Të jemi zot në shtëpinë tonë

Për një stinë si kjo aktualja, kur shqiptarët hanë kokat e njëri-tjetrit dhe bashkë me to edhe kokën e atdheut, Azem Shkreli – njëri prej krijuesve më të shquar të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, shkroi: Stina më e ligë për një etni është stina kur rëndomësohet e keqja.

Ajo që e shtyri poetin ta shkruajë këtë qe, pa dyshim, gjendja e mjerueshme e shqiptarëve të nëpërkëmbur keq nga tjetri dhe nga vetvetja. Në fakt, poeti vetëm përsëriti refrenin e moçëm të rilindasve, të cilët, më shumë se virtytet, spikatën prirjen e shkrirjes sonë vullnetare në llavën e vullkanit të tjetrit.

Për kacafytjet kronike brendashqiptare kanë shkruar pothuajse të gjithë krijuesit tanë, që nga Çajupi, Konica e Fishta, gjer tek Kadareja dhe krijuesit e brezave më të rinj se ai. Mjerisht, për shkak se asnjërin prej tyre nuk e kuptojmë drejt dhe prej asnjërit nuk zëmë mend, vazhdojmë të përçahemi në vija të panumërta, që domosdoshmërisht rezultojnë me humbje të reja imazhesh dhe territoresh etnike. Së fundmi, për shkak të paaftësisë dhe mungesës së kredibilitetit të lidershipit të korruptuar shqiptar, i dhuruam mijëra kilometra toke Malit të Zi – shtetit, i cili para një shekulli gllabëroi Ulqinin e Tivarin, Hotin e Grudën, Plavën e Gucinë… dhe na shndërroi për marre në vasojeviqë e bjellopojiqë…, kurse aktualisht është duke përmbyllur projektin e boshnjakëzimit të shqiptarëve, sipas shembullit të tjetërsimit të Rekës së Epërme a të Novi Pazarit…

Dhe kjo nuk është e tëra, sepse politikanët shpirtshitur (respekt përjashtimeve!) së shpejti do ta legalizojnë edhe dhurimin e puseve të naftës në detin Jon…, ndërkohë që kanë lënë prej dekadash në duart e dreqit madje dhe “edukimin” e fëmijëve tanë, kanë shitur pa dhimtë dhe për pesë para kompanitë energjetike, pasuritë e nëntokës, ujin, ajrin dhe dinjitetin shqiptar, duke na katandisur në derexhenë e muhaxhirëve që i këndojnë me qemane Mollave të kuqe

Kështu ka qenë, të dashurit e mi dhe kështu do të jetë nëse do të përcaktohemi sërish për pakte me theqafjen. Është momenti i reflektimit me mendje, jo me lukthe. Është momenti i pastrimit të oborrit të shtepisë, jo i drejtimit të gishtit nga tjetri. Është koha e shfronësimit të hajdutëve dhe tradhëtarëve, që kanë qitur në treg të ardhmen e kombit. Dhë nëse pysni cilët janë ata, përgjigja është e thjeshtë: të gjithë politikanët e paaftë, të korruptuar e të pafytyrë (në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë…), të bërë milionerë brenda pak vitesh, që nuk kanë kapacitet dhe autoritet të brendshëm e të jashtëm për t’i dalë zot të ardhmes sonët. Vetëm pastaj do të kemi të drejtë t’i themi despotit të huaj: Jemi Zot në shtëpinë tonë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button