Vijon agjendë e ngjeshur diplomatike, emri hyn në finale

Pas paralajmërimit të takimit të ri Dimitrov – Koxias më 12 prill në Ohër dhe deklaratat optimiste të kryeministrit Zoran Zaev, vlerësohet se çështja e emrit hyn në fazën përfundimtare, njofton Portalb.mk.

Kryeministri Zaev, në një intervistë për MIA tha se bisedimet janë në drejtim të vërtetë dhe se ai proces po afrohet deri në momentin kur duhet që të ketë takim mes tij dhe Ciprasit.

“Ajo do të thotë që avancimi i bisedimeve ka arritur deri në atë nivel që të pritet dhe takim mes dy kryeministrave. Nëse dëgjojnë qytetarët se po caktohet takim mes Zaevit dhe Ciprasit, ajo do të thotë vërtetim praktik dhe konkret se bisedimet janë në drejtim të vërtetë dhe se është e mundur që të vijmë deri te zgjidhja. Unë besoj se ajo është e mundshme, unë besoj se është mirë për Maqedoninë që të ndodh sa më herët për shkak se ajo për ne do të thotë garanci e plotë për fitimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, por edhe ftesë automatike për anëtarësim në NATO”, thotë kryeministri Zaev.

Ai e përsëriti qëndrimin se për të linja të kuqe në bisedimet janë ruajtja e dinjitetit dhe identitetit, gjegjësisht zgjidhje e cila do të ishte e dinjitetshme për të dyja palët.

“Besoj se përkushtimi aktual në proces, hapat të cilat janë ndërmarrë mundësojnë afrim. Dhe u afruam. Ka hapërim pozitiv nga Vjena për të cilën besoj se do të rrumbullakohet më 11 dhe 12 prill, në takimin e ardhshëm mes ministrave. Në fund të prillit, ose, ndoshta, në fillim të majit, është e mundshme që të ketë edhe takim në nivel kryeministrash. Ajo gjithsesi varet nga të dyja palët. Por duhet që ta dinë qytetarët, është e rëndësishme çështja, mjaft e rëndësishme, por jo me çdo çmim”, ka theksuar Zaev.

Zaev është decid se në bisedimet për emrin, nuk ka buldozerë diplomatik mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe se për zgjidhje të tillë vlen që të flijohet edhe karriera politike. Sipas tij, anëtarësimi në NATO nuk është e mundshme pa u zgjidhur emri, gjë të cilën ia ka thënë edhe sekretari gjeneral i Aleancëës, Jens Stoltenberg.

Javën e ardhshme më 17 prill, KE do ta kumtojë raportin e progresit për Maqedoninë, në të cilën Qeveria pret që të fitojë rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e bisedimeve.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, në një video – porosi në fillim të muajit deklaroi se në raportin e ardhshëm pret valorizim të tërë punës së deritanishme dhe rekomandim të pastër për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE. Ai gjithashtu ka bërë thirrje edhe deri te partitë politike në Kuvend që të arrijnë konsensus dhe t’i votojnë disa nga ligjet kyçe reformuese të cilat ende pritet që të miratohen.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button