhe teknologji të reja, ata duan kthesa makabre të dhunës, që si bart as Toka as Qielli. Nuk dashurohet kombi duke i bërë dëm familjes, shoqërisë, arsimit Atdheut. Kurse hileqarët e tanishëm çdo gjë duan të përvetësojnë për vete. Lakmojnë oligarkinë shoqërore dhe ardhjen nëpër pozicione pa mund e pa vlera të mirëfillta. Dhe kjo bindje e këtillë kulturore është bërë modë sherri dhe vepron deri në atë masë zhgënjyese të lodhsme. Në këto kushte jetësore personazhi im i pa mbrojtur nga sistemi, që është kundër kësaj stihie karrieriste të rrejshme, grupore, në Pension izolohet. Ai me vite të tëra lufton me ideologjinë dhe urtësinë e tij, për do kthesa normale shoqërore, e që janë vendime të nevojshme për rrethin dhe kohën. Lufton se e do të vërtetën. E do vendin e mundësive të mëdha. Personazhi im vepron ashtu fill vetëm një kohë të gjatë dhe pa ndikim prej klaneve, se nuk donte të merrej me ato njerëz që kishin errësuar kohën dhe artin e mirëfilltë të jetesës, kurse kulturën e kësaj ane, po të njëjtët, e kanë futur mu në atë skajshmëri injorimi, vesi, inati të padurueshëm.

Me vite të tëra mbretëron në ne ky standard jetësor. Kjo shihet qartë sipas rrethanave të krijuara e të përjetuara, prandaj tani me vështirësi mund të dalë në skenë ndonjë dritë mendimi i shëndosh, që të mbroheshin parimet e vërteta dhe vendimet normale shoqërore. Interesin e kemi shndërruar në gijotinë të mprehtë vepruese të vetëvrasjes, ku para së gjithash në skenën kulturore vjen në shprehje vetëm kiçi dhe përfitimi personal, kurse çdo gjë jashtë kësaj kasaphane të fshehtë nuk ka vlerë apo dobi. Por e keqja më e madhe është këtu se disave as nuk u han palla fare se kultura në këtë prapështi vesi lëngon thellë në mediokritet, kurse shoqëria dhe standardi përjeton të zitë e ullirit.

Në këto nivele politike të Pensionit personazhi mbeti si i vetmuar dhe u fundos në psikanalizë të thellë, duke u marrë me rrënojat dhe me karakteret e grumbulluara njerëzore. Me shkaqet dhe pasojat e kësaj katrahure shoqërore të sajuara keq. Sepse ata që kishin krijuar këtë acar ambienti shoqëror, mbanin të salduar në vete parimet udhëheqëse dhe kriterin e ulët kreativ. Dhe ky kriter me vite avancon këtë qëndrim dhune dhe arrogance, mu aty në atë skaj ku janë të sistemuar, sa që në forma të ndryshme përhapnin dhe trumbetojnë epideminë e jehonës së përçarjes në shoqëri, për t’u bërë të parët dhe sundues të kësaj zone të lirë e kulture të prapambetur. Këta individ sistemojnë nëpër grupe të keqen e ngjarjeve anakronike, shoqërore. Dhe kjo prapavijë djallëzore e tyre stimulohet edhe më tepër nga keqpërdorimet dhe konfliktet e shumta të ambientit. Njëri-tjetrit duan t’ia nxjerrin sytë. Veç, si zakonisht në këtë kthinë jetese, pos këtyre gjërave grindëse përmbahej edhe avancimi i oreksit të hipnotizuar i vetes, donin të hapnin edhe parcela tjera interesash të gjata, që secili të ngjitej në maje të këtij grupi udhëheqës e sundues, kështu, krijojnë situata të papëlqyeshme të mos durimit dhe rrënimit të njëri-tjetrit në rreth. Kryesisht, duke mbjellë vazhdimisht në vete, dhunë, kërcënime e fërkime nervash tendencioze. Sipas kësaj diplomacie të ulët edhe sjellja e mirë nuk mund të vinte fare në shprehje për investime normale shoqërore. Dhe nga kjo gjendje e rëndë çakërdisen dhe përplasen shumë inate individësh në skenë, për të injoruar çdo vlerë të rëndësishme njerëzore. Por këta piroman kanë edhe një oreks jashtëzakonisht të theksuar, për të përfituar diçka materiale nga rasti i dhënë, por që nxjerr tym e flakë në shoqëri të djegur dhe në drejtim të gabuar.

Unë, si Vigan që i dua vlerat e verifikuara nga profesionistët e mirëfilltë, e them me bindje se nuk jam ai tip i përshtatshëm dhe i pranueshëm për ta, për klane dhe interesa të ulëta, në kohë dhe vend, e jo më t’i duroja të përhapen këto sherre e tendenca të këtij grupimi, e që janë të vardisur sy e vesh kundrejt personazhit tim, prandaj, në këto çaste nuk mund të rija edhe i nemitur, as edhe t’i mbyllja sytë e izolimit para këtyre hileve të mëdha, Nuk e duroj këtë pozicion mashtrimi social të lakmueshëm, përfitues të përkohshëm, që të pranojë e përkrahjen e një përshtatje të tillë grupore, tendencioze të individëve të ardhur pa fije turpi në skenë të Pensionit. E si të pajtohesha me këto gjëra që janë të gatshme dhe të mbrapshta në veprim, me vepra të ulëta dhe pa domethënie, që mbanë tani peng të keqen e madhe, e që pengojnë ndërtimin dhe zhvillimin e drejtë shoqëror? Sepse, kjo heshtje që mund ta bëja unë, më vonë do të reflektonte për të keq dhe do të më hakmerrej mua, dhe nga ky mos reagim do t’i shkaktoja vetes dhe interesit të përgjithshëm një dëm edhe më të madh shoqëror. Unë jam këtu në këtë jetë, ndaj përgjegjësia për mos reagim të shpejtë, do të më njolloste edhe mua, sikurse edhe ata që kanë ikur nga kjo jetë, pa e thënë fjalën e tyre të vlefshme dhe në kohë të duhur, nuk ua kanë varrur veshin këtyre gjërave me rëndësi kolektive, dhe çdo të keqe të kohës së tyre e kanë marrë, si të huaj. Sepse tani kjo gjendje e rëndë dhe e padurueshme në Pension, pak nga pak, na imponohej të gjithëve që jemi të strehuar në këtë vend, ku zbatohet kultura e veçantë dhe e përgjithshme.

Tërë gjendja na duket si frustrim i elektrizuar kohor, e ardhur nga rrethi dhe situata e njëmendësisë politike disavjeçare, prandaj nuk pajtohemi me atë njëanshmërinë e vonuar të trajtimit të gjërave bardhë, zi, por mbajmë qëndrim të kundërt për të bërë diçka që do të kishte sjellë kolorit artistik dhe vlerë universale shoqërisë.

Kthesat kohore krijuan ndasi të mëdha, ku përplasen në vete edhe shumë mendime kundërthënëse, por jo asi kundërshti alternative të shpresave normale njerëzore që do të kishte zhvillim të mirëfilltë shoqëria, por kundërshti injorimi të skajshëm të njëri tjetrit. Dhe kjo klimë kundërthënëse e shfaqur në këtë mënyrë, nuk ka perspektivë të gjatë dhe as rrugëdalje tjetër të mundshme për t’u përmirësuar situata e nderë. Dhe për arsye psikologjike, e tërë kjo gjendje do të na dukej me kalimin e kohës, si sëmundje e rëndë e këtij mileniumi. Sigurisht se këta përfaqësues të ‘’hatashëm’’ të këtij improvizimi latent (të pa dukshëm, të fshehtë), kanë hyrë thellë në një labirint cerebral të moskuptimeve të shumta. I kanë ngatërruar detyrat dhe pozicionet e veta të marra në paqartësi. Ndoshta nuk posedojnë mundësi e forcë urtësie që ta largojnë nga vetja këtë bindje të keqe, enigmatike, dhe të lejojnë të dalë në skenë, shfaqja kreative e arsenalit mendor e psikologjik të njerëzve të mençur dhe sidomos të këtij personazhit tim, pozitiv, i cili me përkushtim të madh i kishte dhënë detyrë dhe angazhim vetes për një zhvillim më cilësor të shoqërisë dhe një frymëmarrje të re vendlindjes, Atdheut. Por nga këto moskuptime të shumta, disa prej atyre tipave të këqij, në ngutje reagonin keq nëpër komente dhe shkaktojnë pa kujtuar tronditje emocionesh të mëdha në Pension. Mendonin se personazhi i takon real-socializmit, por ai nuk kishte të bëj fare me atë formacion të etapës kulturore të tejkaluar, por ai sipas trajtimeve që jep haptazi, është një personazh tipik i lindur në këto rrethana kohe, që gjërat i sheh qartë rreth tij dhe hapësirës ku vepron. Për të nuk ka tabu tema trajtimi. Çdo gjë mund të debatohet dhe si përfundim mendimi mund të merret zgjidhja konsenzuale e idesë së dhënë. Kështu, kundërshtarët e personazhit nga hapësira kishin marrë imazhin e një sanatoriumi kulturor të rëndë e përmbysës, që shkatërronte dalëngadalë veten dhe nuk e kuptonin karakterin e vërtetë të personazhit. Edhe banuesit tjerë të kësaj çerdheje, që s’kishin fare të bënin me këtë asociacion kulturor, ankoheshin vazhdimisht për këto trazira që ndodhnin tani në këtë shekull, madje e lodhnin edhe trurin për këto fërkime ideologjike të një pas njëshme  të tyre dhe u thoshin përherë këtyre të pa vëmendshmëve që të kenë kujdes në ngritjen e zërit dhe vendimet marra vend e pa vend. Bile, ata kërkonin prej tyre që të jenë shembull dhe ndikues pozitiv në shoqëri; të bëheshin sa më të qytetëruar dhe sa më njerëzor para botës. Të kryenin punë serioze për rrethin dhe për ndarjen kësaj hapësire të ngushtuar në mënyrë sa më të drejtë. Të mos e përçajnë popullatën. Të mos i bjerr njëri thumbit e tjetri patkoit, kur para së gjithash, është e caktuar mënyra e veprimit dhe kur dihet vendi i goditjes qëllimit që më parë. Ta kuptonin drejtë e sa më vëmendshëm rëndësinë e institucionit të krijuar dhe t’i ndanin detyrat e pranuara në mënyrë sa më racionale, sidomos duke pasur kujdes dhe vëmendje aktive në merita dhe në ato moskuptime qëndrimesh, jo serioze, të pa kuptimta karrieriste, se nuk ishin të vetmit në këtë ndërtesë jetësore të përbashkët, ku kultivohej dija dhe interesi i përgjithshëm shoqëror.

Prania e së keqes në Pension, nga dita në ditë shumëzohej dhe ngacmonte vazhdimisht fiksimet e saja, për dobësitë dhe madhështitë e dhëna në grupe. Pasi e dinin se nga kjo papërgjegjësi grupore do ta rrëndonin veten dhe ambientin. Dhe nga kjo përziere rrethanash, më vonë do të kishte konflikte dhe fraksione tjera verbale politike në shoqëri, të cilat me kalimin e kohës, do të krijonin lloj-lloj tollovish e përçarjesh tjera të rënda, ku do të dukeshin të gjithë keq e më keq dhe më në fund nga kjo do të bëheshin të pa dobishëm të gjithë brenda Pensionit dhe përballë popullatës, e cila mezi priste diçka të vlefshme prej tyre.

Ndoshta kjo situatë e krijuar dhe e pakontrolluar e shamatës së ndërsyer aty, kishte prapavijë sherri, që më vonë të bënte avazin e njollosjes së njëri tjetrit, posaçërisht me ato damkat apo njollat e tyre të marra në parakalim mediokriteti, për betejat e improvizuara kot së koti. Më në fund krejt situata do t’u dilte nga kontrolli dhe kjo gjendje e sajuar e padurimit kolektiv, do të çonte në siklet edhe kalimtarët tjerë që vepronin ndërgjegjshëm dhe me dashuri në këtë truall të begatshëm. Ata të cilët vazhdimisht atakoheshin pa dëshirën e tyre me pengesa të mëdha, drejt kësaj ane kulturore të përfaqësuar nga vetëquajtura elitë qytetare.

U bë një kohë e gjatë që po na ngufatë dhe shtangon egërsisht kjo klimë vrazhdë përzgjedhjes kulture në Pension. Hapësira është shndërruar në një vrimë të zezë. Nuk mund të kalohet lehtë në zgjidhje, pa marrë ndonjë plagë në trup. Drita e diellit civilizues zvarritet rëndë labirinteve të keqkuptimeve të shumta. Aty nuk dukej, sa duhej të dukej, një optimizëm i dëshiruar dhe i nevojshëm. Këndej dritareve të pranisë njerëzore mbretëronte hija e errët, andej dritareve vallëzojnë yjet e shpirtrave të çiltër. Ëndrrat e shumta kishin mburojë qiellin, mu atë qiell të madh, që qëndron i varur, si ndonjë saç i nxehtë përmbi ne, dhe ne ndeshemi si kufoma të rënditura nëpër këtë epiqendër të vrazhdë, mu aty ku janë të burgosura dhe të harxhuara shumë dëshira dhe liri individuale, kurse lagja matanë përmbytej rëndë në kallaballëk plehrash të mëdha, nga e cila deponi e madhe e kohës vinte një kundërmim dhe një tymnajë e rrezikshme, që përhapej si shkuj tronditëse rreth e përqark nesh, rreth e përqark shpresave të humbura, që kalëronin dhe iknin të vemuara gjithandej hapësirës dhe qarkullimit të frymëmarrjes së rëndë njerëzore nëpër qytet.

Edhe pse tani nga kultura standarde kërkohej një identitet i ri dhe i pastër, po ku ta gjeje atë nivel, në cilin skaj ta hetoje atë prurje që na konvenon neve të gjithëve? Nga stimulimi i së keqes nuk vijnë risitë, por vetëm zënë vend zënkat dhe myshqet e shëmtuara anembanë Mëmëdheut. Nga këto rrethana të krijuara nuk doli ndonjë udhërrëfyes satelitorë dhe i mençur, nga bota e civilizuar, që do ta frenonte këtë kakofoni e regëtimë të keqe ritmike e të padurueshme kulturore në qytet. Madje aty nuk duken as edhe ide të qarta të bisedave të të pranishmëve, se si të debatohej dhe si të bëhej edhe riciklimi logjik, i drejtë i mendimeve të dhëna, sidomos të atij planit ideor sa më afatgjatë shoqëror, i përzgjedhur, për ndaljen akute të thashethemeve të shumta dhe të atyre sajesave tjera investuese të kota politike, të plasuar keq nëpër kode marrëveshjesh klanore, pa nivel e  pa ndërgjegjësim shoqëror. Kurse sipas kësaj grahme që dukej tani aty, gjithë ajo turbullirë e komplikuar në vete, kishte grumbulluar dhe adaptuar shumë lloj erërash e hipotekash të mbrapshta kuptimesh, që ishin ide të shumta e të pa sistemuara shoqërore, në të cilën arnohej qartë besimi dhe mosbesim i tyre i përhershëm.

Këtë vrazhdësi ngacmuese, të llafosjeve dhe të mllefosjeve, e mbante si refren helmues edhe ajri i ndotur i kësaj ane, bile disa qytetarë kishin filluar shumë herët ta dallonin dhe kuptonin këtë helm shpërndarës politik, t’u vënë maska filtruese bindjeve të tyre që të mos përzihen në këto gjëra të mbrapshta që i krijojnë të tjerët, se është epidemi vrastare e shekullit. Kurse klimën dhe qëndrimin e këtillë të rëndë, në realitet, nuk mund ta nuhate dot, as ajo turma lakmuese, e cila, tanimë, manovronte shpesh me dëshirë, nëpër këto detaje e intermexo çastesh të fiksuara mendore. Por më e keqja e të këqijave të këtyre shkaqeve, ishte se këtë gjendje të sajuar nuk e kuptonin as edhe shumica e njerëzve autokton, që ishin indigjen të hershëm në këtë anë të shenjtë, por as edhe vet ata të pranishmit tjerë të kthinës së adaptuar në Pension, që arsyetonin veten me studime dhe me art të improvizuar të epokës së demokracisë së rrejshme. Në këtë skenë të vrazhdë, të formimit të ambientit improvizues. Aty kënaqej vetëm ai grup  koordinuar që ishte ngarkuar me sherr të rëndë dhe nepotizëm traditash, e cila kishte gjetur, më në fund, një prehje dhe vend të dobishëm arsyetimi. Vetëm ata gëzoheshin në një strehim të tillë karrierist të koduar, të shpejtë, e të pa pritur afirmimi dhe niveli në kohë, mbase kështu me këtë nivel edhe më mirë i dilte zot këtij objekti të adaptuar fushate, për kulturë improvizuese, që gjendej përballë kopshtit zoologjik, sa për të vënë për vete, më në fund, varg e vijë, ligjet e koordinimit kulturor korruptiv, të përfitimit sezonalë artistik, mu në kthinë të ngushtë ambienti dhe brinjëve të kufizuar të Atdheut.

Këta lanet të së keqes ishin mësuar të përshtaten aty dhe një kohë të gjatë e thithnin gjakun e popullit dhe këtë tymnajë e frymë simbolike të suksesit, që mbante refrenin monoton të dalldisjes së tyre, por me bindje kërkesash të mëdha, duke u adaptuar skajshmërisht në privilegje të rrejshme, në një shërbim kaq të keq estetik, e cila derdhte vazhdimisht moral me performim maske njerëzore, të pa leverdishme shoqërore. Dhe gjithë ky angazhim qe një nostalgji madhe e tyre, për klishe e dukje reklamuese, në suaza mëhalle uzurpuese, që nuk ka fare të bëj me estetikën dhe me epokën modernizimit shoqëror. Sepse pa këtë nivel të pranuar kulturor do të dukeshin, si përfolje e shpifur pas shpine dhe vesh më vesh, për të pa vërtetat e kohës. Dhe më në fund të këtyre shkaqeve dhe nga ky detyrim i skajshëm karrierist, nuk do të mundej të arrihej askund në botë.

Ata mjeran lakmitar, që gjendeshin apostafat të kurdisur në Pension, për një shërbim karriere të ulët, e që trumbetonin kulturë elitare të madhe në shoqëri, gjatë kohë e kishin përpiluar vet këtë mjeshtri dhe e kishin vënë këtë punë si detyrë të rëndë nën vetëdije, apo si sistem të posaçëm të interesit klanor të përshtatjes servile. Prandaj sot dëshira përfituese i kishte futë aq thellë në këtë labirint korrupsioni dhe mu në këtë stërzgjatje të zinxhirtë kufizimesh e idesh, që ua diktonte gjithnjë tempin e përhershëm të lëvizjes së frymës së tyre, në përdorim të dobët e në armatim fjalësh shpifëse, për ta krijuar në jetë dhe vend atë fondin e isos së polifonisë së përshtatjes së mjeshtërisë dhe atë artin e ekzistencës së tyre formale disa vjeçare. Sepse sot na del kjo logjikë e sistemuar, për qëllim interesi, që e pispillosnin kohën e tyre të prosperitetit, duke shpaluar nëpër krijimet e tyre një yrnek modeli shkrimor dhe ideor, me një art të tejkaluar e të ngulfatur kreativiteti konvencional. Të thërrmuar nëpër fjalë të pa goditura dhe të shfaqur në një vendim minimal, drejtë atij mutacioni të skajshëm e të preferuar fisnor. I trashëguar nga mulliri i militantizmit të vjetër dhe i bluarjes së asaj retorikës së zëshme folklorike dhe i asaj gjuhe politike, agresive, më të pluhurosur kohore, që jetonte në turmë me atë ndjenjë të rrejshme patriotike disa vjeçare.

One thought on “Gijotinë e mprehtë e vetëvrasjes kulturore

  1. “Unë, si Vigan që i dua vlerat e verifikuara nga profesionistët e mirëfilltë, e them me bindje se nuk jam ai tip i përshtatshëm dhe i pranueshëm për ta, për klane dhe interesa të ulëta, në kohë dhe vend, e jo më t’i duroja të përhapen këto sherre e tendenca të këtij grupimi, e që janë të vardisur sy e vesh kundrejt personazhit tim, prandaj, në këto çaste nuk mund të rija edhe i nemitur, as edhe t’i mbyllja sytë e izolimit para këtyre hileve të mëdha, Nuk e duroj këtë pozicion mashtrimi social të lakmueshëm, përfitues të përkohshëm, që të pranojë e përkrahjen e një përshtatje të tillë grupore, tendencioze të individëve të ardhur pa fije turpi në skenë të Pensionit”.
    Mbaji dhe ruaji vlerat që ke, e lëri ata që s`kanë vlera të bluajnë me retorikën e zëshme folkorike dhe gjuhën agresive politike, dhe le të jetojnë me ndjenjën e patriotizmit të rrejshëm. Ju moti e keni kaluar me patriotiëm e kulturë këtë nënqiell.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP