Selimovski: MPB i solli dëm të madh islamit në Maqedoni

Jakup Selimovski, zyrtar i lartë i Bashkësisë Fetare Islame dhe ish-prijës i BFI-së, në një intervistë për portalin MKD.mk deklaroi se nuk ka islam radikal, ka vetëm lëvizje të ndryshme islame.

“Jo vetëm në Maqedoni, por gjithkund në botë nuk ekziston islam radikal. Islami është një i vetëm. Nuk ekziston islam radikal. Është e vërtetë se ka lëvizje ekstreme islame, por ato assesi nuk guxojnë të interpretohen me islamin dhe me gjithë muslimanët”, theksoi Selimovski.

Ai thekson se pas vrasjes së pesë maqedonasve në Liqenin e Hekuranës dhe pas arrestimit të vrasësve të dyshimtë, dikush me vetëdije po tenton t’i prish marrëdhëniet fetare në vend.

“Ne thellë ndiejmë keqardhje me familjet e të vrarëve dhe angazhohemi që fajtorët të ndëshkohen. Por nuk pajtohemi me politikën e MPB-së, e cila e ndjek që nga fillimi ngjarjen,e ajo është intenca e dukshme se vrasja është bërë nga fanatikë fetarë të përkatësisë fetare islame. MPB-ja nuk arriti ta bind opinionin se i ka fajtorët e vërtetë, ndërsa dëshmitë kryesore kundër të dyshuarve janë Kurani dhe përmbajtjet fetare që u gjetën gjatë bastisjes së shtëpive të tyre. Ndaj nuk ekziston shtëpi myslimani që nuk ka Kuran. A nuk është kjo intencë e rrezikshme që të gjithë muslimanët të tregohen si ekstremistë?. Muslimanët në këto hapësira janë të pranishëm plot gjashtë shekuj dhe kurrë deri më tani nuk ka pasur urretje fetare dhe jotolerancë. Përkundrazi. E shikoni tash se çka po ndodh”, theksoi Selimovski.

Sipas tij, ministrja Jankullovska duhej vetëm t’u kërkojë ndjesë myslimanëve pas deklaratave të dhëna se vrasësit janë islamistë radikale.
“Nuk shoh asgjë të keqe. Ndaj, edhe burrështetasit dhe liderët botëror dijnë të teprojnë dhe t’i kërkojnë ndjesë opinionit për gjëra të caktuara, ndërsa Jankullovska nuk e bëri atë dhe vazhdoi t’i shtoj vaj zjarrit me deklarata të ngjashme. Ku prezumpcioni e pafajsisë ku të dyshuarit ende para se të dënohen u kualifikuan si vrasës edhe atë nga ana e MPB-së”, thekson zyrtari i BFI-së.

Situata në baza fetare dhe ndëretnike në vend vloi pas vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Hekuranës në Smilkovc pasi ishim dëshmitarë të rrahjeve të shqiptarëve dhe maqedonasve që ndodhën nëpër rrugë dhe autobusë. Po që të jetë situata edhe më e brishtë pasuan arrestimet e policisë më 1 maj në aksionin “Monstrum” ku arrestoi njëzet persona dhe mes tjerash doli ministrja Gordana Jankullovska me kumtesë se ndër këta persona janë edhe vrasësit, duke i potencuar si “radikalë islamikë”.  /portalb/


Lajme të ngjashme

Back to top button