ANIJA

Vendi ynë është anije e cila ka mbetur në të thatë, me ne njerëzit e thjeshtë mbi të. Megjithatë nuk është pa rremtarë kjo anije. Janë të mirë këta rremtarë ngase cilësia e tyre madhore është se vijnë nga “baza”, nga turmat popullore.  Vite e vite rremtarët  me vendosmëri i luhatin rremat në ajër. Jo kot. Na shëtisin nëpër natën e gjatë me vite, nëpër pasigurinë dhe valët e rrëmbyeshme të jetës, në hapësirat e pashpresës. Dhe, na rruajnë për së thati.

Ata i bëjnë punët e veta, i arrijnë qëllimet e veta materiale e të tjera. Ne vetëm shikojmë dhe heshtim. Po ta hapim gojën, na shfaqen në ëndrrën e keqe. Po edhe mund të marrin masa kundër nesh. Mirëpo nuk vjen puna deri aty se po na ndëshkuan, çfarë mund të bëjnë pa ne? Jo, kujdesen ata të na ruajnë aty ku jemi, në anije. Se u duhemi. U duhemi shumë. Prandaj bashkëjetojmë. Ata mbi te timoni, ne te bishti.

Rremtarët janë të shkathtë. Ata kanë metoda të sofistikuara të vozitjes së anijes në të thatë. Ndër to, metoda më e mirë është ajo e bindjes. Përmes saj na mësojnë të mos bëjmë zë derisa ata na shëtisin me anije në të thatë. Për të mirën tonë e kanë. Dhe, ne heshtim dhe dëgjojmë si na mësojnë të jetojmë. Veçmas janë të interesuar të jetojmë sipas disa rregullave gramatikore që na i diktojnë. Mos i përdorni përemrat pronorë! na këshillojnë. Se këta përemra qenkan të rezervuar vetëm për ta. Na thonë se edhe veta e dytë dhe e tretë e përemrave vetorë nuk na duhen, se mund të kuptohen si aluzione për ta. Dhe, ne, . i bëjmë punët sipas këtyre rregullave gramatikore që na i kanë mësuar ata. S’ka as përemra pronorë për ne. E as vetën e dytë dhe të tretë të përemrave vetorë nuk izëmë në gojë. Sepse, thonë, se përdorimi i tyre është gjynah.

Na kanë mësuar se qengji i butë thith dy nëna. Natyrisht kurrë nuk na e kanë thënë atë që e pohojnë perëndimorët se qengjin e butë e ha ujku!.

Derisa kotemi në anije një plak koti na e kujton një natë të marsit të vitit një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e shtatë, derisa na vozisnin në të thatë dhe derisa na rruanin ppër së thati në hënë të zbehtë. A ju kujtohet, na tha plaku, kur  nga kuverta e pamë „ministrin me tuta“ si dilte me ngut nga kursimorja e Manastirit. Pas vetes  tërhiqte do thasë të zez.

E dinim se i kishte marrë paratë tona, kursimin tonë të fituar me mundime. Deshëm të bërtasim: kapeni hajdutin! Po nuk thamë gjë. Heshtëm. Ngase rremtarët na kishin mësuar se heshtja është flori. Vetëm njërit nga udhëtarët e anijes iu kujtua. Ne të tjerët e kishim harruar.

Anija ende është në të thatë, ende është në vitin një mijë e nëtëqind e nëntëdhjetë e shtatë, kurse rremtarët, ndonëse e kanë lëshuar timonin, e shtyjnë anijen prej së poshtmi. Dhe anija e ruan kursin e saj të njëjtë. Kah lindja.

I shikojmë rremtarët nga kuverta si e shtyjnë anijen dhe si e detyrojnë ta ruajë ende kursin dhe bëjmë muhabet e pimë çaj. Rremtarët janë të veshur mirë, kanë kanë unaza dijamanti që shkëlqejnë, orë të shtrenjta. Herë pas here na e tërheqin vërejtjen që mos të flasim për thesarin e Ali Babës. Nuk janë te timoni rremtarët, po e kanë ende e ruajnë të drejtën e kontrollit të privatësisë sonë.

Sido që të jetë, ne jemi të kënaqur. Nuk mund të ankohemi nga anija, sepse ajo është unike. Nuk ka vend tjetër që e ka një anije të tillë.

Ne nuk mërzitemi edhe po të vijnë rremtarë të tjerë. Kush do që të vijë, do të vijë “nga baza”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button