Kush dëshiron luftë në Ballkan?

Në një darkë solemne, Lady Astor, deputetja e parë e Parlamentit Britanik, gjatë gjithë kohës mburrej me paraardhësit e saj. Si dukej e kishte teprua, saqë Çerçili në stilin e vet kishtë komentuar – “Interesante, se si paraardhësit e juaj u gjasojnë patateve”. “Unë nuk kuptoj se çfarë doni të thoni me këtë!” – e habitur kishte reaguar Lady Astor. Ndërkaq ai shtoi – “edhe te patatet çdo gjë që ka vlerë është nën tokë”. Lady Astor dukshëm e prekur, me një ton të ngritur i drejtohet shakaxhiut”. – “E dini se sikur të isha gruaja juaj do t’u kisha vënë helm në kafe”. “Të them të drejtën, zonjë e dashur” – ia kishte kthyer Çerçili – “po të ishit ju gruaja ime, unë me kënaqësi vet do ta pija helmin”.

Nuk është e njohur nëse ndonjë politikan i këtuhit do të kishte dashur vullnetarisht të pijë ndonjë helm, por fakti është se popullatës së rëndomtë gjithë kohës i janë ofruar koleksione të gjera helmesh. Helm mediatik, helm ndëretnik, helm ndërfetar, helm ndërpartiak, helm demagogjik, helm grabitës… Këta kanë shkaktuar helmim kolektiv të ndërgjegjes njerëzore, madje kanë sjellë gjer në çmenduri. A si të çmendur, më lehtë pranohen vlerat e përmbysura. Nga të gjitha helmuesit, më i rrezikshmi është gjuha, sepse me një helm mund të helmosh një njeri, kurse me gjuhë mund të helmosh miliona njerëz. Gjuha helmuese e VMRO-së është një armë e rrezikshme për (vetë)asgjasim masiv. Ata gjithë kohës helmojnë, madje edhe për gjëra që vetë i bëjnë madje në ndonjë formë më të avancuar. Dhe tani në emër të tokës ata mbrojnë nëntokën. Ata vetë e sollën ligjin për gjuhët në vitin 2008, ndërkaq e plotësuan në vitin 2011, kurse pas zgjedhjeve pranuan edhe formë më të avancuar të gjuhës vetëm që të mbeten në pushtet. Tani hedhin gurë e drunj ndaj tij. Si duket atyre fushata parazgjedhore u shërben për “gomarizimin” e votuesve. Për punët e tyre as që duhet parashtruar pyetje, pasi vet veprat janë përgjigje. Dhe sapo bëhen pushtet, helmin e ripaketojnë dhe e rishesin sikur të ishte mjaltë.

Helmet e tyre janë të vjetra. Së pari, me muaj të tërë hidhnin helme se arsimi i lartë në gjuhën shqipe do ta shkatërronte shtetin. Ndërkaq ndodhi e kundërta. Shteti u forcua edhe më shumë. Pastaj te ndarja territoriale lokale, se gjoja do federalizohej shteti – dhe sërish asgjë e keqe nuk ndodhi. Tani gjoja me dygjuhësinë shkelet kushtetuta, cenohet pozita e gjuhës zyrtare, popullata do emigroka etj. Në fakt njerëzit më shumë kanë emigrua kryesisht gjatë pushtetit të tyre, atëherë kur Kushtetuta u pat përdhunua me dhunues që pritnin në radhë. Kurse për Ivanovin, Kushtetuta më shumë shërben si një zëvendësim cilësor i letrës higjienike.

Por, si duket ekziston një lojë dashurie e nëntokës midis ish partnerëve “natyrorë” të koalicionimit. Është e njohur se si përfundoi romanca e dashurisë së tyre nga zemra dhe xhepi, kurse partneri i ri çfarëdo që të ofron, zemra nuk e pranon! E tani, të prishim nga brenda. Njëri nga brenda do bëjë presion për diçka, kurse tjetri nga jashtë do dramatizojë. Vallë a nuk ishte e gatshme BDI që me gjithë zemër ta pranonte luanin e vmrosë si stemë shtetërore? Xhepi i mbushur bënë edhe zemër të mbushur! Vlerat nëntokësore krijojnë dashuri mbitokësore. Çdo gjë tjetër është vetëm teknikë! Nga “bombat” pamë se sa lehtë hudhra e uji bëhen mjaltë e qumësht.

 

Helmim gjuhësor

Aspak nuk duhet të nënvleftësohen forcat pro-putiniste në vend. Pas atij opsioni, nuk qëndron vetëm një parti margjinale, por fshehtas edhe një pjesë e mirë e strukturës grueviste. Por,edhe një pjesë e disa zyrtarëve shqiptarë. Loja me Ligjin për gjuhët u imponua që të shërbejë si karburant për trenin e vjetër drejt Moskës. Diplomatë të shumtë nuk mund të kuptojnë se pse mu tani e gjithë kjo grindje për gjuhën, kur e njëjta gjë ka mund të bëhet ose më parë (kur DPMNE kishtë Kongresin), ose pas gjysmës së vitit që vijon. Tani, kjo jo vetëm që bëhet ushqim i shijshëm për nacionalistët dhe ata që aktrojnë se janë të tillë, por njëherit është humbje kohe për t’iu përkushtuar çështjes së emrit dhe reformave. Dhe nuk është i rastësishëm  “katil-fermani” i Prokurorisë Speciale. A Ivanovi i mjerë, i vockël mezi pret të shitet si i madhë.

Përndryshe, bota vlon nga më shumë gjuhë zyrtare dhe çdokund është dëshmuar si element i fortë koheziv dhe integrues. Do numëroj disa nga to, pa e përmendur Finlandën që është aq shumë e eksploatuar. Në Belgjikë ekzistojnë tri gjuhë zyrtare – flamane, frënge dhe gjermane. Në Kanada – angleze, frënge, indiane (gjuha Inuktitut në Nunavutu). Në Spanjë ka pesë gjuhë zyrtare (kastiliane, katalone, baske, asturiane, galicike). Në Rusi madje ekzistojnë 13 gjuhë zyrtare (ruse, osetike, çeçene, ingushike, rutulke, kalmike, tatariane, jakute, hakashke, burjate etj). Në Itali gjuhë zyrtare është edhe ajo gjermane (si gjuhë e parë në Tirolin e Jugut) dhe gjuha sllovene në Trieshtë dhe Goricë. Madje edhe në SHBA si një vend i njëqind kombeve që për arsye praktike ishin të lidhur për një gjuhe, tani në mënyrë serioze ndërfutet edhe gjuha spanjolle dhe ajo havaiane. Në Slloveni, përveç sllovenishtes, në përdorim zyrtar janë edhe gjuha italiane dhe ajo hungareze. Në Kosovë, gjuha shqipe dhe ajo serbe janë të barabartë në të gjithë vendin. Në Mal të Zi – edhe gjuha serbe, shqipe dhe boshnjake. Madje edhe Shqipëria po ndërmerr hapa seriozë me greqishten dhe maqedonishten. Dhe mos të rendis edhe vende të tjera (si p.sh. India me 34 gjuhë zyrtare rajonale dhe me anglishten si gjuhë qendrore).

Destabilizimi i Ballkanit

Në analizën e titulluar “Rusia godet dhe bën fole në Ballkan,” e famshmja për gjeopolitikë – “Stratfor”, vuri në dukje se Moska do të vazhdojë t’i kepërdorë ndasitë në Ballkan, në mënyrë që të krijojë probleme sigurie, të cilat Perëndimi pa Moskën nuk do t‘i zgjidhë. Ajo me politikën e saj “soft power”, dëshiron të faktorizohet në Evropë me qëllim që më pas në pako t’i zgjidhë edhe problemet e saj me Ukrainën (Krimenë) dhe Kaukazin. Por, gjithashtu edhe të fitojë koncesione energjetike në Ballkan si një faktor kontrolli afatgjat. Gjithashtu vlen të citohet edhe analiza e revistës “National Interest” – Ballkani është një arenë e vërtetë lojrash për aktorët e këqij dhe ajo është një pozocion i volitshëmi për Putinin. Gjërat duhet t’i ndjekim përpara se të dalin jashtë kontrollit. Ai mund të provokojë një konflikt në vijën Serbi-Kroaci-Kosovë, por edhe në Maqedoni dhe Bosnje e Hercegovinë.

Vuçiçi me mprehtësi kundërshton destabilizimin rajonal përmes politikës së pajtimit ndërmjet serbëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve. Ai mire e ka kuptuar lojën. Vetëm udhëheqja e DPMNE-së dhe do bashkëpunëtorë të saj akom ajo. Apo nuk duan. Ata gjithë kohën vajtojnë për demokracinë e këtuit, për mediat e lira, për partizimin e gjyqësorit, etj. Njeriu të qeshet me lotë, e më pas me të njëjtët lotë të vajtojë. Sidomos kur t’i kujtohet Ivanovi. Duhet të kuptojmë se shpëtimi ynë është integrimi i shpejtë euroatllantik. Vallë, dikujt akoma nuk i janë të qarta tentimet për grushtetit në Mal të Zi dhe Maqedoni?! Duhet të kuptojmë se nëse nuk i mbrojmë interesat tona, atëherë të tjerët do të na detyrojnë t’i mbrojmë interesat e tyre. Por, mbi kurrizin tonë. Shumë kohë na është imponuar politika si luftë e pakompromis në mes jetës apo vdekjes, e asesi të shërohemi nga kjo smundje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button