VMRO-ja kërkon mocion votëbesimi për qeverinë e Zaevit

Qeveria e kryeministrit maqedon, Zoran Zaev javën e ardhshme pritet të përballet me mocionin e parë të votëbesimit nga ana e opozitës. Ky mocion pritet që zyrtarisht të dorëzohet në Kuvend gjatë fundjavës, shkruan REL.

Në fakt, mocioni është edhe kushti kryesor i VMRO-DPMNE-së, për kthim në Kuvend apo ndërprerjen e bojkotit që po zgjat më shumë se një vit.

“Dhjetë muaj pas ardhjes në pushtet të LSDM-së, Maqedonia është bërë shtet i robëruar. Shteti po shkatërrohet si në planin ekonomik ashtu edhe në atë social kurse demokracia është suspenduar. LSDM-ja është në koalicion me krimin. Korrupsioni ka marrë përmasa epidemike. Këtë e kanë konfirmuar edhe hulumtimet e organizatave të ndryshme. Investitorët e huaj po ikin nga Maqedonia. Pikërisht për shkak të kësaj, por edhe për shumë arsyee tjera, VMRO-ja vendosi të paraqesë kërkesën për votëbesimin e qeverisë. Qytetarët meritojnë jetë më të mirë”, ka thënë, Dragan Donev nga VMRO DPMNE-ja.

Nga LSDM-ja nuk kanë komentuar nismën e VMRO-së, por në disa paraqitje të mëparshme kryeministri, Zoran Zaev ka thënë se të gjitha kërkesat e ligjshme të opozitës mund të shqyrtohen. Në opinion qarkullojnë informacione jozyrtare mbi një marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës, dhe kjo në disa raste është konfirmuar edhe nga lideri i opozitës Hristijan Mickovski, pa dhënë detaje.

Megjithatë, njohësit e çështjeve politike, thonë se mocioni i VMRO-së më shumë shihet si formë e kësaj partie për t’u kthyer në Kuvend por edhe për largimin e saj nga politikat konfliktuoze.

“Paraprakisht dihet se interpelanca nuk mund të ketë sukses për shkak të numrave të shumicës parlamentare. Por, organizimi i interpelancës në këtë rast i nevojitet VMRO-së për të arsyetuar kthimin e saj në Kuvend pasi qëndrimi i saj i deritanishëm, bojkot ose jo tregoi mungesën e kapacitetit të kësaj partie për largimin nga politikat e gabuara”, thotë analisti Alajdin Demiri.

Ndërkohë Nikolla Dujoski, njohës i zhvillimeve politike në vend, mocionin e VMRO-së e quan të gabuar pasi sipas tij, opozita nuk mund të përfitojë asgjë përveç rritjes së pakënaqësisë së qytetarëve, për siç thotë veprimin destruktiv të opozitës në kohën kur Maqedonia ka nevojë për zbatimin e shumë reformave për të ardhmen e tyre.

“Mendoj se është një hap i gabuar politik. Çdo parti politike ka pretendime për të ardhur në pushtet, por jo në këtë mënyrë. Ata mund të nxisin vetëm se një debat disa orësh për suksesin apo mossuksesin e deritanishëm të qeverisë dhe asgjë më shumë, pasi nuk i kanë numrat për rrëzimin e qeverisë. Mendoj se për të gjitha partitë pa përjashtim, interes parësor duhet të jenë reformat që janë para nesh. Qytetarët presin përmirësim të jetës së tyre dhe kontributin këtu duhet ta jep VMRO-ja nëse dëshiron të fitojë pikë politike, pra ajo duhet të jetë pjesë e reformave dhe jo të pengojë procesin”, thotë Dujoski.

VMRO-ja në zgjedhjet e fundit fitoi ulëse për 51 deputetë, por tre prej tyre kanë dalë si të pavarur kështu që grupi i tyre parlamentar ka mbetur me 48 deputetë. Megjithatë edhe sikur të ishte i plotë grupi parlamentar, Qeveria nuk mund të bie pasi për mocion duhet të votojnë 61 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi.

Qeveria zyrtarisht përbëhet nga LSDM-ja, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe një deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare që së bashku kanë 62 deputetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button