Maqedoni, komunat janë peng të mosdecentralizimi fiskal financiar

Kryetarët e komunave rurale në Maqedoni kërkojnë që të shumëfishohen mjetet nga Programi për mbështetje financiare për zhvillim rural, si edhe gjatë shpërndarjes së këtyre mjeteve përparësi të kenë komunat me seli në fshat, shkruan REL.

Kryetari i Komunës rurale të Rosomanit, Franko Janevski, thotë për Radion Evropa e Lirë se komuna përballet me vështirësi të shumta financiare dhe kjo e pamundëson zgjidhjen e problemeve, me të cilat ballafaqohen banorët e saj.

“Për asfaltimin e një rruge lokale që është nën kompetencat e komunës, nevojiten diku rreth 27 po 30 milionë denarë (rreth gjysmë milion euro) që përbën 50 për qind të buxhetit vjetor të komunës. Ndërkohë, që komuna duhet të ndajë edhe mjete për shkollat, kopshtet e fëmijëve, pra paratë janë shumë të mangëta për të bërë çfarëdolloj investimi”, thotë Janevski.

Qeveria e Maqedonisë ka paralajmëruar marrjen e një kredie në vlerë prej 120 milionë eurosh për të shlyer borxhet e komunave, të cilat mjete komunat do të duhet t’i kthejnë për 15 deri në 20 vjetët e ardhshëm me normë interesi prej 3 për qind.

Por, Alaudin Zeqiri, ish-kryetar i Komunës së Studeniçanit (komunë rurale në rrethin e Shkupit), i cili aktualisht është ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se falja e borxheve në asnjë mënyrë nuk paraqet zgjidhje për ngecjen zhvillimore të komunave rurale në Maqedoni.

Zeqiri thotë se një herë e përgjithmonë duhet t’i jepet fund praktikës që pushteti qendror të ndajë financa në bazë të preferencave prej cilës parti udhëhiqen komunat.

“Nëse shkohet me këtë kriter, që Qeveria e Maqedonisë të mbulojë borxhet që kanë komunat, për mendimin tim është një model joefikas i komunave, sepse nëse bëhet një analizë, komunat që kanë bërë borxhe më shumë se 10 vite dhe tani qeveria ua shlyen, kjo mund të bëhet praktikë për të ardhmen që nuk prodhon efekte pozitive.

Vetëm një për qind e Bruto Prodhimit Vendor shkon për zhvillimin e barabartë, këto mjete janë të pamjaftueshme që komunat rurale t’i zgjidhin problemet e shumta infrastrukturore, këto mjete gjithsesi duhet të rriten”, thotë Zeqiri.

Ndërkaq, Visar Ademi, ekspert i ekonomisë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se mosdecentralizimi fiskal financiar mban peng zhvillimin e komunave rurale.

“Problemi i parë është se Maqedonia akoma vazhdon të jetë një nga shtetet më të centralizuara në kuptimin fiskal në Evropë. Për këtë arsye gjëja e parë që duhet të bëhet, është të decentralizohet në mënyrë fiskale Maqedonia, posaçërisht këtu i kam parasysh të gjitha taksat që i paguan në nivel shtetëror, por kthehen mbrapsht një përqindje e vogël e taksave për menaxhimin komunave. Dhe, e dyta menaxhimi i të gjitha pasurive që janë në kuadër të komunave, siç janë pyjet, ujërat etj., nuk menaxhohen nga pushteti lokal, por ato mbeten nën kompetenca të pushtetit qendror, përmes ndërvarjeve publike. Duke mos pasur të drejtë menaxhimi, s`ke si lëvron të ardhura në arkën komunale”, vlerëson Ademi.

Ai thekson se mungesa e zhvillimit të barabartë të të gjitha rajoneve, ka bërë që qytetarët e Maqedonisë t’i braktisin fshatrat dhe më shumë se gjysma e banorëve të Maqedonisë të jetë e përqendruar në dy ose tri qytetet më të mëdha të vendit.

Kërkesat e kryetarëve të komunave për më shumë mjete për zhvillim rural janë adresuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe për Zhvillim Rural.

Me këtë rast, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski, ka bërë të ditur se për vitin 2018 janë paraparë investime për infrastrukturën rrugore, për sistemet të furnizimit me ujë dhe të kanalizimit, modernizimin e tregjeve ekzistuese për kafshë, dhe çështje të tjera infrastrukturore.

“Është kyçe që komunat, kryetarët e komunave, administrata dhe personat profesionalë të drejtohen kah krijimi i projekteve dhe ta përgatisin dokumentacionin… Në periudhën e ardhshme, Qeveria me Agjencinë për Mbështetje Financiare do ta definojnë vëllimin me çfarë do t’i mbështesim komunat”, ka thënë Nikollovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button