Maqedoni, qytetarët nuk janë të kënaqur me cilësinë e shërbimeve shëndetësore

Në Shkup sot u mbajt konferenca “Nevojat emergjente dhe prioritetet për avancimin e shërbimeve në aktivitete sociale dhe shëndetin publik”, në organizim të Qendrës për Menaxhim me Ndryshime, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencë u prezantuan rezultatet e anketës së opinionit publik për shërbimet sociale dhe shëndetësore për nevojat e projektit “Monitorimi i drejtësisë administrative”, të financuara nga Ambasada Britanike, të zbatuar nga agjencia M-Prospect në një numër reprezentativ të anketuarish nga 9 deri më 23 tetor të vitit 2017.

“Për fat të keq shumica e qytetarëve besojnë se një pjesë e madhe e këtyre politikave duhet të modifikohen për shkak se nuk janë frytdhënës dhe se nevojiten masa urgjente. Është interesante se qytetarët janë më të kënaqur me cilësinë kurse më pak të kënaqur me cilësinë e shërbimeve që marrin të rriturit”, tha Maleska -Saçmaroska.

Ajo tha se në sektorin e shëndetësisë, në njërën anë, qytetarët thonë se pjesëmarrja që paguajnë në pjesën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore është kritike për shkak se paguajnë disa herë, por në anën tjetër kushtet në shëndetësi theksojnë nevojën për investime, ndërsa se i përket ndihmës mjeksore, qytetarët konsiderojnë se këto shërbime duhet të kenë qasje edhe në zonat rurale, jo vetëm në zonat urbane.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska në konferencën e sotme theksoi se sistemi i mirëqenies sociale prej kohësh është jofunksional, duke shtuar se ata si institucion tashmë janë duke punuar për përmirësimin e tij.

“Këto masa, të cilat do të insistojmë që të zbatohen deri në fund të vitit 2018 do të thotë lidhje direkte të qendrave të mbrojtjes sociale me Agjencinë për punësim. Kështu, këta njerëz tre vite do t’i nënshtrohen ritrajnimit, trajnimeve shtesë si një trajnim profesional që të mundësojë në të ardhmen edhe dy vite të investojmë tek ta, që të njëjtit të mund të punësohen në punë të ndryshme. Kështu besojmë se do të kemi një imazh të ri të sistemit të mbrojtjes sociale të cilin aktualisht nuk e kemi”, tha ministrja Carovska.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se qeveria është e angazhuar për zbatimin e reformave aktuale në sistemin e kujdesit shëndetësor përmes një ndryshimi në rregullimin dhe financimin për të kontrolluar rezultatet e trajtimit të pacientëve.

“Ne jemi të angazhuar për reformimin e të gjitha niveleve të mbrojtjes shëndetetësore nga primar, sekondar dhe terciar, dhe sigurisht në bazë të përvojës ndërkombëtare dhe evropiane ne përqendrohemi në parandalimin apo përmirësimin e shërbimeve të patronazhit, më çka shërbimet do të jenë shumë më të lehta dhe më të qasshme për qytetarët në shtëpitë e tyre”, ka thënë Filipçe.

Në konferencë gjithashtu u prezantuan të dhëna për shërbimet sociale për fëmijët dhe njerëzit me nevoja të veçanta, masat aktive për punësim, lartësinë e pensioneve dhe nevojën e mundshme për të ndryshuar sistemin aktual të pensioneve.

Qendra e Menaxhimit të Ndryshimeve sondazhin e realizoi në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button