LIQENI

Ka sy të kaltër të lulëzuar dalëngadalë

Është si vasha të cilën e zë gjumi në blerim

Kur mbi të lëshohet mjegulla e bardhë

Sytë i zverdhen e i thahen si gruas së vejë

E mbi të bie dimensioni difuziv

Kundërmon një koloni algash

Pranë flakës së llambës së aladinit

Varur në një dru në pogradec

Një vesh i futur në boshllëkun përfund valës

Një bri i thyer

Përballë shkëlqen një terracë e gjerë

Ku pushojnë pulëbardhat

Dhe disa rreze të shqetësiara

Disa britma të kësobotshme

Disa sheshe pasqyrohen si rrënoja

Dhe flasin një gjuhë të lashtë

Lulet buzëqeshin në breg

Rritet gjuha e baticës

Që ta prekë edhe një dreg tjetër më të largët

Pastaj lëndohet dhe ia jep vajit

E shqetësuar nga dhembja

Që ruhet në një anije katragjyshore

Pas një shkëmbi të mbuluar me myshk

Nga lartësia e krenarisë

Shihet fundi

E në fund fshati magjik fosil

Një skelet i mbledhur kuspull aty pranë

Ndjehet rraskapitja e mundimi

që ia kanë bërë minjtë e bregut

Dhe brejtjet nga bishat e ujit

Nga fundi del e rritet kumbimi

Një shkumë që noton në syprinë

Lëviz si gjarpër në shtegun e spiraltë

I lidh të kaluarën dhe të tashmen

Me një gjurmë desareti

Dhe me një shkrim të lashtë të palexueshëm

Diçka me yje i shpon rrezet

O liqen i blertë liqen i blertë

Ligjërime e rrëfime të harresës

Midis meje jehonës që vjen nga lashtësia

Në qerpikun e një peshkatari

Të mbetur në fshatin nën ujë

Një lëmsh guaskash

Rreth tyre herë vallëzon peshku i artë

Herë del në sipërfaqe

Mbi një gjeth që vjen nga driloni mbi një gjeth

Një copë fjale e mermertë

Në dri në fund të drinit

Ngre krye bukuroshja e homerit

Dhe një këngë e gligorit

Duken dylbitë e Tahsinit

Përmbi  valë vallëzon

Një barkë e livadhisë

Pastaj liqeni bie në gjumë

2.

Gratë nga verandat i mbulojnë pllakat e gramofonit

Nuk duan këngë tjera

Përveç asaj të liqenit

Nuk duan as pamëni të zymtë

Po e duan gazmore e të bukur

Atëherë vjen mbrëmjadhe nis të hedhë yje në liqen

Të gjitha largësitë mbahen dorë për dore

Dhe shikojnë drinin si ndahet nga liqeni

duke u përshëndetur me këngë

dhe kalojnë tingujt nga përralla në përrallë

 

Poezi nga Asllan SELMANI
Zgjodhi Xhabir AHMETI

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP