A po e pret ligjin e gjuhëve fati i ligjit të ‘branitellave’?

Zvarritja dhe vendimi i presidentit Gjorge Ivanov që të mos e dekretojë ligjin për përdorimin e gjuhëve, ka hapur mjaft pyetje rreth hyrjes në fuqi të të njejtit.

Shtrohet pyetja se a mund të humb edhe ky ligj në labirintet ligjore, siç ndodhi me ligjin e ‘branitellave’?

Gjykatësi  i gjykatës kushtetuese, Osman Kadriu, sqaron për Portalb.mk, se ligji i gjuhëve nuk do të humb labirinteve pasi që vetë parlamenti nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

“Ky ligj është i ndryshëm nga ai i branitellave, pasi që ai kishte një prapavijë tjetër, e cila ishte po ashtu politike po nuk kishte interes edhe nga propozuesi i ligjit që të miratohet. Ai kishte për qellim diçka tjetër të arrihet, kështu që në asnjë pikë nuk kanë të përbashkët çështja e propozim ligjit për të drejtat e branitellave dhe për përdorimin e gjuhëve.  Nga ligji i parë vetë parlamenti ishte ai që hoqi dorë nga ky ligj, kurse  ligji i gjuhëve u votua për herë të dytë që dëshmon se parlamenti nuk heq dorë nga ky ligj. Tan ka ngelur të kërkohen vetëm mundësitë juridike, formulat juridike që ligji të botohet në Gazetën Zyrtare dhe të hy në fuqi”, tha për Portalb Kadriu.

Ai tha se ka mënyra ligjore dhe juridike se si ligji i gjuhëve mund të hyjë në fuqi.

“Sa i përket ligjit që është në procedurë të nënshkrimit dhe të publikimit të tij në fletoren zyrtare, kemi ja po them një mos aktivitet nga ana e presidentit por me vetë faktin se ai nuk e  dekreton ligjin i cili është i miratuar në rrethin e dytë, kushtetuta është shumë e qartë, dispozita kushtetuese neni 75  është shumë i qartë ku thuhet se  presidenti i shtetit e ka për obligim, e ka për detyrim që ta firmos po ja që tani ai nuk e firmos.  Tani meqenëse  jemi ne shtet juridik ka një rregull në drejtësi që atë nuk mund ta arrijë politika do ta arrin drejtësia, normat juridike”, shtoi Kadriu.

Eksperti juridik, Jeton Shasivari nga ana tjetër thotë për Portalb.mk se kjo çështje është kryekëput e natyrës politike dhe duhet të zgjidhet me mjete dhe mekanizma politike.

“Kjo çështje është kryekëput e natyrës politike dhe duhet të zgjidhet me mjete dhe mekanizma politike. Në kohën kur qeveria dhe kryetari aktual i vendit ishin të së njëjtës ngjyrë politike ato funksiononin si “duo”, ndërsa tani, funksionojnë si “duel” meqenëse dallon ngjyrimi politik dhe partiak i tyre. Madje, kryetari aktual i vendit, në mandatin e parë njihej me premtimin e tij se, nuk do të përdorë veton ndaj ligjeve, kështu që, nuk reagonte fare ndaj ligjeve jokushtetuese, si p.sh. reformat ligjore në arsimin e lartë që cenonin autonominë universitare ku ai ishte pasiv, bile ky mospërdorim i vetos, si duket ishte edhe kushti kryesor për të, për tu kandiduar për mandatin e dytë”, tha për Portalb, Shasivari.

Ai shtoi se me kushtetutë Kryetari i Republikës është i detyruar që ta nënshkruajë dekretin.

“Kryetari aktual i vendit po e shkel haptazi kushtetutën dhe po sillet si një perandor i mesjetës, sepse neni 75 paragrafi 3 i Kushtetutës së RM-së është i qartë dhe i caktuar, ku thuhet se: “Kryetari i Republikës mund të vendos të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit. Kuvendi sërish e shqyrton ligjin dhe në qoftë se e miraton me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, Kryetari i Republikës është i detyruar që ta nënshkruajë dekretin“. Pra, në sistemin kushtetues të organizimit të pushtetit shtetëror të RM-së, nuk ka asnjë mundësi kushtetuese që vetoja suspenzive ose shtyrëse e kryetarit të vendit të shndërrohet në veto të xhepit e lere më në veto absolute si në kohën e monarkive absolutiste. Poashtu, sjellja e tillë e papërgjegjshme e tij ka të bëjë edhe me faktin se, aktet dhe veprimet e Kryetarit të Republikës nuk i nënshtrohen kontrollit të kushtetutshmërisë, si pasojë e zbrazëtirës kushtetuese gjë që paraqet një mangësi mjaft serioze për rendin kushtetues të vendit, që në të ardhmen domosdo duhet të reformohet”, shtoi Shasivari.

Ndryshe, sipas, nenit 87 të Kushtetutës së Maqedonisë, presidenti i Republikës mban përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve gjatë ushtrimit të të drejtave dhe detyrave të tij.
Procedurë për verifikimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës, ngre Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Sipas rregullores së Kuvendit, ngritjen e procedurës për verifikimin e përgjegjësisë së presidentit mund ta bëjnë 30 deputetë.

Pas kësaj, sipas Kushtetutës, për përgjegjësinë e Presidentit vendos Gjykata Kushtetuese me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i gjyqtarëve.

Nëse Gjykata Kushtetuese e verifikon përgjegjësinë e Presidentit të Republikës, funksioni i pushon me fuqinë e Kushtetutës.

Ndryshe, nëse shumica parlamentare vendos që të ngrit interpelancë, atëherë kjo do të ishte e dyta, pas asaj të parës që opozitarja e atëhershme, LSDM ngriti procedurë për verifikimin e përgjegjësisë për vendimin skandaloz të Ivanovit ku i aboloi apo i fali të gjithë funksionarët e dyshuar nga VMRO-DPMNE për kryerjen e veprave të rënda penale.

Ligji i gjuhëve është në ngërç, pasi që presidenti nuk e nënshkruan dekretin dhe me këtë nuk lejon që të shpallet në Gazetën Zyrtare, gjegjësisht të hyjë në fuqi.

Kryeministri Zoran Zaev, përpara disa ditëve për pyetjen e Portalb.mk, u deklarua se nuk e përjashton mundësinë që të dërgojnë edhe kërkesë deri te Gjykata Kushtetuese e cila do të deklarohej nëse presidenti e ka shkelur Kushtetutën me mosdekretimin e ligjit.

Pasi Ivanov s’e dekreton, si do të hyjë në fuqi ligji për gjuhët?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button