TEOLOGJIA PASMODERNE (I)

Termi teologji (theology), i përbërë nga fjalët greke theos (Zoti) dhe logos (fjalë, shprehje e arsyeshme, dije, diskurs), përkufizohet si ligjëratë racionale rreth Zotit, në përgjithësi rreth fesë dhe spiritualitetit; është disiplinë që merret me cilësitë hyjnore, gjithësinë dhe lidhjen e njeriut me hyjnoren. Në gjuhën angleze ndryshe i thuan edhe divinity, studime religjioze, kurse në gjuhën turke përdoret shprehja ilahiyat, studime sistematike që kanë të bëjnë me ekzistencën e Krijuesit, me hyjnitetin, që atyre që përfundojnë këtë drejtim iu mundëson të bëhen prijës adhurimesh (imamë), pjesë e klikës klerikale, interpretues dhe mësimdhënës të fesë, intelektualë të shkencave religjioze (pjesë e ulema-së) dhe më gjerë.
Teologjia ka si synim studimin sistematik të së shenjtës, të mendimit dhe doktrinave fetare, gjithherë duke u bazuar në të dhënat e zbulesës (revelation). Ajo përpiqet që besimin në Zot ta interpretojë dhe ta mbrojë si të qëndrueshëm dhe kuptimplotë. Në literaturën teologjike flitet për teologjinë natyrore, të bazuar vetëm në arsye, dhe teologjinë e bazuar në zbulesë, që merr për bazë shpalljen hyjnore. Teologjia, e cila merret me tërësinë e urdhëresave dhe ndalesave (collection of do’s and don’ts), ka një ligjëratë apologjetike për besimin fetar dhe sipas disave tejshkencore. Por, vetë teologët me qëllim të të kuptuarit, shpjegimit, testimit, kritikës, mbrojtjes ose promovimit të morisë së temave fetare përdorin forma të ndryshme të analizës dhe të argumenteve (filozofike, etnografike, historike).

Teologjia i ndihmon njeriut të kuptojë traditën e vet fetare dhe të huaj, të bëjë krahasime mes tyre, të ndihmojë në përhapjen e fjalës fetare, t’u afrohet burimeve fetare për të zgjidhur një situatë aktuale me të cilën ai ballafaqohet.

Si të gjitha disiplinat edhe teologjia, sot frymon në një periudhë të mbiquajtur pasmoderne ose postmoderne (versionin e parë e kemi përzgjedhur me sugjerim të prof. Xh. Lloshit). Sipas J. F. Lyotard-it pasmodernia është emër i përgjithshëm për mbarë gjendjen e qytetërimit të sotëm perëndimor, gjendje kjo kur është humbur besimi në “rrëfimet e mëdha legjitimuese”, emër i një epoke që shënon fundin e të gjitha miteve ngushëlluese rreth mbisundimit intelektual dhe të „së vërtetës“.

Si veçori kryesore të pasmodernizmit dalin këto: refuzimi i esencializmit, antitotalitarizmi, pluralizmi, origjinaliteti dhe lokalizmi, rigjallërimi i relativizmit („Anything goes“-Çdo gjë shkon!), rebelizmi kundër hierarkisë së artit, përparësia e jetës së përditshme etj. Produkt i kërkesave të pasmodernes është edhe një vizion i ri teologjik, teologjia pasmoderniste (postmodernist theology), që paraqet formë të teologjisë së shfaqur në periudhën pas modernes, që luan rol në ngushtimin e hendekut mes filozofisë dhe teologjisë, mes shkencës dhe përshpirtshmërisë, natyrës dhe Zotit, arsyes dhe frymëzimit.

Postmodernistët preferojnë fenë e privatizuar (Rorty), theksojnë rëndësinë e preferencave karshi standardeve religjioze, pluralizmin fetar, polidoksinë, heterodoksinë dhe heteropraksinë fetare, theksojnë nevojën për një missio Dei dhe misiologji tjetërfare. Ata nisen nga Niçeja sipas të cilit qenia supreme e teizmit klasik, Zoti, si edhe kuptimi i historisë, janë bërë të pabesueshëm. (Vanhoozer, 2005). Postmodernistët pretendojnë se i ndihmojnë teologjisë të mendojë seriozisht dhe në mënyrë vetëkritike (think hard and self-critically), se e shpëtojnë kristianizmin nga çmenduria (madness) (Lowe, 2007), se e ruajnë religjionin si element personal dhe jo privat (Rossouw, 1993), pra i japin mundësi të shfaqet edhe në sferën publike.

Ata synojnë ta shndërrojnë fenë botërore në një sistem teologjik më fleksibël, të bazuar në një koncept të Zotit më të kufizuar dhe krahasueshmërisht më pak të pavarur. Sipas Griffin-it, kjo teologji shpreh një vizion origjinal fetar mbi botën, ndryshe nga teologjia liberale moderne, pa mbajtur një qëndrim antishkencor, antiracional, ndryshe nga teologjia konservatore-fundamentaliste moderne. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button