Rrëfimet rrënqethëse të të mbijeturave nga spitali i Vlorës

Gati 20 orë pas aksidentit, që ndodhi një ditë më parë në afërsi të Himarës, në vendin e quajtur “Qafa e Vishës”, studentet e plagosura, që janë duke u trajtuar në spitalin rajonal të Vlorës, janë ende në gjendje “shock”-u. Nuk arrijnë të besojnë atë që ka ndodhur me to, ndërkohë që ishin nisur për në Sarandë, ku do të qëndronin të paktën dy ditë.

U duket ende si një ëndërr dhe nuk duan të besojnë se kanë qenë “pasagjere” të autobusit të vdekjes.  Në spitalin e Vlorës po trajtohen gjithsej 10 nga të plagosurat, nga të cilat 4 ndodhen në repartin e reanimacionit për shkak të gjendjes ende delikate.Të tjerat, janë dërguar në dhomat e repartit të kirurgjisë, ku po mbahen nën kujdes të rreptë.

Të shoqëruar nga drejtori i Spitalit Rajonal të Vlorës, Shkëlqim Selami, hyjmë në repartin e reanimacionit, ku janë 4 prej të aksidentuarave. Elidona Gjinaj, 21 vjeçarja nga Laçi, rënkon nga dhimbjet. Ajo është ende e shokuar dhe flet me mjaft vështirësi. Fillimisht nuk dëshiron të komunikojë, sepse, “nuk mundem” thotë. “Nuk mbaj mend asgjë”, shprehet Elidona, e shtrirë në një nga katër shtretërit, që ndodhen në këtë dhomë të reanimacionit.

Madje, në një moment humbet disi vetëdijen dhe përballë pyetjes se “a mban mend diçka nga aksidenti?”, përgjigjet gjithashtu me pyetje; “Çfarë aksidenti?”. Por, më pas kthjellohet disi dhe tregon me shumë vështirësi diçka nga ajo që ka ndodhur. “Kujtoj vetëm momentin, kur autobusi po binte dhe më pas…asgjë….”, thotë Elidona, duke marrë frymë me mjaft vështirësi.

Ajo thotë se i kanë ardhur të dy prindërit, të cilët tashmë janë më të qetë. “Jam vajzë e vetme, kam edhe dy vëllezër”, vijon më tej 21 vjeçarja nga Laçi, ndërkohë që shton se, “tani ndihem më mirë”.   Ndërkohë, në shtratin tjetër, ndodhet 23 vjeçarja Adioal Mustaku, nga Fier Shegani i Lushnjës.

Është paksa më e qetë krahasuar me shoqen e saj, por gjithsesi mjaft e rënduar psqiikisht. Madje është e shqetësuar për shoqet e saj, pyet për dikë prej tyre me mbiemrin Haka dhe kur zoti Selami, që shikon një listë i thotë se është gjallë dhe ndodhet në spitalin ushtarak të Tiranës, ajo lehtësohet dhe merr frymë thellë.

Duket disi më e çliruar, aq sa mund të jetë e tillë një 23 vjeçare, që ka përjetuar një ngjarje tepër të rëndë. Mundohet të kujtojë ato momente “ferri”, sikundër i cilëson ajo. “Autobusi po ecte me shpejtësi, kur në një nga kthesat ai devijoi. Unë isha ulur në sediljen e katërt pas shoferit dhe dëgjova që ai tha, nuk kam frenat. Të gjitha po bërtisnim… Ndërkohë, autobusi mori majtas duke shtuar …shpejtësinë…Shoferi u mundua të kthente timonin….por nuk arrinte…pastaj pamë që autobuzi u drejtua drejt bordurës anësore të rrugës dhe …e goditi atë me pjesën e përparme…Më pas…nuk mbaj më mend asgjë. U zgjova në ambulancë…”, përfundon Adiola.

Adiola tregon se ishin nisur për në Sarandë, ku do të qëndronin dy ditë. Do të shkonin edhe në Butrint. Ndërkohë, një shtrat më tej është Besjana Xhenati, 21 vjeçe nga qyteti i Kavajës. Nuk arrin të komunikojë. Në fytyrë nuk duket e dëmtuar, ashtu si shoqet e veta, por nuk reagon ndaj pyetjeve tona. Duket e tronditur. Madje, as mjekët nuk e bëjnë dot të flasë.
Qëndron e heshtur dhe vetëm tund kokën, ndërkohë që herë pas here rënkon lehtë. Në këtë dhomë të vogël të repartit të reanimacionit të Spitalit të Vlorës, nuk i kanë mësuar ende përmasat e tragjedisë. Gjendja ende e pavetëdijshme plotësisht e të aksidentuarave, por edhe kujdesi i mjekëve dhe familjarëve dhe të afërmve për të mos u treguar, përbëjnë dy nga arsyet e kësaj.

Megjithatë, ato arrijnë të kuptojnë se diçka e rëndë, tepër e rëndë ka ndodhur. Kjo edhe kur shohin që në një dhomë të vetme janë tre shoqe, studente të një fakulteti. Adiolana pyet ne, për të mësuar diçka më tepër, por mjaftohemi duke u uruar të shkuara, për t’u drejtuar në një dhomë tjetër të këtij reparti, ku ndodhet një studente tjetër. Liri Hasaj, 21 vjeç nga fshati Stërbeg i Kavajës, është paksa më e qetë dhe më e vetëdijshme se shoqet e tjera.  Madje, për këtë arsye atë e kanë vendosur në një dhomë tjetër. Një e qepur e thellë në pjesën e djathtë të ballit, ku spikat ende gjaku i mpiksur, si dhe fytyra e verdhë, janë elementë që bien menjëherë në sy.

Pavarësisht se flet me mjaft vështirësi dhe me një zë të ulët, Liria është në gjendje të tregojë mjaft detaje nga ajo çka përjetoi 20 orë më parë. Por, ende si në një ëndërr. “Nuk e di ka ndodhur në realitet, apo jam në ëndërr. Më duket gjithçka si një ëndërr…”, shprehet ajo, duke vijuar më tej tregimin e saj. “Autobusi po lëvizte tepër ngadalë, madje edhe një gomar me ecjen e vet mund të na kalonte”, thekson 21 vjeça rja, e cila në ato që përshkruan është disi më e ndryshme krahasuar me dy shoqet e tjera. Ajo thotë se ishte ulur në sediljen e tretë dhe ka parë mjaft gjëra nga ato momente të fundit përpara rënies.

“Në fillim ndiem një goditje në pjesën e pasme të autobuzit, që u përplas, …mbase në një shkëmb në anën e sipërme të rrugës..Pastaj autobuzi nisi të rriste shpejtësinë dhe të lëvizte përpara në krahun e majtë drejt bordurës së anës tjetër të rrugës. Ne bërtisnim….Shoferi mundohej të drejtonte makinën…E ktheu në një moment…Por, autobuzi ra anash bordurës…Ramë me pjesën e pasme…Kapërdimjen e parë të autobuzit e ndjeva, duke u kapur fort pas sediljes….Më pas u zgjova dhe e pashë veten se ndodhesha 10 apo 20 metra larg autobuzit. Po rënkoja. Pranë meje…ndodheshin edhe dy vajza të tjera..Duke rënkuar dhe duke bërtitur aq sa mund të bërtisnin, kërkonin ndihmë…Njera ishte Anisa Çoba. Tjetra …Arta Ballabani…

Shikonin nga unë dhe kërkonin t’i ndihmoja duke më thënë se ndiheshin keq. Por….unë isha e mbuluar nga gjaku dhe e pafuqishme për t’u ardhur në ndihmë. Isha e larë gjithashtu kokë e këmbë me karburantin e autobuzit, i cili ndodhej i shtypur 10-20metra më tej dhe poshtë tij, vajzat e tjera..O zot…Arta …bërtiste me të madhe…Çfarë ishte kjo?….Nuk e besoj dot….”. Liria rrëmbushet dhe në sy i shfaqen lotët….Na falenderon që jemi pranë saj dhe humbet në botën e vet…në ato momente tmerri që ajo ka përjetuar një ditë më parë…Dalim…/femina.al

Lajme të ngjashme

Back to top button