Putin: Turqia, Rusia, Irani në favor të sovranitetit territorial të Sirisë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendimi i përbashkët i Turqisë, Rusisë dhe Iranit është në favor të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe atë iranian Hasan Ruhani pas Samitit Trepalësh Turqi-Rusi-Iran në Kompleksin Presidencial në Ankara, Putin tha se në takim janë shkëmbyer mendime rreth normalizimit të përhershëm të gjendjes në Siri.

“Vendimi i përbashkët i Turqisë, Rusisë dhe Iranit është në favor të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë”, tha presidenti rus.

Duke theksuar rëndësinë e këtij qëndrimi parimor, Putin tha se disa qarqe janë përpjekur të nxisin konflikte sektare dhe etnike dhe ta ruajnë potencialin konfliktuoz në Lindjen e Mesme.

Ai nënvizoi se tri vendet kanë vendosur ta rrisin bashkëpunimin me të drejtimet dhe se kanë dëshmuar se formati i bisedimeve të Astanas për Sirinë ka qenë produktiv.

Presidenti rus deklaroi se dhuna në Siri është zvogëluar në masë të madhe në saje të bashkëpunimit Rusi-Turqi-Iran, duke shtuar se forcat themelore të organizatës terroriste DEASH ka pësuar disfatë ndërsa edhe forcat ushtarake të organizatave të tjera terroriste kanë pësuar dëme.

Ai e cilësoi si të qëlluar propozimin e homologut turk Erdoğan për dërgim emergjent të ndihmave humanitare në Siri.

“Ky propozim është tejet i qëlluar sipas meje. Edhe Ruhani e mbështet këtë. Ne do të zhvillojmë punime në këtë drejtim dhe do të hedhim hapa konkretë”, theksoi Putin.

Putin po ashtu u shpreh se krahas aktiviteteve për zgjidhje politike në Siri, është e nevojshme që të garantohen edhe kushte për jetë normale për njerëzit në këtë vend.

I pyetur rreth helmimit të ish-agjentit Sergey Skripal në Britani të Madhe dhe një kërkimfalje të mundshme nga ana e Britanisë, Putin tha: “Në fakt, nuk presim asgjë. Shpresojmë të mbizotërojë arsyeja e shëndoshë dhe presim të mos vazhdojë tutje ky dëm që i është bërë marrëdhënieve tona ndërkombëtare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button